E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fati "jonë"

Debatet e shpërfaqura në opinion rreth frikës, respektivisht dëshirës së konsolidimit të një identiteti kosovar, të ndryshëm nga ai shqiptar (shtetas i Shqipërisë), si dhe ai kulturor e historik (i etnisë shqiptare në Ballkan) duket të jetë krejtësisht i pabazë, për shkak të kontekstit dhe metodave me të cilat është duke u shqyrtuar ky problem. Kjo, për një varg arsyesh që nuk mund të elaborohen në një shkrim.

Ajo që dëshiroj të trajtoj në këtë shkrim ka të bëjë me progresin e shqiptarëve në Ballkan drejt integrimit në strukturat euroatlantike, mbështetur në parimin e jo-implikimit të tyre të ndërsjellë si shtete në mbështetjen e njëri-tjetrit në këtë drejtim, duke përfshirë edhe direktivat nga Brukseli e Uashingtoni për politikën në Prishtinë dhe Tiranë.

Legjendat dhe mitet tona, sikurse edhe të popujve të tjerë, mbështeten në kategori të huazuara nga religjioni, si për shembull sakrifica, e cila kërkohet nga anëtarët e një bashkësie për të arritur objektivat e përbashkëta. Por, reminishenca kolektive e etnisë shqiptare për këto rrëfime ka filluar të venitet si kurrë më parë, për faktin se dy deceniet e fundit janë treguar në anën "tonë" për sa u përket padrejtësive (si etnikum), e që na janë bërë gjatë historisë. Në dy deceniet e fundit, në Perëndim ka përpjekje të mëdha konkrete për vendosjen e parimeve dhe vlerave universale të të drejtave të njeriut. Shqiptarët apo viktimat e epsheve të nacionalizmit romantik të popujve të tjerë në Ballkan janë duke u integruar në botën e popujve të lirë, duke përfituar nga kjo tendencë e vlerave, që e përjashton në praktikë jetësimin e ideologjive nacionaliste.

Shqipëria, me jo-implikimin e saj ushtarak gjatë luftës në Kosovë, plotësoi një ndër standardet për t‘u bërë anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Ndërkombëtarizimi i çështjes së statusit politik të Kosovës dhe më pas njohja e pavarësisë së saj erdhi si rezultat i dëgjueshmërisë së krerëve politikë ndaj instruksioneve të dërguara prej Perëndimit. Në kuadër të këtyre instruksioneve, asnjëherë nuk ka pasur të tilla, që të kërkohet ndihma e shtetit shqiptar, megjithëse diplomacia shqiptare me mundësitë që disponon i ka shfrytëzuar ato në organizmat ndërkombëtarë.

Perëndimi është duke e dëshmuar çdo herë e më shumë se nuk është i interesuar që shqiptarët të kenë një qendër administrativo-politike dhe pikërisht për arsye pragmatike të politikave të tyre gjeostrategjike e gjeopolitike në këtë pjesë të globit. Duhet të jetë i marrë secili që mendon se shqiptarët, edhe nëse e kanë vullnetin, e kanë potencialin për të ndryshuar axhendën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që t‘i qasen ndryshe çështjes së shqiptarëve.

Por, kjo nuk duhet të inkurajojë trumbetuesit e idesë së "kosovarizimit" të Kosovës, të cilët me përfundimin politik të statusit të Kosovës synojnë të imponojnë idenë se çdo kategori socio-kulturore i sub-ordinohet identitetit politik të qytetarëve të një vendi. Por, as edhe nacionalistët romantikë, të cilët mendojnë me skema të një bote të ngurtë, që funksionon mbi gjakun, gjuhën dhe traditën e një territori.

Formalizimi i kufijve në BE, përpjekja për një Kushtetutë evropiane, traktati i Lisbonës, si dhe zhvillime të tjera, i vendosin evropianët (edhe shqiptarët) në një diskurs, ku vlerat autentike kulturore e subkulturore dhe ideologjitë nacionaliste janë relative. Do të ishte banale të mendonte dikush se këto prurje, që emërues kanë "Mesinë" nga Perëndimi, nuk kanë pasur influencim në Kosovë e në Shqipëri. "Baballarët e Kombit" shqiptar mund të çirren gjithë ditën nga bunkeri i tyre ideologjik, që është i veshur me "gjak", "gjuhë" e "kulturë", por rrezen e tyre të ndikimit e kanë shumë të vogël në kohën e globalizimit. "Kosovarët" mund t‘i gëzohen faktit se Kosova është pavarësuar nga Serbia dhe është duke synuar integrimin në strukturat euroatlantike. Për të tjerat them që të dyja palët duhet t‘i referohen konceptit poperian për evoluimin shoqëror.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›