E Shtunë, 31 Tetor 2026

Talent, për xhep të vetin

Emisionet për talente në Kosovë shumicën e herëve kanë rezultuar të kotë. Organizatorët e tyre janë kujdesur më shumë për xhepin e vet. Të tillë ishin edhe emisionet “Talenti X”, “Pasioni im”, etj. Nga Ardian Jasiqi më 05 maj 2011 në ora 20:24

Me të dalë në skenë të Ardian Bujupit, diku në gjysmëfinale, disa adhurues të Rifat Avdiut e kishin gjetur një video 12 sekondëshe për të treguar se kinse ai është zbuluar nga ky prezantues.

Por, video nuk tregonte anën tjetër të medaljes. Vlerësimin amatoresk të jurisë së këtij emisioni, që sigurisht nuk e kanë lënë Ardianin të shkojë as në gjysmëfinale dhe e kishin eliminuar qysh në fillim të garës. Për këtë talent të Kosovës, siç shkruan sot RTL, janë të interesuara mbi 30 produksione të ndryshme gjermane dhe ndërkombëtare, ndërkohë që për emisionin e Avdiut nuk ishte interesuar askush, madje as vetë RTV 21 që ka bërë transmetimin e këtij emisioni.

Pra, flasim për emisionin “Pasioni i im” të Rifat Avdiut që ishte transmetuar në RTV 21 dhe kishte për qëllim kinse nxjerrjen e talenteve nga diaspora.

Ilir Tolaj, kompozitor, thotë se emisionet e këtilla janë emisione sa për të qenë dhe jo emisione si duhet të jenë. “Nëse e marrim Talenti X në KTV, mund të them se ka qenë një projekt ku një juri ka qenë vetëm një njeri profesionist. Kjo është Eliza Hoxha, të tjerët nuk kanë pasur lidhje me profesion, gjithnjë nëse flasim në juri që janë të krahasueshme me vendet e tjera”, thotë ai. Sipas tij, shumë anëtarë të jurisë së këtyre emisioneve në Kosovë nuk janë të kualifikuar në lëmin ku bëjnë vlerësimin.

“Nëse marrim formatin e emisioneve të këtilla, si p.sh atë ku ka konkurruar Bujupi, shohim se ata nga emisioni zgjedhin 5 top këngëtarë. Tani Ardiani do të ketë oferta të shumta nga producentë, televizione dhe qysh vitin e ardhshëm planifikohet ta ketë edhe albumin e tij. Pra, qëllimi i këtyre emisioneve është nxjerrja e talenteve”.

Tolaj thotë se në Kosovë organizatorët e këtyre emisioneve më shumë janë të interesuar që të fitojnë dhe të mbushin xhepat për vet sesa të nxjerrin ndonjë talent të mirëfilltë. “Ka person që bën marrëveshje për 7 emisione palidhje dhe për të marrë disa persona, ku i paguan ka 1000 euro. Sinqerisht, mendoj se kjo është një fyerje për audiencën”.
Se organizatorët e këtyre emisioneve nuk ftojnë profesionistë në juri, tregojnë shumë raste kur shumë pak kemi pasur anëtarë të jurive, të cilët kanë një përvojë të këtillë e që nuk janë ftuar.

Ilire Vinca – Çelaj, profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, thotë se nuk ka pasur asnjëherë ofertë që të jetë juri në një emision të këtij zhanri, edhe pse ajo ka një përvojë në pranimin e studentëve në Fakultetin e Aktrimit në Prishtinë, ku vlerëson talentin e tyre.

“Jo, nuk kam pasur asnjëherë ofertë të jem në juri të ndonjë emisioni të këtillë, edhe pse ne si profesorë të aktrimit ballafaqohemi me provime që janë të konceptuara në një mënyrë që të zgjidhen talente të aktrimit, por duhet të jesh një psikolog për shkak të natyrës së ndjeshme të emisioneve të këtilla”.

Ndërkaq, për Kosovë ajo thotë se nuk mund të gjykojë emisione të këtilla, për shkak se nuk i ka parë. Express ka kërkuar edhe një mendim të Rona Nishliut për të bërë një paralele me emisionet për talente në Shqipëri dhe Kosovë, por ajo nuk ka dhënë përgjigje, më arsyetimin se nuk mund të japë përgjigje për momentin.

Ikin talentet

Pas paraqitjes së disa talenteve nëpër emisionet në Kosovë dhe Shqipëri, shqiptarët e Kosovës kanë gjetur strehim tek emisionet në Evropë, ku edhe po arrijnë deri te fama ndërkombëtare. Melinda Ademi është njëra prej kosovareve që në janar merrte pjesë në “American Idol”, ndërkaq Vanessa Krasniqi, idoli gjerman i vitit 2009, tashmë ka të realizuar një album. Madje, për të kontaktuar sot me Ardian Bujupin ose Vanessën, do ta merrni një përgjigje të thjeshtë. “Kontaktoni me producentë të DSTS’së, nëse doni ndonjë intervistë”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›