Tanja Fajon: Protestat pengojnë vizat
Eurodeputetja Tanja Fajon paralajmëron se protestat e opozitës mund t’ju heqin shqiptarëve mundësinë të lëvizin pa viza në vendet europiane. Lajmin e bëri të ditur dje pasdite agjencia e lajmeve “NOA”, e cila citonte fjalën e Fajon mbajtur në Institutin Ndërkombëtar për Lindjen e Mesme dhe Studime Ballkanike (IFIMES) në Lubjanë. Sipas eurodeputetes është sjellja e opozitës ajo që do të tregojë nëse Shqipëria është me të vërtetë e pjekur, apo do të mbyllë derën e saj drejt Europës në javët e ardhshme, për shkak të situatës politike të tensionuar. Eurodeputetja ka theksuar me tej se Bashkimi Europian nuk duhet të vonojë heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën. “Vlerësimi i ekspertëve do të jetë i njohur në fund të prillit dhe nëse çdo gjë shkon mirë, propozimi legjislativ për liberalizimin e vizave për Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërinë, do të vihet në tryezë, në fund të majit”, theksoi Fajon. Sipas saj, dhënia e mendimit në muajin maj do të bëhet vetëm nëse situata politike në vend do të jetë e qetë dhe pa trazira.
#