Mbeturinat ndotin rëndë liqenin e Fierzës
Ujërat e Liqenit të Fierzës janë ndotur me kimikate. Kjo rezulton të ketë ndodhur prej mëse një jave, ndërkohë që banorët shfaqen tepër të shqetësuar sepse rrezikohet ndotja totale e liqenit. Specilalistët e higjenës që kanë bërë kontrollet e para thone se ky problem ka ardhur vetëm prej derdhjes së kimikateve edhe nga derdhja e mallrave plastike dhe mbeturinave të skaduara farmaceutike. Përgjegjësit e Ispektoriatit të Shëndetit publik në qarkun e Kukësit kanë venë në dukje se sasia e mbeturinave mund të kthehet në rrezik edhe për banorët e zonës, krahas rrezikut që kanë krijuar tashmë për dëmtimin e florës dhe faunës. Ata e kanë cilësuar situatën alarmante dhe kanë kërkuar dizinfektimin e brigjeve të liqenit. Analizat e ujit të marrë nga liqeni kanë treguar se shkalla e ndotjes është e lartë dhe me pasoja për shëndetin e njerëzve. Pjesa më e madhe e ndotjes në ujërat e liqenit të Fierzës që lag territoret e Kukësit, Hasit, Tropojës dhe Pukës, vjen përmes lumit Drin i Zi, në të cilin derdhen shumë mbetje industriale nga Kosova.