E Diel, 1 Nëntor 2026

Pelikani kaçurrel, mbreti në zhdukje i lagunës së Karavastasë

FIER-Në lagunën e Karavastasë banonte njëherë një shpend i rallë për të gjithë zonën e Mesdheut, i certifikuar me emrin Pelikani Kaçurrel, i cili konsiderohej 'mbreti' i lagunës. Flasim me gjuhën e së shkuarës, themi ishte se, epoka e mbretërimit të tij ka përfunduar dhe shpendi, fama e të cilit i kishte kapërcyer kufijtë e vendit tonë, tashmë është drejt zhdukjes totale dhe numërohet me gishta. Dora njerëzore është treguar e pamëshirshme me këtë shpend të rrallë.

"Pelikani Kacurrel" është një nga banorët autoktonë të lagunës sonë. Ai rritet e zhvillohet vetëm në lagunë dhe nuk shtegton. Është një shpend grabitqar gjigand, me peshë rreth 16 kg, lloj i veçantë në të gjithë Mesdheun", tregon Llazi Bici, peshkatar i vjetër.

Pelikani kaçurrel ka ngjyrë të bardhë me pulla gri. Në sqetull ai ka disa nuanca ngjyrash. Ushqehet me peshq, ngjala e gjallesa të tjera të detit, çka nxiti armiqësinë e njerëzve ndaj tij. Mishi nuk i konsumohet nga banorët, por ai u shfaros për shkak të të ushqyerit të tij", tregon Bici.

Sipas tij, pelikani shumohet me vezë. Femra ngroh dhe çel vetëm 2 vezë. Pra shumimi natyral i tij është delikat. Femra i depoziton vezët në kënetë, në gëmusha.

Bici tregon se para shumë vjetësh, numri i pelikanëve në lagunë arrinte në rreth 500. Bonifikimi dhe instalimi i rrjetit të tensionit të lartë ishin fatale për 'mbretin' e lagunës.
"Dhjetra krerë pelikanë të mëdhenj u shfarosën nga tensioni, pasi gjatë fluturimit binin në rrjetin e energjisë elektrike", tregon Bici.
Një faktor tjetër i shfarosjes së tij ishin dëmtimi i vezëve prej njerëzve.
"Shpesh banorët e zonës, por edhe gjuetarë të ndryshëm,(të cilët nuk e dinin rëndësinë e këtij shpendi), duke ecur nëpër lagunë ndeshnin në foletë e pelikanëve, i mernin vezët dhe i thyenin. Kjo solli shfarosjen e tyre në vite, aq sa sot numërohen me gishta", shprehet Bici.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›