Polici, informator i trafikantëve të drogës
Grupi prej pesë vetash i goditur tri ditë më parë për trafik droge kishte “blerë” një punonjës policie, që t’i ruante në aktivitetin e tyre. Bëhet fjalë për një oficer në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, i cili është përgjuar gjatë hetimeve për grupin e drogës, ndërkohë që pritet arrestimi i tij. Informacioni është bërë i ditur nga burime pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda, e cila ka marrë në dorë dosjen e pesë personave të arrestuar me 100 kg hashash, që ditën e djeshme janë përballur me masën e sigurisë në gjykatë dhe për ta u vendos “arrest me burg”.
Burimet nga Prokuroria për Krimet e Rënda bënë të ditur se në grupin e trafikut të drogës, që u godit gjatë operacionit “Vora” është i implikuar edhe një punonjës policie. Sipas të dhënave, aktualisht ky punonjës policie punon në Komisariatin e Fushë-Krujës dhe emri i tij ka dalë nga përgjimet telefonike që janë bërë me vendim të gjykatës. Pikërisht implikimi i tij ka shtyrë dy herë goditjen e grupit, pasi në momentin e fundit, ata ndërronin mendje dhe nuk shkonin për të shitur “mallin”. Burimet shpjegojnë se operacioni ishte planifikuar të realizohej ditën e mërkurë në Vorë. Oficerët e policisë janë nisur për operacion, por rrugës janë njoftuar se shkëmbimi i mallit nuk do të bëhej në ato momente. Ata janë kthyer mbrapsht, duke pritur lëvizjet e radhës për pesë trafikantët, të cilët kishin komunikim të vazhdueshëm në telefon dhe përgjoheshin nga ana e policisë. Po të mërkurën në mbrëmje, policia është vënë sërish në dijeni se do të bëhej shkëmbimi i mallit, por prapë ka dështuar. Personat e hetuar janë penduar, duke deklaruar se kishte shumë lëvizje policësh. Nisur nga kjo, janë kontrolluar sërish përgjimet dhe nga numrat e telefonit është identifikuar numri privat i një punonjësi policie. Madje, ai ka deklaruar qartazi në telefonatë për trafikantët e drogës implikimin e tij me ta. Sipas të dhënave, ai është shprehur me fjalët “a i morët lekët e mallit”, “kini kujdes se ka shumë lëvizje policie” dhe shprehje të tjera.
Grupi hetimor ka zbuluar se këto nuk janë telefonatat e vetme të punonjësit të policisë me të arrestuarit, duke ngritur dyshime të forta për lidhjet e tij në trafikun e drogës. Sipas të dhënave nga prokuroria, ky punonjës policie është nën hetim dhe shumë shpejt dosja do i kalojë edhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe do merren masa ndaj tij. Policia tha se goditja e grupit u bë vetëm të nesërmen, pra ditën e enjte, pasi operacioni u realizua vetëm me makina private dhe nga punonjësit e policisë së Tiranës, pa kërkuar mbështetje nga Durrësi. Edhe atë ditë, punonjësi i policisë së Fushë-Krujës, që varet nga Drejtoria e Qarkut Durrës, ka pasur telefonata me trafikantët, saqë, ata ndryshuan edhe vendin e këmbimit të drogës.
Ndërsa ditën e djeshme, pesë personat e arrestuar janë përballur me Gjykatën për Krimet e Rënda dhe janë njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”. Në burg mbetën Gëzim Kadri Pirra, 28 vjeç, i dënuar më parë për “tentativë vrasje”, Leonard Vrenoz Zhana, 31 vjeç, Shkëlqim Taf Kuqi, 34 vjeç, Kujtim Musa Lloti, 40 vjeç, dhe Kujtim Asllan Kuqi, 37 vjeç. Nga hetimet paraprake, ata akuzohen se merreshin me shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Arrestimi nga ana e forcave të policisë ishte planifikuar të kryhej në qytetin e Vorës, por shtetasit e lartpërmendur për t’iu shmangur forcave të policisë, ndryshuan në momentet e fundit shkëmbimin e lëndës narkotike, ku së fundmi u arrit të kryhet në fshatin Thumanë të rrethit Krujë, ku dhe u kapën në flagrancë. Lënda narkotike ishte e destinuar për trafikim tregun e ndërkombëtar, lëndë e cila u sekuestrua në karrocerinë e automjetit tip “Fuoristradë Nissan”, më targë La 9344 A. Në cilësinë e provës materiale, atyre iu sekuestrua sasia prej 100 kg kanabis, si dhe dy automjete tip “Fuoristradë Nissan” dhe “Volkswagen”, me targë LA 9305 A, si dhe 15 celularë.
#