Maradona zbulon listën, incident me kameramanin
BUENOS AIRES- Trajneri i Argjentinës Diego Armando Maradona bëri të ditur listën me 23 futbollistë që do të grumbullojë në Botërorin e Afrikës së Jugut, ku bie në sy lënia jashtë e lojtarit të Napolit Laveci dhe thirrja si portier i tretë e Diego Pocos. Por, edhe ky moment i shpalljes së listës përfundimtare nuk u shpëtoi gafave të zakonshme të Maradonës. Ai donte të ndalonte makinën për të folur me gazetarët, por gjatë këtij momenti shtypi një nga kameramanët që po filmonin në pjesën e poshtme të këmbës. Maradona doli menjëherë nga makina dhe iu drejtua kameramanit duke sharë: “çfarë idioti që je? Si mund të fusësh këmbën aty ku do të kalojë makina?”. Në vendngjarje shkuan menjëherë punonjësit e ndihmës së shpejtë, që morën kameramanin e goditur, megjithatë ai nuk ka patur dëmtime të rënda. Në vendin e goditjes nuk munguan as forcat e policisë, por gjithçka ka kaluar qetësisht. Maradona më pas zbuloi listën, që përfshin 23 futbollistët e thirrur për në Botëror. Ajo që i ka habitur të gjithë në Argjentinë është lënia jashtë e dy lojtarëve të Interit Kambiaso e Zaneti, ndërkohë që në sulm Maradona ka konfirmuar prezencën e Diego Militos, që ishte në dyshim. Argjentina është një nga 5 favoritet e mëdha për fitimin e Botërorit të Afrikës së Jugut, duke patur në skuadër disa prej futbollistëve më të mirë të planetit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)