“Tani është koha që palët të arrijnë një marrëveshje”
Ambasadori i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosch
Në kushtet kur Partia Demokratike dhe ajo Socialiste organizuan një tryezë të dytë takimi, komuniteti ndërkombëtar është në pritje të gjetjes së një zgjidhje brenda kuadrit të lejuar ligjor dhe në përputhje me atributet e Kushtetutës. I këtij mendimi është ambasadori i OSBE Robert Bosch, i cili ka deklaruar dje nga qyteti i Korçës se e sheh me pozitivistet takimin mes Astrit Patozit dhe Gramoz Ruçit.
“Tani është koha që dy palët të arrijnë në një marrëveshje të pranueshme dhe sa më të shpejtë. është shumë mirë që të dy palët po negociojnë me njëri tjetrin dhe shpresojmë se do të arrijnë në një marrëveshje e cila do të jetë e pranueshme nga të dyja palët. është koha për kompromis”, u shpreh ambasadori i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch.
Lidhur me një kohëzgjatje të mundshme të negociatave mes palëve për arritjen e një kompromisi, Bosch tha se do të donte që këto të mbylleshin sa më shpejt.
“Ky është një zhvillim pozitiv. Më në fund po shikojmë se dy partitë politike po merren me gjëra substanciale. Ne e përgëzojmë nisjen e negociatave dhe urojmë e shpresojmë në gjetjen e një zgjidhjeje, e cila nuk duhet të vonojë”, tha më tej kreu i OSBE-së në Tiranë.