Tare pezullohet deri më 20 prill për debatin me Spaletin
Igli Tare është pezulluar nga Komisioni i Disiplinës në Serinë A italiane deri më 20 prill. Shkak është bërë debati i ashpër i ish-lojtarit të Kombëtares shqiptare, tashmë në rolin e drejtuesit te Lacio, me trajnerin e Romës, Luçiano Spaleti. Ata u përplasën gjatë pushimit mes pjesëve, kur drejtuesi i stolit verdhekuq po diskutonte me tone të larta me gjyqtarin e derbit, që u fitua 4-2 nga bardhekaltërit. "Tare pezullohet deri më 20 prill dhe nuk lejohet të shoqërojë skuadrën në ndeshjet e kampionatit dhe Kupës. Ai u soll në mënyrë ofensive dhe provokuese ndaj trajnerit të ekipit kundërshtar", theksonte vendimi. Disi më e lehtë masa ndëshkimore për Spaletin, që nuk do të drejtojë Romën vetëm në një ndeshje. Në dënimin e teknikut nuk u morën parasysh frazat ofenduese që ai përdori kundër Tares, duke i thënë "gishtin mos ma drejto mua, por fute diku tjetër". Trajneri u pezullua "vetëm" prej "shprehjeve të papërshtatshme, me të cilat iu drejtua gjyqtarit të ndeshjes".