Reduktimi i buxhetit, qeveria pakëson fondin për kompensimin e energjisë
Ervin KOÇI
Shkurtimet e buxhetit për pjesën e dytë të vitit nuk kanë kursyer as paratë e programuara si kompensime për shtresat në nevojë. Reduktimet që qeveria ka bërë kanë prekur edhe shpenzimet sociale ato që jepen nga shteti për të ndihmuar shtresat më të varfra të vendit. Drafti i ri i ul fondet për mbrojtjen sociale me 1 miliardë lekë ose 10 milionë dollarë krahasuar me buxhetin e fillim-vitit. Ulja më e madhe vjen si pasojë e shkurtimit të fondit për kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, të cilin Ministria e Financave e ka reduktuar pa marrë parasysh efektet që mund të sjellë ai te dhjetëra mijëra familje të varfra shqiptare. Kjo gjë ka ngjallur dje debate të ashpra në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave mes opozitës dhe maxhorancës të cilat po diskutonin pikërisht në lidhje me këto shkurtime. Sipas deputetit të PS-së Erion Braçe, njëkohësisht edhe anëtar i këtij komisioni, qeveria i ka mashtruar shtresat në nevojë ku ndryshe nga sa tha në fillim të vitit tani ua heq kompensimin për energjinë elektrike. “Fondi i cili një fillim të vitit u miratua në buxhet dhe u parashikua për kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike nga vetë qeveria, po nga kjo e fundit tani hiqet duke i rënduar dhe varfëruar më tepër shtresat në nevojë”, - ka deklaruar deputeti i PS-së, Erion Braçe. Por përfaqësuesit e Ministrisë së Financave në këtë komision kanë deklaruar se fondi ishte parashikuar më shumë nga ç’duhej në fillim të vitit, prandaj dhe është shkurtuar. “Fondi ishte parashikuar në tetor të vitit të kaluar, kur është hartuar buxheti, por rritja e çmimit të energjisë u bë në janar nga Enti”,- ka deklaruar Drejtoresha e Buxhetit në MF-ë, Mimoza Dhëmbi.
Debatet
Opozita braktisi punimet e sotme të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë në shenjë proteste për mungesën e shpjegimeve nga ekspertët e ekonomisë rreth shkurtimeve që po i bëhet buxhetit të shtetit. Debatet për buxhetin në Komision nuk janë përqendruar vetëm në çështje të veçanta. Pika më e nxehtë mbetet ajo e transparencës së ndryshimeve, ku opozita ka ripërsëritur kërkesën e saj për më shumë informacion. Anëtarët socialistë të këtij komisioni kërkuan shpjegime për ndërhyrjet që po i bëhen buxhetit të shtetit, të propozuar nga MF-ja. Deputeti Arben Malaj kërkoi që Kreu i Bankës së Shqipërisë dhe drejtoresha e INSTAT-it të japin shpjegime në Komisionin e Ekonomisë për rishikimin që po i bëhet buxhetit. Malaj më tej konstatoi se, borxhi publik i qeverisë shqiptare është më i madhi në rajon, dhe se shkurtimet në buxhet, dëshmojnë për krizën në qeveri e vend. Sipas anëtarit socialist, duhet një strategji e qartë me faktin sesi do të përballohen boshllëqet që do shkaktohen nga shkurtimet në buxhet, si do menaxhonet borxhi publik. “Një menaxhim i saktë sot që të mos rrisim taksat nesër”,- theksoi Malaj. Nën këto kërkesa opozita pa të arsyeshme të mos vazhdojë punimet e djeshme të Komisionit të Ekonomisë, deri në një përgjigje të tyre. Në fund Komisioni i Ekonomisë e ka miratuar parimisht buxhetin vetëm me votat e shumicës.
Miratimi
Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi dje në parim ndryshimet në buxhetin 2010 vetëm me votat e maxhorancës, ndërsa opozita u largua nga mbledhja në momentin e votimit. Deputetët vlerësuan ndryshimet e buxhetit, të cilat vijnë si rezultat i analizës së impaktit në ekonominë reale të politikave të aplikuara deri më tani në bazë të buxhetit vjetor për vitin 2010. Gjithashtu, gjatë diskutimeve u theksua se buxheti ka marrë edhe vlerësimin maksimal të përfaqësuesve më të lartë të FMN-së, të cilët kanë theksuar se ekonomia shqiptare është jo vetëm një ekonomi e konsoliduar, por gjithashtu është ekonomia që ka njohur rritjen më të lartë në rajon e më gjerë. Më tej, gjatë diskutimeve u vu në dukje fakti se qeveria synon të ndihmojë ekonominë nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të politikave më të mira ekonomike. Masat e marra për shkurtimin e shpenzimeve janë tregues të një strategjie të kujdesshme në menaxhimin e buxhetit dhe përshtatjen e tij me ekonominë reale. Deputetët vlerësuan se në një kohë kur Bashkimi Europian përballet me borxhin e lartë, plakjen e popullsisë dhe rritjen e ngadaltë ekonomike, efektet e kësaj politike të kujdesshme do të jenë shumë pozitive në një perspektivë afatgjatë.
Financat: “PS-së gënjen, ekonomia është në rritje”
Ministria e Financave ka reaguar pas deklaratave të PS-së për shkurtimet në buxhetin e shtetit. Në një konferencë për shtyp zëdhënësja e kësaj ministrie i ka cilësuar si mashtrime deklaratat e PS-së duke theksuar se ndryshimet në buxhet janë përshëndetur edhe nga shefi i FMN-së, Bell. Sipas zëdhënëses, “ekonomia shqiptare nuk është në krizë dhe masat e ndërmarra nga qeveria do të ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë. Tellallët e kreut të bashkisë gënjejnë pasi një ekonomi e cila është në rritje dhe me të ardhura të larta në buxhet nuk ka sesi të jetë në krizë”. Sipas zëdhënëses së MF-së, “shifrat e publikuara nga tellallët e Ramës janë trillime dhe mashtrime pasi shifrat e vërteta jepen vetëm nga institucionet përkatëse dhe organizmat ndërkombëtare”.
14 Korrik 2010