Mbeten në burg dy hajdutët e Kombinatit
Dy hajdutë të tmerrshëm nga Kombinati kanë mbetur në burg, pasi akuzohen për katër vjedhje. Bëhet fjalë për Eduart Dervishin dhe Sinan Xhepën, që u kapën katër ditë më parë gjatë një aksioni të zhvilluar nga Komisariati Nr. 6. Ditën e djeshme, ata kanë dalë për vlerësimin e masës së sigurisë para Gjykatës së Tiranës, e cila ka vendosur “arrest me burg” për ta. Sipas të dhënave, identifikimi dhe kapja e tyre ka ardhur pas një pune hetimore, që dokumentoi katër vepra penale. Katër ditë më parë burimet policore thanë se shërbimet e Komisariatit Nr. 6 bënë të mundur kapjen dhe më pas arrestimin në flagrancë të shtetasve Eduart Imer Dervishi, 23 vjeç dhe Sinan Sali Xhepa, 32 vjeç, të dy të dënuar disa herë për vjedhje. Këta persona dyshohen se në bashkëpunim me njëri–tjetrin të kenë realizuar vjedhjet e dy dyqaneve dhe vjedhjet e dy motorëve. Nga të dhënat mësohet se më 9 prill 2010, dyshohet se kanë vjedhur me thyerje dyqanin e parë ushqimor. Pikërisht pas dhjetë ditëve, ata kanë vjedhur një tjetër dyqan ushqimor, te Rruga e Kavajës. Ndërsa më datë 20 prill, një ditë pas vjedhjes së dyqanit, ata kanë vjedhur edhe dy motorë. Falë punës operative të kryer u mundësua dokumentimi i vjedhjeve të lartpërmendura. Aktualisht nga këto struktura po punohet për dokumentimin e vjedhjeve të tjera në ngarkim të tyre.
#