Talentja e Kosovës
Edhe pse është shumë e re, Edona Vatovci ka arritur një sukses të madh në edicionin e fundit të Albanian Got Talent.
Ajo është vlerësuar nga kritikë të ndryshëm të muzikës. Ata e kanë vlerësuar se si ajo ka zërin e bukur dhe paraqitjen e bukur. Ndërkaq, tani pas përfundimit të këtij edicioni, Edona Vatovci thotë se më muzikë ka filluar të merret qëkurse kishte 8 vjet dhe për këtë në fillim kishte punuar shumë, por jo edhe tani.
Ndërkaq, tani ajo rri në Prishtinë dhe thotë se aventura në AGT ka qenë shumë interesante për të.
“E tëra kishte filluar kur kam qenë në klasën e dytë, kur edhe kam filluar që të luaj në piano. Me punë kam rritur të tregoj talentin tim. Në këtë aspekt me ka mësuar shumë edhe mësuesja e ime Iliriana dhe babi im, që është po ashtu një muzikant”, thotë ajo në një bisedë të shkurtër për Express.
Pas kësaj kishte pritur pak dhe më të parë konkursin e Top Channel se do të fillojë Albanians Got Talent, ajo nuk kishte hezituar dhe kishte marrë pjesë në konkurs.
“Me të dëgjuar për audicionin, kam biseduar me babin dhe kam shkuar atje. Babi ka pranuar dhe me ka ndihmuar shumë në këtë aspekt. Për mua ishte një përvojë emocionuese të marrësh pjesë në një festival të këtillë”.
Sipas Vatovcit, më parë ajo nuk kishte kënduar para një publiku të madh, por vetëm në dhomë vetëm, madje pa prindërit e saj.
“Pra, ishte emocionuese sepse ishte hera e parë që këndoja para publikut. Nuk e kisha një përvojë të këtillë, por pasi kam dalë për herë të parë kam ndjekur instinktin dhe ngadalë besoj se ia kam arritur që ta bëj atë edhe për veti”, thotë këngëtarja e re.
Edhe pse e sprovuar disa herë para këtij publiku, ajo thotë se është vetëkritike dhe shpesh është nervozuar kur ka gabuar në ndonjë notë. “Megjithatë e kam vazhduar këngën”.
Sa i përket jurisë, Edona thotë se i kanë ndihmuar shumë, ndërkaq përpos votës së publiku edhe ata e kanë pasur pjesën e tyre. “Ata kanë qenë shumë profesionalë dhe gjithmonë e kam ndjekur këshillën e tyre dhe kjo gjë më ka ndihmuar shumë.
Ajo thotë se nuk ka ndier presion, pavarësisht se ka kënduar këngë që vështirë mund t’i këndojë apo imitojë edhe një këngëtar profesionist, siç është kënga “Paparazzi” e Lady GaGa.
“Kënga e Lady GaGa është e vërtetë që është cilësuar si njëra prej këngëve më të mira që unë i kam interpretuar. Por, vendimi për ta kënduar atë ka qenë spontan. Nuk kam menduar shumë, e kam ditur tekstin dhe për mua nuk ka qenë shumë e vështirë për ta kënduar. Ajo është një këngë shumë e njohur, por jo e paarritshme për t’u interpretuar”, thotë talentja e Kosovës.
Për të ardhmen, Edona thotë se ende nuk ka vendosur, por do të këndojë më shumë muzikë pop.
“Sepse është një zhanër që do të me ndihmojë shumë, por normalisht nuk do të lë pas edhe përzierjen në ndonjë zhanër tjetër pasi që e kam sprovuar veten atje shumë”, thotë ajo.
Megjithatë, Edona thotë se të ardhmen e saj e sheh më shumë si një këngëtare, por jo në Fakultetin e Muzikës, pasi që thotë se mendon të studiojë diçka tjetër, pra jo muzikën.