E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zgjedhjet do të jenë të ndershme dhe të lira - do të njoh çdo rezultat ndërkombëtarisht të certifikuar”

06-05-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha flet tre ditë para zgjedhjeve, për emisionin “Opinion”  në TV “Klan”

“Ka disa elementë shqetësues, një pikëpamje që ekziston se zoti Rama do të bojkotojë zgjedhjet për shkak të rezultatit që nuk e ka, etj. Por unë nuk jam i prirur t’i besoj këto. Unë kam prirjen të besoj plotësisht në përgjegjësinë dhe integritetin e komisionerëve të të gjitha forcave politike. Kam besimin se do t’i përmbahen ligjin. Nuk besoj se opozita do të ripërsërisë atë që bëri në vitin 1996, se do të ishte një kthim pas”

Përse kryebashkiaku i Tiranës, do t’i adresohet edhe votuesve të PD-së në Kavajë, në Shkodër, në Korçë dhe në qytete të tjera?
Këtë pyetje fatkeqësisht nuk do të mund t’ia shtroni dot atij. Sepse ai ka zgjedhur lugën e artë në Bashkinë e Tiranës, peshkun e artë në krye të PS-së, ëndrrën e artë në karrigen time. Po mesa duket këto zgjedhje do t’i rezervojnë atij një fund të ri.

Zoti Berisha, keni 20 vjet që bëni fushata, ky është viti i 21-të, a ndjeheni i lodhur?
Unë ndjehem 20 herë më i përtërirë. Fushata për mua është libri më i bukur, i kam 15 vëllime aty, ky është vëllimi i 16-të. Është një festival i vërtetë. Është një fillim i ri për mua, çdo fushatë. Pas dy vitesh do të kem fillim të ri prapë.

Si ka qenë kjo fushatë krahasuar me të tjerat?
Më e bukura. Ka disa risi, ju përmbajtja deklaratës për një fushatë në dietë. Fushatë në të cilën, edhe kryeministri i vendit përdori një mjet të marrë me qira. Mbi shpatullat e taksapaguesve, kushtoi shumë më pak. Kjo është një fushatë, në të cilën qytetari, më shumë se kurrë u vu në epiqendër. Ne flisnim për qytetin, zoti Rama fliste për fajin e Berishës. Më në fund ai u rikthye dhe u kujtua se ka qytet, ka projekte, ka zhvillime. Fushata ka një dimension interesant, atë dixhital. Në fushatën e kaluar, në vitin 2009 i vura vetes qëllim të zhvilloj fushatën elektronike. Morra një këshilltar i grupit të Presidentit Obama, nga Florida. Nuk ishte ndër kryesorët por ishte përgjegjës për fushatën dixhitale dhe e zhvilluam shumë mirë. Në këtë fushatë ka një risi pozitive, Facebooku. Është mënyra më sociale e komunikimit. Fakti që për qytetarin e parë të Tiranës, u angazhuan në Facebook mbi 250.000 nga të cilët sipas qendrës së statistikës së kësaj faqeje në Amerikë, 136.000 janë në Tiranë.

Opozita tha se janë të blerë?
Të vetmen gjë që nuk mund ta bësh kurrë. Nuk e blen dot një njeri në Facebook.

Nëse 130.000 veta janë në Tiranë, atëherë ju i paskeni fituar zgjedhjet?
Nuk besoj të ketë fëmijë në klasë të 5 e sipër që nuk janë në Facebook. Por këta janë individë me një influencë të fuqishme në familje. Nuk ka asnjë lajm më pozitiv për Lulzim Bashën, se sa në familje të thotë djali ose vajza se komunikova me Lulzim Bashën.

Zakonisht të rinjtë janë shquar gjithnjë si fansa të Ramës?
Asnjëherë. Po të them një shkrim të një prej organeve më serioze në botë “The Ekonomist”. Pas zgjedhjeve të 2009 thotë: Ndonëse është 20 vjet më i ri se Berisha, ajo që është e paimagjinueshme për të, është se Berisha pati mbështetje 17 për qind më tepër se Rama. Rama as nuk i ka pasur, as nuk i ka dhe as nuk do t’i ketë të rinjtë me vete. Rama nuk mund t’i ketë, sepse ai është arrogant. Të rinjtë arrogancën nuk e pranojnë kurrë.

E për se do të jetë fans i Lulzim Bashës një i ri?
Sepse i ka bindur ata se do të punojë për Tiranën e ëndrrës së tyre. I ka bindur. Ata kanë besim sepse kanë një ëndërr për Tiranën.

Zoti Rama tha se do të hapë 300.000 vende pune në vitet e ardhshme?
Tani kuptova se kur Fatos Nano bëri fushatën në vitin 2005, deklaroi se do të krijojë 200.000 vende pune, ia paska dhënë Rama, se paska mani për statistika ky. Ka dy muaj që u thotë shqiptarëve, se ka 1 milion të papunë si Ramiz Alia, tani thotë se do hapë 300.000 vende pune. Nesër prit kur të thotë 500 mijë. Ka një shprehje që thotë, po më gënjeve një herë fajin e ke ti se të besova, por po më gënjeve për së dyti..., shqiptarët nuk e besojnë më.

Sa vendimtarë do të jeni ju në fitoren apo humbjen e zotit Basha?
Në fitoren apo humbjen e zotit Basha, natyrisht përcaktuese do të jetë vetë Tirana. Mendoj, se zoti Basha kandidon si zyrtari më i kompletuar në historinë e këtij kryeqyteti. Ka një pasaportë të shkëlqyer në investimet publike, në marrëdhëniet ndërkombëtare, në Ministrinë e Brendshme.

Kishte dhe një pasaportë gabim në një akt noterial?
Ja ku ra Rama! Bëri flamur të fushatës së tij, lapsusin e një noteri holandez. Ajo dukej që ishte një lapsus.

Ka dy kontradikta në programin e PD-së, zoti Basha ka thënë se sapo të zgjidhet do të ketë moratorium për ndërtimet në Tiranë, sa të bëhet plani urbanistik, ndërsa ju keni ftuar Komunitetin Mysliman të ndërtojë një xhami te Namazgjaja, një lulishte nga të paktat në kryeqytet. A nuk është një kontradiktë?
Historiku i xhamisë në Namazgja është disavjeçar. Zoti Rama, me një farsë elektorale të gabuar, shpalli se do e ndërtojë xhaminë, aty ku janë pronarë 80 familje dhe për shkak të mospërputhjes mes tyre ne e mbyllëm, e bëmë lulishte dhe kaq. Tani, zoti Rama, bëri një akt shumë të rëndë. Për ata që njohin besimin Islam, e dinë që dy porositë e fundit të profetit janë, unë jam vdekatar dhe mos prek pronën e tjetrit. Që të dalësh në fushatë e tu thuash myslimanëve që do të ndërtojë xhaminë, duke grabitur pronën, e të dalin pronarët të kundërshtojnë, kjo është e rëndë. E bën vetëm për të marrë vota, por vetëm humbet vota. Asgjë nuk ndërtohet në pronën e grabitur. Rama u ka marrë myslimanëve 1 000 m2 tek Namazgjaja dhe ne ia kompensuam.

A mund të negociohet me Komunitetin që të gjendet një vend tjetër?
Edhe kjo mund të bëhet. Xhamia do të ndërtohet, por jo në prona të grabitura.

Ju keni zhvilluar takime së fundmi me ambasadorët ndërkombëtarë në vendin tonë, cili ishte shqetësimi i tyre?
Ata erdhën me kërkesën time.

Ka një shqetësim se mund të ketë një prishje të procesit të votimit për arsye të tërheqjes së komisionerëve të opozitës, ditën e zgjedhjeve. A i druheni kësaj?
Ka disa elementë shqetësues, një pikëpamje që ekziston se zoti Rama do të bojkotojë zgjedhjet për shkak të rezultatit që nuk e ka, etj. Por unë nuk jam i prirur t’i besoj këto. Unë kam prirjen të besoj plotësisht në përgjegjësinë dhe integritetin e komisionerëve të të gjitha forcave politike. Kam besimin se do t’i përmbahen ligjin. Nuk besoj se opozita do të ripërsërisë atë që bëri në vitin 1996, se do të ishte një kthim pas.

A jeni të vendosur të zhvilloni zgjedhje të lira, të ndershme, të drejta?
Absolutisht, më i vendosur se kurrë. Zgjedhje të ndershme, të drejta dhe të paanshme ishin ato të vitit 2009, ku askush nuk vuri në diskutim rezultatin dhe ligjshmërinë e institucioneve. Por këto zgjedhje, do të kenë përmirësime të tjera, kanë ligjin e financimit të partive politike, kanë qëndrimin e ri të administratës ndaj zgjedhjeve, të shpenzimeve, kanë risi pozitive në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Jam i prirur të respektoj çdo votë, të njoh çdo rezultat ndërkombëtarisht të certifikuar.

Po nëse kundërshtari juaj nuk i njeh zgjedhjet?
Ky nuk është problem i kryeministrit, por i raportit personal të tij me qytetarin shqiptar. E vetmja gjë që unë nuk mund të zgjidh është ky raport. Zoti Rama kundërshtoi një proces që më vonë u deklarua nga faktori ndërkombëtar si procesi më i saktë në botë, ai i numërimit të votave në vitin 2009.

Kush do t’i certifikojë këto zgjedhje?
Zgjedhjet certifikohen nga faktori ndërkombëtar, OSBE/ODIHR.

Ju do të njihni çdo rezultat të certifikuar nga OSBE/ODIHR?
Pa diskutim. Nuk vihet në dyshim. Nuk mund të ndodhë në një vend të qytetëruar të thërrasësh arbitrin dhe t’i thuash jo më pas.

A do të aplikohet standardi i kutive të hapura në këto zgjedhje?
Standardet ekzistuese janë standarde ndërkombëtare, dhe përveç kësaj janë miratuar me konsensus të plotë të dy forcave politike.

Çdo të ndodhë dhe çfarë dëmi ka Shqipëria në integrimin e vendit, nëse këto zgjedhje nuk funksionojnë normalisht?
Së pari, duhet t’i ndajmë çështjet. Kapitalet për zgjedhjet në vend është që përfaqësuesit e mazhorancës të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe Kodin Zgjedhor. Kjo do të thotë, që çfarëdo që të ndodhë, e marrim sikur të gjithë komisionerët socialistë të largohen, zgjedhjet komprometohen nëse komisionerët e mazhorancës do të përfitojnë nga kjo dhe do t’i hapin rrugë abuzivitetit. Zgjedhjet ruajnë integritetin e tyre në qoftë se çdo komisioner i qëndron ligjit dhe e konsideron veten jo vetëm si komisioner politik por përfaqësues të qytetarëve para ligjit. Në këtë rast, garantoj unë, zgjedhjet nuk mund të dëmtohen. Kam besim të plotë, sepse unë nuk kam arsye të dyshoj në 20 mijë komisionerë socialistë, se ata kanë dëshmuar veten plotësisht si qytetarë të përgjegjshëm para ligjit dhe jam i bindur se në këto zgjedhje sërish do ta dëshmojnë këtë, sepse ata njëlloj si kolegët e tyre në komisione, janë të interesuar të kontribuojnë për integrimin e vendit.

Ka pasur një premtim të zotit Basha, sipas të cilit, ndërtimet e aprovuara nga ju dhe zoti Rama për tu ndërtuar pranë Liqenit Artificial, nuk do të ndërtohen sa kohë të jetë ai kryetar i bashkisë së Tiranës. A i qëndroni ju këtij vendimi?
I qëndroj plotësisht në këtë kuptim. E theksoj se nuk është kurrë kryeministri, administrator i territorit të bashkive apo komunave. Janë qeveritë vendore dhe kryetarët e bashkive dhe komunave. Nuk kam ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyj, sepse në qoftë se kryeministri si kryetar i KKRRT, merr përsipër probleme të administrimit të territorit, ai duhet të lërë detyrën e kryeministrit. Jo vetëm zotit Basha, por edhe kryetarëve të tjerë u bëj të ditur, se kryeministri do të pranojë dhe do të zbatojë propozimet e tyre që bëhen në përputhje me ligjet. Kryeministri pas këtyre zgjedhjeve, do të ndërmarrë hapa të tjerë të rëndësishëm në drejtim të decentralizimit të pushtetit vendor. Me bindjen se është një kusht i rëndësishëm për konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë. Garantoj që pas zgjedhjeve, një paketë e re fiskale që u bllokua nga zoti Rama në mënyrë të gabuar, do të kalojë dhe do të plotësohet. Do të bëjmë gjithçka që bashkitë të bëjnë financat e tyre fizibël, që të mund të marrin kredi nga institucionet ndërkombëtare. Një nga vendimet e para pas ardhjes në pushtet në 2005, ka qenë deklarimi i partneritetit midis qeverisë qendrore dhe vendore. Ka pasur tre efekte. Ndër to ishte, që nëse granti për pushtetin vendor u gjet 7 miliardë lekë, sot është 35 miliardë lekë. Tirana sot është 3 ose 4 herë më e madhe se 20 vjet më parë. Është fatkeqësi absolute, kur kujton se gjatë diktaturës ishte më e decentralizuar se sot. Nuk ndodhte kurrë që të shkoje te Komiteti Qendror, për të lëvizur një gozhdë, një mur. E merrje në lagje. Sot Tirana është i vetmi kryeqytet në botë, kur për të lëvizur një derë, vendos kreu i bashkisë. Zoti Basha është shprehur për decentralizim të qenësishëm. Qeveria do të përgatisë një akt të dytë të rëndësishëm të decentralizimit të pushtetit vendor.

Çfarë do të ndryshohet në luftën e papunësisë?
Në ekspozenë e parë të programit, zoti Basha shpalli luftën ndaj papunësisë, si objektiv madhor. Të shumtë e quajtën spekulim, por e vërteta është se askush nuk ka të bëjë më shumë dhe nuk ka mundësi më të mëdha për punësimin se sa kryetarët e bashkive. Janë shumë më të mëdha se sa qeveria vendore. Ata që kanë të gjitha mundësitë për të intensifikuar, shndërruar bashkitë dhe komunat e tyre në zona tërheqëse për investime, janë qeveritarët vendorë. Kryetari i bashkisë duke thithur investime mund të krijojë vende pune më shumë se kushdo tjetër. Këto zgjedhje janë për të zgjidhur problemet e qytetarëve dhe për të ndërtuar një të ardhme tjetër. Të flasë sot kreu i bashkisë për ulje taksash, kur i ka katërfishuar ato, është cinizëm maksimal. Çfarë e pengon kryetarin e bashkisë, të japë me koncesion zonën rekreative të lumit të Tiranës. Kryetari i bashkisë duhet të çlirohet me shpejtësi të rrufeshme nga leja e ndërtimit. Një letër që të bën milioner. Qytetin e bën betoni. Bashkia e Tiranës, është i vetmi institucion në botë që nuk merr dot kredi nga institucionet ndërkombëtare, për shkak të financave të kolapsuara që ka. Zoti Basha do të shëndoshë financat, do të marrë kredi dhe do të hapë punë publike. Me të do të hapet një kapitull i ri, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë diskriminim në asnjë rast. Qytet që kanë marrë më shumë të ardhura janë ato të drejtuara nga socialistët.

Si e vlerësoni situatën parazgjedhore?
Në tërësi incidentet janë aspekt i shëmtuar. Fushata vetë po more parasysh fjalimet dhe paraqitjet, manifestimet, tubimet, mendoj se ka qenë e mirë. Ka qenë më pozitive se fushatat e tjera. Aspekt i papranueshëm për mua ka qenë aspekti mediatik sepse nuk e mendoja se do të bllokohen debatet midis kandidatëve, që janë jashtëzakonisht të domosdoshme në mediat kombëtare. Kjo është e dëmshme, që shpresoj të mos përsëritet më. Nuk duhen pasur frikë debatet, sepse mund të humbasësh debatet por zgjedhjet mund ti fitosh, është e faktuar kjo.

Akuzoheni nga PS se nuk keni dhënë kontribut si qeveri për shpronësimin e tokës ku do të ndërtohet Unaza e Madhe. Çfarë kontributi do të jepni ju si qeveri në këtë proces, me zgjedhjen e zotit Basha? Po për hipotekimin e pallateve?
Unaza është bllokuar nga zoti Rama. Në udhëtimin tim në vitin 2006 në Londër, në Bankën Evropiane për Zhvillim, një nga kërkesat që kam bërë, ka qenë financimi për Unazën e madhe. Ajo u pëlqye, u vlerësua u miratua. Ndodhi që Rama, duke qenë edhe për kryetar bashkie edhe për kryeministër, nuk i vinte për shtat që të uleshim dhe të vendosnim bashkërisht. Ai kërkonte që të gjithë autoritetin për ndërtimin e unazës, ta kishte ai. Por autoritetin se kishte të gjithin ai. I thashë të krijojmë një grup të përbashkët, nuk pranoi. Një segment i shkurtër, as 200-300 m për t’u shpronësuar tek INSIG-u, dakord u shpreha dhe i dhashë fjalën. Zotëria, donte të merrte të gjithë këtë trase, 6 korsi të rrugës midis ish estradës dhe muzeut kombëtar, t’i zinte dy si një grykë shisheje, sepse ishte pallati i një miku të tij. Aty i thashë jo. Ose hape me 6 korsi siç e pranoi Banka Botërore. Ndaj nuk e bëri. Edhe zoti Basha të më thotë tani, atë nuk e bëj. Ramës nuk i është penguar asnjë projekt nga qeveria, por ai i kishte zgjidhje të veta. E kam dëgjuar gjithë këto kohë se e ka penguar qeveria, po kush e pengoi të kishte financa publike fizibël për të marrë kredi? Se qeveria se pengon dot këtu.

Përse për dy vjet rresht janë penguar lejet e ndërtimit në Tiranë?
Shkakun e vërtetë nuk e di se është atribut tërësisht i kryetarit të bashkisë, sepse ka pasur edhe shumicën në Këshillin e Rregullimit të Territorit. E sigurt që pas, qëndrojnë interesa klienteliste. Qeveria nuk ka asnjë lidhje me lejet e ndërtimit në kryeqytet.

Ka disa zona që varen nga qeveria, zona muzeale besoj?
Zona muzeale ka pasur vetëm sheshin piramidë. Aty po vazhdohen punimet, nuk kundërshtojmë asgjë veç piramidës. Duhet të shkëputemi nga rrjeti i mortit. Piramidat janë arkitektura e ritit të mortit. Edhe faraonët nuk i ndërtuan në qendër të qytetit, por anash. Ky kërkon monumentin e mortin në qendër të qytetit. Instituti e ka penguar. Qeveria nuk e pranon piramidën.

A mendoni se bashkia ka vështirësi të marrë kredi, se ka pasur konflikte për planet rregulluese të bashkisë së Tiranës?
Plani urban është një nga dështimet më spektakolare të kreut aktual të bashkisë. Kushtetuta e një qyteti është plani urban. Rama kur erdhi si kryetar bashkie, e injoroi një plan të hartuar nga austriakët për Tiranën e madhe. Premtoi planin urban të Tiranës, që edhe sot e kësaj dite nuk e ka. Nuk e ka jo se ai nuk mund të ndërtohej se për 10 vjet mund të hartohej të paktën 5 herë, po se ai nuk të lejon më të shfrytëzosh lejet e ndërtimit si lugën e artë. Se po u bë plani urban, leja e ndërtimit është proces automatik. Ai sot e kësaj dite e ka në sirtar. Plani nuk ka lidhje në këtë mes me qeverinë, e ka futur ai në sirtar. Jam i bindur se kryetari i ardhshëm i bashkisë së Tiranës, do e trajtojë këtë problem me seriozitetin më të madh. Rama e bllokoi këtë plan për 11 vjet, Basha deklaroi se do e bëjë realitet për 1 vit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›