E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-të përndjekurit gjejnë tek Lulzim Basha, alternativën më të besueshme për aspiratën tyre

06-05-2011 / Intervistoi: Eden Babani

Intervistë me Z. Reshat Kripa, Kryetar i Degës së Tiranës, i Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë
 
Gazeta 55: Ju jeni Kryetar i degës së Tiranës i Shoqatës Antikomuniste të ish-të përndjekurve Politikë. Çfarë përfaqëson dega juaj?
Reshat Kripa: Dega e Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës e zhvillon aktivitetin e saj mbështetur në statutin dhe vendimet e kuvendeve të Shoqatës. Lidhur me këtë, në nenin 5 të statutit thuhet: “Shoqata, për vetë natyrën e saj sociale dhe përbërjen heterogjene ideore nuk merr përsipër detyrat e partive politike dhe nuk ka synime për pushtet”.
Ne i qëndrojmë rigorozisht këtij neni, por kjo nuk do të thotë se nuk kemi bindjet tona politike. Të gjithë anëtarët e degës sonë, pavarësisht se në cilën parti bëjnë pjesë, i përkasin spektrit politik të djathtë. Kjo për shkak të prejardhjes sonë, të kaluarës dhe qëndrimit të sotëm të secilit.
Më lejoni t’i shpjegoj këta tre faktorë: 1. Prejardhja: Të gjithë anëtarët e degës sonë rrjedhin nga familje nacionaliste, që kanë qenë dhe janë në ballë të luftës për liri dhe demokraci. 2. E kaluara: Me këtë, kam parasysh periudhën e sundimit totalitar gjatë së cilës ne u vramë, u burgosëm, u internuam, u dëbuam dhe u persekutuam pa mëshirë nga diktatura komuniste. 3. E sotmja: Anëtar i degës sonë mund të jetë çdo i përndjekur politik që është i gatshëm të kontribuojë për forcimin e shtetit demokratik, kundër mentaliteteve antikombëtare të së kaluarës komuniste.

Gazeta 55: Ç’do të thotë kjo?
Reshat Kripa: Për dy faktorët e parë, nuk do të zgjatem. Gjithçka është e qartë. Unë do të përqendrohem në faktorin e tretë. Është një detyrë mjaft e rëndësishme, e lënë në të gjitha kuvendet kombëtare të Shoqatës. Dega jonë do të qëndrojë përgjithmonë në krah të koalicionit të madh të djathtë, të kryesuar prej Partisë Demokratike. Ne nuk mund te jemi ndryshe. Ne nuk mund të bashkëpunojmë me forcat e majta dhe ultra të majta, si Partia e sotme Socialiste, e drejtuar nga Edi Rama, pinjoll i një familjeje komuniste, karrierist dhe revanshist që, sa herë diskutohet në parlament për ligje në mbështetje të shtresës sonë, urdhëron grupin e vet parlamentar të braktisë sallën. Kështu vepruan deputetët e tij në rastin e miratimit të rezolutës në mbështetje të asaj të Këshillit të Europës “Mbi ndëshkimin e krimeve të regjimeve komuniste”. Kështu vepruan në seancën për miratimin e ligjit “Për dëmshpërblimin material të ish-të përndjekurve politikë” dhe të amendamenteve të tij. Kështu edhe për ligje të tjera të kësaj natyre.

Gazeta 55: Si e shikoni qëndrimin e disa liderëve të përndjekur politikë, të cilët u janë bashkëngjitur forcave të majta?
Reshat Kripa: Ky është turpi i tyre më i madh. Një gjë e tillë do të thotë të mohosh të kaluarën tënde dhe të bashkohesh me ata që për gati një gjysmë shekulli të dhunuan dhe të përçmuan familjarisht. Mendoj se arsyeja e  kësaj duhet kërkuar në faktin që mund të kenë ngrënë “një lugë çorbë të prishur dhe sot nuk e nxjerrin dot”, - siç thoshte dikur protagonisti i një filmi shqiptar të kohës së diktaturës. Shkaqe të tjera mund të jenë joshja me para, pse jo, edhe me ndonjë femër të përdalë.

Gazeta 55: Keni parasysh ndonjë lider të caktuar?
Reshat Kripa: Po. Do veçoja Kurt Kolën, një person që dikur të përndjekurit politikë e zgjodhën në krye të tyre por që ai, harroi edhe familjarët e vet të shtypur egërsisht nga regjimi. Me që erdhi fjala, do të shtoja gjithashtu se, mbështetur në nenin 5 të statutit, kryetarit të një shoqate i ndalohet krijimi i një partie politike, sa kohë ai qëndron në krye të shoqatës. Sipas nenit 22 të Shoqatës sonë, nen i formuluar qysh me themelimin e saj, “Kryetari, nënkryetarët dhe sekretari i shoqatës nuk duhet të bëjnë pjesë në forumet drejtuese të partive politike si dhe të kenë funksione drejtuese shtetërore”. Kurt Kola ka krijuar një parti politike, e cila aktualisht është në koalicion me partitë e majta, ani se, në zgjedhjet politike ose për pushtetin vendor, nuk është në gjendje të marrë as votat e familjes së vet.
Ka edhe të tjerë, të cilëve nuk është nevoja t’ua përmend emrat, pasi të përndjekurit i njohin mirë. Janë ata që çirren e bërtasin se gjoja do të shkuakan deri në Bruksel ku, të lidhur me zinxhirë, dashkan të demonstrojnë për të drejtat e tyre. Po deshën le ta provojnë! Do të çjerrin maskën që mbajnë, dhe do të demonstrojnë faqen e tyre të zezë. Është dhe një kategori e tretë, tip kameleonësh, që nuk e dinë ku e kanë kokën. Në mëngjes, kur zgjohen nga gjumi, ata janë të djathtë. Në mbrëmje, kur bëjnë llogaritë e ditës dhe bëhen gati për të fjetur, shndërrohen në të majtë, duke ëndërruar të dalin në demonstrata të mëdha për të kërkuar të drejtat e tyre. Le të provojnë të dalin dhe do ta shohin se sa do t’i ndjekin pas.
Do të shtoja këtu keqardhjen, që të mos them neverinë time, ndaj qëndrimit të një pjese të shtypit, sidomos atij të majtë, ose të mediave audio-vizive, që i kanë hapur dykanatësh dyert për këta gjoja kryetarë të përndjekurish politikë. Kam bindjen e plotë se ata e kanë humbur përfundimisht besueshmërinë e shtresës që i takojnë.

Gazeta 55: Cili do të jetë qëndrimi juaj në këto zgjedhje lokale?
Reshat Kripa: E thashë qysh në fillim. Dega jonë dhe gjithë të përndjekurit politikë të vërtetë janë me koalicionin “Aleanca për qytetarin” të drejtuar nga Partia Demokratike. Jemi me këtë koalicion, sepse këtu e kemi gjetur veten plotësisht, sepse vetëm ky koalicion ka bërë të mundur të realizohen disa prej kërkesave tona. Sigurisht, ne kemi edhe kërkesa të tjera, që s’kanë gjetur zgjidhje ende, sikundër e pranoi ndershmërisht Lulzim Basha, në takimin me ish-të përndjekurit politikë gjatë kësaj fushate elektorale. Unë kam besim të palëkundur se në të ardhmen edhe ato do të zgjidhen, gjithmonë brenda legjislacionit ekzistues shqiptar.

Gazeta 55: Po për kandidatin për Kryetar Bashkie në Tiranë, çfarë do të na thoni?
Reshat Kripa: Lulzim Basha është kandidati më i besueshëm, do të thosha më i shkëlqyeri, që ka nxjerrë ndonjëherë e djathta dhe Partia Demokratike. Vështroni fushatën elektorale që ka zhvilluar. Një fushatë tepër domethënëse, sa u takon alternativave që ka shpalosur në interes të kryeqytetasve. Shumë e qytetëruar, sa i takon gjuhës së përdorur ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Me të vërtetë europiane, për sytë e të huajve, që po e ndjekin hap pas hapi dhe me vëmendje ecurinë e fushatës. Është kandidati që i garanton të ardhme kryeqytetit.

Gazeta 55: Domethënë?
Reshat Kripa: Pyetjen tuaj, ndonëse kaq të shkurtër, do ta zbërthej pak gjatë dhe në dy plane: si i përndjekur politikë dhe si  qytetar i Tiranës.
Si i përndjekur politik, mendoj se është i vetmi kandidat që mund të zgjidhë disa prej problemeve tona të lëna në harresë. Zgjidhjen e problemit të strehimit për të përndjekurit, fjala vjen, nëpërmjet ndërtimit të banesave me kosto të ulët. Hipotekimi i banesave të atyre që kanë vite që presin. Dhënia e trojeve për ndërtim objektesh me karakter social. Dhënia e kredive me interes të ulët dhe të tjera masa. Më lart thashë se kemi edhe kërkesa të tjera. Jam i bindur se, në rast se do t’i drejtohemi Kryetarit të ardhshëm të Bashkisë, Lulzim Bashës, porta e tij do të jetë e hapur në çdo kohë që ne do të kemi nevojë, siç ka qenë dhe do të jetë e hapur edhe porta e Kryeministrit apo e ministrave të qeverisë demokratike. Ne nuk kemi nevojë të zhvillojmë protesta kundër qeverisë që vetë e kemi votëbesuar, çka do të thotë të ngrihemi kundër vetes tonë.
Si qytetar i Tiranës, dua të them se përkrahim zotin Basha, pasi duam të shikojmë, si gjithë qytetarët e tjerë, një Tiranë, ku të marrim frymë lirisht, kundër betonizimit të saj. Duam një qytet të pastër, ku të mos na mbulojnë plehrat. Duam një qytet, ku tregu të jetë me të vërtetë i kontrolluar nga pikëpamja higjienike dhe e vlerave ushqimore, ku sistemi i taksave të jetë i kontrolluar dhe i drejtë, ku të mos u lihet shteg manipulimeve të ndryshme që shkatërrojnë tregun. Duam një rregullim të transportit urban dhe të shërbimit mjekësor. Së fundi edhe një përkrahje më të madhe për njerëzit në nevojë.
Siç e shihni, gjithë sa përmenda, janë tërësisht pjesë e alternativave elektorale të Bashës, i cili, deri sot, çka ka premtuar, e ka bërë realitet. Si ministër i Punëve Publike dhe Transporteve, është i njohur kontributi i tij në ndërtimin e Autostradës së Kombit, që lidh dy gjymtyrët më të mëdha të trojeve tona etnike. Si Ministër i Punëve të Jashtme, s’ka shqiptar të mos ia njohë Bashës meritat për pranimin e Shqipërisë në NATO. Si Ministër i Punëve të Brendshme, falë kontributit të tij të padiskutueshëm, sot shqiptarët udhëtojnë pa viza në zonën Shenghen.

Gazeta 55: Përfundimisht?
Reshat Kripa: Urojmë që pas 8 majit, Lulzim Bashën ta kemi Kryetar të Bashkisë së Kryeqytetit, më të madhes bashki në gjithë vendin. Për këtë i ftoj gjithë të përndjekurit politikë me banim në Kryeqytet të votojnë për të, pasi, në këtë mënyrë, kanë votuar për ndryshimin që ne presim prej nëntëmbëdhjetë vjetësh. Gjithashtu, i ftoj të përndjekurit politikë që, si subjekt politik, të votojnë atë parti të koalicionit “Aleanca për qytetarin”,  së cilës mendojnë se i përkasin.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›