E Diel, 1 Nëntor 2026

Tanja Fajon: Situata politike nuk e ndihmon liberalizimin e vizave

Brukseli Eurodeputetja sllovene shpjegon procedurën që pritet të ndiqet në muajt e ardhshëm

Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, është rizgjedhur raportuese për vizat në respekt të rregullores së Parlamentit Europian. Puna e saj nis me përpilimin e raportit mbi Shqipërinë e Bosnjën pas marrjes së rekomandimit të Komisionit. “Pas draftit, sipas traktatit të Lisbonës, duhet të presim për opinionin e parlamenteve nacionale të 27 vendeve anëtare, që kanë 8 javë kohë për të reaguar. Ne do të ndjekim procedurën e rregullt, atë të thjeshtë: Komiteti i Jashtëm duhet të shprehë opinionin e tij çfarë do të debatohet në Komitetin për çështjet e Brendshme, Lirisë e Sigurisë. Pas dritës së gjelbër nga ky komitet, çështja i kalon për votim Parlamentit, që siç e thashë, ka shumë gjasa që të votohet në seancën plenare të shtatorit ose tetorit”, tha Fajon. Ajo sqaron se procesi për heqjen e vizave bazohet në përmbushjen e kritereve teknike, por nënvizon se vendimmarrja është politike. “është proces i pastër teknik, si për Komisionin dhe për Parlamentin Europian dhe Shqipëria ka punuar e po vazhdon të punojë për të plotësuar të gjitha kriteret. Por, në anën tjetër duhet të tregohemi realistë, është gjithashtu vendim politik e situata aktuale në Shqipëri nuk ndihmon, pasi vendet anëtare nuk do të duan që një vend të përparojë shpejt në integrimin europian e në procesin e liberalizimit të vizave, nëse Shqipëria nuk është politikisht vend i qëndrueshëm”, u shpreh Fajon. Më tutje ajo gjeti rastin të nxisë të gjitha partitë e përfshira për një zgjidhje, sepse kështu do të ishte më e lehtë për të gjithë kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave. “Kjo natyrisht që mund të sjellë komplikime edhe brenda Parlamentit Europian, sepse ka vende anëtare që mund të kenë rezerva e po kështu dhe anëtarë të Parlamentit, çfarë sigurisht mund të vonojë procesin. Ndaj shpresoj që Shqipëria do ta zgjidhë këtë situatë sa më shpejt, sepse mund të dëmtojë procesin dhe unë pres që disa eurodeputetë mund të kërkojnë pyetje shtesë, nëse kjo situatë nuk do të zgjidhej shpejt”, thekson Fajon. Burime diplomatike nga vendet anëtare rrëfyen për “Top Channel” se ministrat e Brendshëm Europianë ka shumë gjasa ta shqyrtojnë çështjen e liberalizimit të vizave me Shqipërinë e Bosnjën në mbledhjen e muajit nëntor. Në rast të një vendimi pozitiv, kjo do të mundësonte lëvizjen e lirë në vendet ‘Schengen’ të shqiptarëve të pajisur me pasaporta biometrike, 20 ditë pas publikimit të këtij vendimi në Fletoren Zyrtare europiane. Por, të njëjtat burime nuk përjashtojnë as skenarin e përfolur një vit më parë edhe për 3 vendet e tjera të rajonit, për përcaktimin e muajit janar 2011 si kohë për hyrjen në fuqi të heqjes së regjimit të vizave.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›