E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Nuk do të ketë më naftë D2 të importuar në Shqipëri”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Qeveria ka bërë një ndryshim në draftin që lejon shitjen e karburantit D2 në Shqipëri, pasi Autoriteti i Konkurrencës në vend ka kërkuar që ky produkt të mund të tregtohet nga të gjithë operatorët e karburantëve. Në ndryshimin e bërë parashikohet që nafta D2 të tregtohet në Shqipëri deri në vitin 2010 nga të gjithë distributorët, të cilët nuk do ta importojnë atë, por do të furnizohen nga ARMO, e cila është privatizuar para pak kohësh. Berisha u shpreh se “Autoriteti i Konkurrencës me të drejtë i kërkon qeverisë të ndryshojë një vendim. Pas diskutimeve të zgjeruara, mendoj se ne kemi marrë vendimin më të drejtë, jo të shtojmë squfur për mushkëritë e shqiptarëve, por gjithashtu të mos pranojmë situatën pothuajse monopol të një operatori në fushën e naftës. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, po punon dhe me autoritetin në mënyrë që operatori i prodhimit të jetë i detyruar ta shpërndajë naftën D2 tek operatorët e tjerë sipas përqindjeve të caktuara dhe peshës që ka në treg. Nafta D2 është importuar, por tani nuk do të ketë më import të saj. Në vitin 2010, në qoftë se shqiptarët do të votojnë këtë qeveri, dhe unë kam shumë besim tek ata, sepse ata më besojnë mua dhe unë u besoj atyre, nuk do të ketë më naftë D2 në rrugë. Ajo përmban një përqindje jashtëzakonisht të lartë squfuri. Ne e shtymë me një vit për shkak të kushteve dhe diskutimeve për privatizimin. Ka ende vende që e përdorin naftën D2, por ne do të përpiqemi të kemi një mjedis të pastër. Ky është dhe një mesazh shumë pozitiv i fillimvitit për të gjithë mjedisorët e vërtetë, jo ata antiglobalë”.
Kryeministri, thirrje qytetarëve të fillojnë aplikimet për letërnjoftimet
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë mbi moshën 18 vjeç, që të aplikojnë për marrjen e letërnjoftimeve.
“Kam një thirrje dhe apel ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë mbi moshën 18 vjeç, që të shkojnë dhe të aplikojnë për marrjen e letërnjoftimeve. Më 12 janar fillon në Tiranë procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime. U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës se marrja e kartave të identitetit është absolutisht një moment i veçantë për secilin prej nesh, sepse ne marrim një dokument, një letërnjoftim të njëjtë dhe ndër më modernët në të gjithë Evropën. Para kujtdo që e paraqesim letërnjoftimin, ne prezantohemi si qytetarë me një dokument identifikimi të denjë për ne”, - u shpreh Kryeministri. Berisha theksoi se marrja e kartave të identitetit është, ndër të tjera, dhe një kontribut që vetë qytetarët mund të japin për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Ky është një rast i artë që çdo qytetar të kontribuojë në zgjedhjet që vijnë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Me marrjen e letërnjoftimit, secila familje dhe secili qytetar dëshmon se përveç votës, është duke dhënë kontribut edhe për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, - u shpreh Kryeministri. Më tej, kryeministri Berisha u shpreh se “çmimet janë qartësisht të ulëta për letërnjoftimin, ndërsa për pasaportën janë pak më ndryshe”.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›