Talebanët e 21 janarit

Si sot dy vjet më parë isha në bulevard në demonstratën e Partisë Socialiste të 21 janarit. Më shumë sesa budallallëku më shtyu kurioziteti i ethshëm për të parë se çfarë do të ishte kjo demonstratë që do të tejkalonte drejtuesit opozitarë siç pati deklaruar Edi Rama. Kujtoj si fillim vendosjen tek ish-Hotel Dajti, i mimetizuar me turmën paqësore. Kur në një moment pashë, i pamë, se u shkëputën me komandë disa të rinj talebanë nga Galeria e Arteve që ecnin me vrap, me gurë në dorë, me shkopinj në drejtim të kryeministrisë. I ndoqa për të parë se çfarë do të bënin me këto mjete rrethanore. U afruan duke sharë e pështyrë gardhin njerëzor të policisë, që si asnjëherë tjetër më parë mbajti një qëndrim të qetë, të ftohtë, pa emocione provokuese e kundërshtuese. Mitingashët e rinj me pankarta me duart kërkonin konfrontimin.
Ishte e qartë.
U pozicionova nga ana e hotel “Rogner” për të parë më mirë skenën që ish parapërgatitur. Aty njoha dhe më njohën shumë policë të Bashkisë së Tiranës, që ishin civil dhe po shikonim po me aq kureshtje se unë këtë përballje. I pyeta çfarë do të ndodhë. Heshtën. Në fillim provokime verbale, më pas çadra, shkopinj, pankarta kundër policisë. Dhuna filloi. Policia edhe pse po goditej nuk po reagonte. Kjo i nervozoi shumë arkitektët e kësaj pune, që ishin në krye të turmës së vandalëve. Më pas disa breshëri gurësh e plakash ranë mbi kokat e policive. Në këtë moment ndërrohen policët e pambrojtur dhe vjen në rresht të parë linja e policive me skafandra dhe shkopinj gome. Policët pa mbrojtje ndërrohen e kalojnë pas kolegëve me mbrojtje të sigurt. Situata po përkeqësohej. Shenjat se diçka e tmerrshme do të ndodhte dukeshin në fytyrat e ndoca të rinjve, që në dëlir e sipër qeshnin në një histeri kolektive. Ishin si hienat në kërkim të trupit të kalbur që prijësi turmës kish thënë shumë herë për banorin e kryeministrisë. Në njëzet minuta nxitja për dhunë ishte në kulm. Mjaft radikalë të majtë ishin mimetizuar me talebanët e rretheve, sikurse u provua më pas në xhepa e tyre kishin mjaft skedina lotosh. Me siguri u ishte premtuar pushtet, vende pune, lekë, makina, mall i pastër dhe hakmarrje. Për njerëz që s’kishin se çfarë të humbin kaq mjaftonte. Të parruar, me tuta, me xhupa meshini dhe atlete këto të fortë lagjesh të qyteteve të ndryshme po mësynin dhunshëm ndaj forcave të sigurisë me gjithë furinë e moshës së tyre, tashmë të djegur. Agjenda e tyre ishte e parashkruar. Përmendsh ishin instruktuar se çfarë do të bënin, dhe e bënë. Atë ditë ata do të merrnin jo vetëm pushtetin, por si duket edhe lekë, makina, mall të pastër dhe hakmarrje. Konfrontimi vazhdonte kur në një moment një bombë molotov pëlcet në këmbët e disa policive. Një prej tyre bie në tokë. Kolegët e tërheqin dhe në krah e çojnë tek autoambulanca. Kundër-reagimi i policisë nuk vonoi. Policia kundërshtoi dhunën me forcën që i jep ligji. Gjithçka merr flakë. Janë makinat e qytetarëve të Tiranës që digjeshin nga piromanët e porositur sesi të inskenojnë në mënyrë kapilare një forcë madhore dhune. Prona e venë me djersë shkrumbohej nga zelli demonstrues i ndoca kontingjenteve kriminelë. Socialistët e vërtetë që kishin ardhur për të protestuar kundër korrupsionin, pa punësisë, etj.
Mbetën tek ura e Lanës të shokuar për dhunën që një grup prej 150 vetash të paguar, me skenar të mirë-planëzuar tentuan të tërhiqnin dhe të implikonin turmën për të hyrë në kryeministri. Askush nuk lëvizi nga këto socialistë që me siguri ishin qytetarë të ndershëm dhe nuk donin të ishin pjesë e një puçi klandestin. Pashë shumë kolegë të tmerruar nga dhuna të largoheshin. Disa qëndruan pa frikë. Edhe ata si policët qëndruan në krye të detyrës, misionit për të informuar, dhe jo si ca industrialistë të shpifjes që në orën dy organizonin turmën. Vetëm opozita serioze nuk ishte në krye të detyrës, në krye të misionit të tyre, pasi i ftuan, i transportuan në Tiranë nga katër anën e Shqipërisë dhe Greqisë, (pasi i nxitën me shprehje dhune) nuk e mori drejtimin dhe përgjegjësinë për turmën, por e la atë jetime, në dorën e xhambazëve.