E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, del për të blerë bukë, qëllohet me armë 32-vjeçari

 

VLORE - Del nga shtëpia për të blerë bukë, qëllohet me armë. Sipas policisë, Adnan Shehu është qëlluar me dy plumba para pallatit ku ai banonte në Vlorë. Një person ende i paidentifikuar i është afruar dhe pasi qëlloi ndaj tij u largua pa lënë asnjë gjurmë. Persona të rastësishëm që e gjetën viktimën të plagosur, në afërsi të tregut të madh, e çuan në spital me një taksi të rastit. Në vendin e ngjarjes mbërriti policia, e cila gjeti edhe gëzhojat e armës. Specialistët pohuan se ato janë më të vogla se të pistoletave të zakonshme, por ende nuk është përcaktuar lloji i armës. Me të mbërritur në spitalin rajonal, 32–vjeçari i është nënshtruar një operacioni. Mjekët bënë të ditur se i riu kishte marrë dy plumba në trup, njëri prej të cilëve në kraharor. Pas operacionit, mësohet se Shehu ndodhet jashtë rrezikut, ndërsa grupi i hetimit e mori në pyetje atë për të zbardhur autorët dhe motivin e kësaj ngjarjeje. Sipas burimeve, mësohet se i plagosuri ka mohuar të ketë pasur konflikte me persona. Ai nuk ka dhënë asnjë dyshim të tijin në lidhje me këtë ngjarje, duke mos ndihmuar as policinë në hetimet e saj. “Dola për të blerë bukë. Një person mu afrua dhe më qëlloi. Nuk e njihja. Rashë përtokë dhe nuk mbaj mend asgjë”. Kështu mësohet të jetë shprehur i plagosuri për grupin e hetimit. Kjo e fundit në sajë të të dhënave të siguruara pas ngjarjes mësoi se i riu ditët e fundit kishte qenë në tension të vazhdueshëm për shkaqe që po hetohen.     q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›