E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tarantini: "Ja çmenduritë e Berluskonit, vajza, festa dhe drogë"

Një numër prej 30 vajzash mendohet të kenë qenë të pranishme në 18 festa të organizuara në rezidencën luksoze të Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, brenda një periudhe 5-mujore. Shumë prej tyre u janë ofruar shuma prej një mijë eurosh, nëse do ta kalonin natën me të dhe do t‘i ofronin Kryeministrit "shërbime seksuale". Këto deklarata të bujshme dolën pas marrjes në pyetje dhe hetimeve të nisura ndaj biznesmenit dhe ndërmjetësit të Silvio Berluskonit, Xhianpaolo Tarantini, nën akuzë për korrupsion dhe favorizim prostitucioni. I pyetur nga prokurorët publikë të Barit, Tarantini, një biznesmen 35-vjeçar, tregoi emrat e grave që ai ka dërguar në mbrëmjet e Berluskonit dhe datat kur janë zhvilluar festat, ku vajzave u është shërbyer shampanjë dhe u janë dhënë bizhuteri të shtrenjta si dhurata. Ai deklaroi para prokurorëve se mes shtatorit të vitit 2008 dhe janarit të vitit 2009, rekrutoi vajza italiane dhe të huaja, përfshi këtu edhe nga Europa Lindore, për të qenë të pranishme në festa. Ato udhëtonin drejt Romës, akomodoheshin në hotele dhe më pas çoheshin në rezidencën e Kryeministrit Berluskoni, në Pallatin Grazioli, në makina me xhama të errët, kështu që gazetarët apo njerëzit e tjerë nuk mund të shihnin se çfarë kishte brenda tyre. Për më tepër, Tarantini deklaroi se të paktën njëra prej vajzave që ai i kishte prezantuar Berluskonit kishte marrë edhe kokainë të ofruar prej biznesmenit 35-vjeçar. "Në atë kohë mendoja se vajzat dhe kokaina do të ishin çelësi për të arritur suksesin në shoqëri. Doja të njihesha prej Kryeministrit dhe për këtë pagova një shumë të madhe parash për të hyrë në trustin e tij. Për më tepër, duke njohur interesin e tij për femrat, nuk bëra gjë tjetër veçse e njoha atë me vajza të bukura që i prezantoja si mikeshat e mia", u tregoi prokurorëve në Bari. Tarantini përmendi edhe emrin e njërës prej vajzave, Vanesa Di Melio. "Normalisht ajo nuk është një prostitutë apo profesioniste seksi, por nëse lindte nevoja, nuk ishte kundër pagesës në shkëmbim të favoreve seksuale", vazhdoi më tej ai. "Sigurova që Di Melio t‘i ofronte shërbime seksuale Kryeministrit në dy raste në Romë: më 5 shtator dhe më 8 tetor të vitit 2008. Më kujtohet që natën e 5 shtatorit ajo vendosi të qëndronte dhe ta kalonte natën në Pallatin Grazioli". Tarantini ftoi katër vajza të tjera shumë tërheqëse në një tjetër festë të zhvilluar nga Kryeministri italian më 23 shtator të vitit 2008. Ai tha se njëra prej tyre, Maria Teresa de Nicolo, pati një takim intim me Kryeministrin 72-vjeçar. Në "pazaret" e tij përfshiheshin edhe dy vajza të tjera, prostituta Ioana Visan dhe prezantuesja Barbara Guerra, që udhëtuan drejt Romës për një festë në rezidencën e Berluskonit më 8 tetor të 2008-ës. "Të dyja vajzat u paguan me një shumë të konsiderueshme parash për të bërë seks me Kryeministrin italian, që e kaloi natën nën shoqërinë e dy bukurosheve", tha ai. Tarantini tregoi para hetuesve se merrej me këtë punë, pra me sigurimin e vajzave Kryeministrit, me shpresën se ai do e ndihmonte të lidhte një kontratë biznesi me Agjencinë e Mbrojtjes Civile Italiane. Megjithatë, pas prezantimeve të para nuk ndodhi asgjë. Më 17 dhjetor 35-vjeçari tha se rregulloi që 2 femra të tjera të shkonin në rezidencën e Berluskonit në Romë, në Pallatin Grazioli, dhe njëra prej tyre, Kamila Kordeiro Karao, e kaloi natën atje. Mes emrave të tjerë në listë ishte edhe 42-vjeçarja Patricia D‘Adario, shoqëruesja që i tregoi "Daily Telegraph"-it muajin e shkuar se ajo dhe një tjetër prostitutë kaluan mbrëmjen me Kryeministrin 72-vjeçar, pasi kishin qenë në një nga mbrëmjet e organizuara prej tij në nëntorin e shkuar. Femra të tjera, emrat e të cilave u përmendën, kishin qenë thjesht të pranishme në festa dhe në fund kishin marrë rimbursimet për shpenzimet e udhëtimit. Mes tyre ishte edhe emri i Karolina Markonit, aktore dhe ish-pjesëmarrëse e "Big Brother", modelet Barbara Guerra, Klarisa Kampironi, Mikaela Pribisova dhe e nderuara Xheraldine Semegini, që ka punuar në seksionin e Vip-ave në klubin e natës "Billionaire" në Kosta Smeralda në Sardenjë. Nuk ka asnjë sugjerim se ndonjëra prej tyre mund të ketë bërë diçka të gabuar. Për herë të parë, skandali seksual ka prekur edhe anën tjetër të politikës italiane. Tarantini tregoi se ai gjithashtu i ka siguruar femra edhe një emri të shquar të opozitës, të Partisë Demokratike, Sandro Frisullo. Sandro Bondi, një koordinator në partinë e Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, tha se detajet e hetuesve gjatë marrjes në pyetje të Tarantinit rreth mbrëmjeve dhe prostitutave ishin "të dyshimta dhe të errëta". Deklaratat e reja duket se do t‘i hedhin më shumë benzinë zjarrit, pas zërave se ai i ka ditët e numëruara në zyrë për shkak të marrëdhënieve me Kishën Katolike, shtypin italian, Bashkimin Europian, madje dhe me anëtarët e partisë së vet. Një gazetë në pronësi të familjes Berluskoni, në mënyrë të befasishme nisi një sulm këtë javë ndaj zotit Xhianfranko Fini, një nga politikanët kyç në vend dhe ish-lider i së djathtës. "Il Giornale" e cilësoi zotin Fini si qesharak dhe e akuzoi atë se po "përdoret" nga opozita e majtë. Lideri i Partisë Katolike Konservatore, Pierferdinando Kasini, deklaroi: "Epoka pas Berluskonit sapo ka nisur". Madje edhe një nga aleatët e Kryeministrit italian, guvernatori i Sicilisë, tha: "Me siguri kanë nisur të qarkullojnë zëra për largimin e tij, të lidhur me jetën private të Kryeministrit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›