Talentet e reja promovuan vlerat baletit në “Mbrëmje gala” në Teatrin e Operas
Izaura Ndoj
Një mbrëmje krejtësisht e veçantë e plot me emocione, ku përveç transmetimit të vlerave të më të bukura të baletit, një vend të rëndësishëm kishte edhe promovimi i talenteve të reja, ishte ajo që Shkolla Kombëtare e Koreografisë solli dje në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në kryeqytet. Nën emrin “Mbrëmje gala” ky organizim është një traditë tashmë që vjen si një bashkëpunim mes shkollës së lartpërmendur dhe Ministrisë së Arsimit e Shkencës, Ministrisë së Turzmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe TKOB. Në skenë, për të shpalosur vlerat e baletit shqiptar ishin nxënës të ndryshëm, të cilët erdhën nën një repertor të zgjedhur në vetë drejtimin e pedagogëve të tyre. Ndër këta të fundit mund të përmenden emra si Alma Mushani, Zeki Kastrati, Anila Vasjari, Luan Shtino, Ada Strazimiri, Teuta Bashari, Dionis Romano, Hysen Male, Denisa Lleshi, etj të cilët kanë punuar prej ditësh me nxënësit për të sjellë në skenë një repertor të zgjedhur. “Në këtë mbrëmje gala nxënësit kanë shpalosur vlerat më të mira dhe më të bukura që ka shkolla e baletit. Por dua të theksoj që në fillim se përparësi këtë vit të ri shkollor, ne i kemi dhënë gjithëpërfshirjes së nxënësve në këtë “Mbrëmje gala”. Gjithashtu, krejtësisht e veçantë madje mund të them një risi e këtij viti ka qenë edhe kostumografia, me elementët e saj por dhe repertori i zgjedhur i mbrëmjes. Konkretisht ishin përzgjedhur, si të thuash perlat e repertorit botëror”- është shprehur për gazetën drejtoresha e kësaj shkolle Blerina Arbana, njëkohësisht udhëheqëse artistike e mbrëmjes gala. Më tej ajo ka vijuar duke falënderuar të gjithë pedagogët për punën e tyre dhe duke theksuar edhe një herë punën që shkolla bën për promovimin e talenteve të reja, përmes organizimeve të ndryshme artistike. “Në çdo vit shkollor dihet që ekziston një trinom i rëndësishëm, që përbëhet nga puna e ndërsjellë mes nxënësit, pedagogut dhe drejtorisë. E në këtë drejtim mund të theksoj se për këtë mbrëmje gala kanë punuar pedagogët më të mirë që ka shkolla dhe ajo çka është më e mira që ne bëjmë për nxënësit e shkollës është se ne, u krijojmë atyre mundësi për të shkelur skenën, pasi dashje pa dashje njeriu duhet të provojë veten e vet. Me krenari dua të them se shumë nxënës nga shkolla jonë janë sot lider të baletit në skenat evropiane dhe kanë debutuar me sukses në çdo skenë”- ka vijuar Blerina Arbana. Gjithashtu ajo ka veçuar një tjetër veçanti tepër të rëndësishme, që shkolla e baletit ka futur së fundmi si pjesë të programit të saj. bëhet fjalë për baletin kontemporan. Është konkretisht, pedagogia Anila Vasjari e cila e ushtron këtë lloj zhanri në këtë shkollë. E ndërkohë që 50-vjetori i themelimit të Shkollës së Baletit u festua në skenën e madhe të Teatrit të Operës dhe Baletit vetëm tre vite më parë dhe festimi i kësaj dite të veçantë u bë me nderime të figurave të njohura të kësaj shkolle që për 50 vite edukuan dhe krijuan talente të artit në Shqipëri. Pjesë e kësaj shkolle është një plejadë e artistëve që i dha vepra të shkëlqyera baletit shqiptar. Ky është një prej atyre përvjetorëve që u festua me madhështi nga kjo shkollë dhe galaja e kësaj mbrëmjeje ishte dhe shprehja më e mirë e asaj çka nxënës dhe mësues arrijnë në këtë shkollë, e cila gjatë këtyre 50 viteve ka nxjerrë emra të talentuar balerinësh dhe një pjesë e tyre janë të vlerësuar dhe në skenat botërore. Shkolla e Baletit në vendin tonë u themelua në vitin 1957. Festimi i 50-vjetorit solli një atmosferë të këndshme në skenën shqiptare me balerinët e kësaj shkolle. Është për të ardhur mirë që kjo traditë dhe eksperiencë po njihet sot dhe nëpër botë. Djemtë dhe vajzat tona si Klejdi Kadiu, Anbeta Toromani etj, janë shembull të asaj që shkolla jonë shqiptare ka arritur në botë. “E ndërkohë që vitin e ardhshëm do të organizohen dy koncerte, një koncert në fund të vitit me baletin “Arrëthyesi”. Mund të them se ndihem e kënaqur për suksesin e kësaj mbrëmje gala, pasi puna ka qenë e ndarë dhe çdokush ka marrë përgjegjësitë e veta. Kur është një punë sistematike me një disiplinë artistike e një përgjegjshmëri profesionale si nga pedagogu ashtu dhe nga nxënësi, suksesi do të jetë dhe te publiku”- ka përfunduar drejtoresha Arbana.
Amfiteatri i Apolonisë dëmtohet rëndë
Amfiteatri në odeonin kryesor të qytetit antik të Apolonisë në Fier është dëmtuar rëndë. Aktiviteti i fundit, i organizuar në parkun arkeologjik “Shqipëria është kulturë”, në të cilin kanë qenë pjesëmarrës shumë të rinj, ka përkeqësuar gjendjen e amfiteatrit.
Disa muaj më parë ishte folur për një ndërhyrje të domosdoshme në këtë amfiteatër si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Mbingarkesa me pjesëmarrës ka sjellë shkatërrimin dhe dëmtimin e rëndë të shkallëve dhe gurëve të ndryshëm në këtë pjesë të qytetit të lashtë. Gjithashtu, rezulton e shkatërruar një pjesë e mirë e amfiteatrit, por edhe e murit të tullave të kolonave përreth agonotekëve. Specialisti i parkut kombëtar arkeologjik “Apolonia”, Admir Xhela, ngre shqetësimin e sipërcituar. “Dëmtimet janë në shkallare e po ashtu edhe në murin rrethues të odeonit. Një pjesë e tullave janë zhvendosur dhe janë shkulur nga vendi i mëparshëm”, shprehet Xhela. Sipas tij, që më parë mes organizatorëve të aktivitetit dhe parkut, është bërë një kontratë për dëmtimet e mundshme dhe dëmshpërblimet për punën restauruese që duhet të bëhet më pas. “Sipas marrëveshjes me organizatorët e spektaklit dhe aktivitetit, në bazë të kontratës ata duhet të zhdëmtojnë të gjitha ndërhyrjet dhe dëmet”, ka thënë më tej specialisti i parkut, Admir Xhelaj. Sipas tij, organizatorët e aktivitetit “Shqipëria është kulturë” e kanë marrë përsipër procesin e njohjes së dëmit. “Specialistët kanë kërkuar restaurim të pjesëve të dëmtuara dhe pritet që shumë shpejt të realizohet një gjë e tillë”, përfundon ai. Në kontratën midis parkut arkeologjik dhe organizatorëve të aktivitetit kulturor është parashikuar edhe restaurimi i vlerave të dëmtuara, por në këtë sezon turistik të filluar ende nuk dihet data dhe dita e fillimit të restaurimeve të të gjitha dëmtimeve që janë të dukshme sot afro 10 ditë pas mbylljes së aktivitetit “Shqipëria është Kulturë”.
21 maji, Dita Botërore e Diversitetit Kulturor
Dita Botërore e Diversitetit Kulturor festohet praktikisht në gjithë botën, që nga nëntori 2001, muaj në të cilin Asambleja e Përgjithshme e Deklaratës Universale të UNESCO-s mbi Diversitetin Kulturor, në një nga Rezolutat e saj shpalli 21 Majin si dita në të cilën festohet dhe reflektohet mbi vlerat diversitetit kulturor dhe ‘të jetuarit së bashku”. Përmes kësaj dite UNESCO dhe vendet anëtare të saj, vazhdojnë të promovojnë rritjen e ndërgjegjësimit për marrëdhëniet mes kulturës dhe zhvillimit ekonomik të një vendi si dhe rolin e teknologjive të komunikimit në këto marrëdhënie. Deklarata e mësipërme, shihet si instrumenti ligjor i parë, që e sheh diversitetin kulturor si “Trashëgiminë e përbashkët të njerëzimit”, dhe e konsideron ruajtjen e saj si një imperativë konkretet dhe etike të pandashme nga respekti për dinjitetin njerëzor. Ndërsa bota e djeshme e kishte vënë theksin në ndryshimet e saj, zhvillimet e sotme janë drejt unifikimit dhe te shkuarit drejt një drejtimi. Për të theksuar karakterin fundamental të identitetit tonë kolektiv dhe individual, kultura është mjeti i pashoq për ta përcjellë në mënyrën e duhur këtë mesazh. Kjo ditë përkon edhe me shpalljen e vitit 2010 si viti i Përafrimit të Kulturave. Aktiviteti që zhvillohet në Shqipëri, i pari i këtij lloji, synon të promovojë lidhjen mes Konventës së Diversitetit Kulturor dhe trashëgimisë shpirtërore shqiptare,duke risjellë edhe një herë atë që shprehet në Konventën e kësaj të fundit : Trashëgimia shpirtërore, e transmetuar nga një brez në tjetrin, rikrijohet vazhdimisht nga komunitetet dhe grupet si përgjigje e gjenisë së tyre krijuese ndaj mjedisit rrethues, ndërveprimit te tyre me natyrën dhe historinë, dhe u jep një sens të vazhdimësisë dhe identitetit, duke promovuar kështu respektin për diversitetin kulturor dhe kreativitetin njerëzor. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me rastin e kësaj dite, organizon promovimin e librit të financuar me fondet e saj “Agoj“ – Album pianistik mbi motive popullore shqiptare” duke krijuar kështu edhe ndërlidhjen mes edukimit dhe arsimimit të brezit të ri me vlerat e krijuara gjatë kohërave nga grupe dhe individë të ndryshëm, në shprehje të identitetit të tyre kulturor, duke afirmuar edhe një herë rolin unik të trashëgimisë kulturore në forcimin e lidhjeve antropologjike, kulturore, sociale dhe historike të shoqërive. Ky botim i paraprin një sërë masave ligjore që MTKRS po ndërmerr në zbatim të Konventës së Diversitetit të Shprehive Kulturore, shtet anëtar i së cilës Shqipëria që në nëntor të vitit 2006.
20 Maj 2010