E Shtunë, 31 Tetor 2026

NARCIZMI BERISHIST SI ANTILIRI

Pak ditë më parë, në një shkrim, Mustafa Nano ndau me lexuesit një shqetësim që në fakt, nuk është vetëm i tij, por i të gjithë atyre gazetarëve që kanë guxuar për vite me radhë të kritikojnë autoritarizmin berishist (dhe Sali Berishën vetë si koka e këtij leviatani), si në opozitë, ashtu edhe në pushtet. Po bëhen 20 vjet qëkur ra komunizmi dhe shqiptarëve iu tha do të ishin të lirë të shprehin mendimet e tyre pro ose kundër qeverive, liderëve e partive. Më në fund, kritika ndaj partisë, pushtetit apo udhëheqësit nuk do të përbënte më veprimtari armiqësore. Ky çlirim i fjalës nga prangat do të manifestohej më intensivisht nga gazetarët, që ndryshe nga koha e komunizmit, kanë jo vetëm lirinë, por edhe përgjegjësinë të shkruajnë atë që mendojnë, edhe kur ajo është kundër partisë në pushtet, liderit të saj, qeverisë. Kjo kritikë është sot jetike për demokracinë, ashtu sikundër konformimi i gazetarëve me partinë dhe udhëheqësin ishte jetik dje për diktaturën.

Por çuditërisht, gazetarët kritikë ndaj pushteteve, vazhdojnë të ndeshin lloj-lloj pengesash, kundërshtimesh, sabotimesh, kërcënimesh e shantazhesh që ushtrojnë presion mbi ta për t‘i bërë të heshtin. Është e vërtetë se berishizmi ndonëse nuk ka hequr dorë nga përpjekja për t‘i mposhtur gazetarët, për t‘i bërë t‘i shërbejnë partisë dhe Berishës, ka modifikuar qëndrime dhe taktika. Ka kaluar nga burgosja, rrahja e gazetarëve apo sulmet diskredituese në media, te joshja, korruptimi apo ndëshkimi më i tërthortë i kritikës, duke i flakur familjarët e gazetarëve nga punët publike për t‘ua u bërë jetën më të vështirë ekonomikisht apo duke u vënë gjoba selektive mediave kritike. Lufta kundër lirisë së kritikës dhe gazetarëve kritikë është bërë më e fshehtë, më komplekse, më sistemike, më e pa zhurmë, gati një komplot ku kontribuojnë shumë faktorë, jo vetëm berishistë madje, edhe jo pak gazetarë.

Por një gjë nuk ka ndryshuar në këto gati dy dekada në qëndrimin antiliri të berishizmit kundër gazetarëve: agresioni i një shtrese të militantëve të PD-së kundër gazetarëve që kritikojnë Berishën dhe berishizmin. Ka nga këta militantë që simbolin e lirisë së dy gishtave e kanë kthyer në sfurk për t‘u nxjerrë sytë gazetarëve që kritikojnë partinë e tyre, liderin e tyre, pushtetin e tyre. Dhe urrejtja e tyre për lirinë e kritikës s‘ka as edhe më të voglin ndryshim nga urrejtja e fanatikëve të regjimit komunist kundër armikut të klasës. Ata janë të gatshëm që, nëse do t‘ua lejonin rrethanat politike, nëse do të ishin larg syve të Evropës apo Perëndimit, t‘i shfarosin këta armiq të bezdisshëm të partisë e të udhëheqësit. Sot frenohen duke i fyer e sharë rrugaçërisht kudo që i ndeshin. Aq më tepër, tani në prag fushate. Po nesër?

***

Në zanafillën e tranzicionit post-komunist do të ishte e vështirë të besohej se pas 20 vitesh, në Shqipëri do të kishte mbetur ende në qarkullim një specie e tipit nazisto-komunist që t‘u kundërvihej brutalisht gazetarëve dhe lirisë së tyre për t‘u shprehur. Nuk përbëjnë aspak shumicën, por ky është një shkak më shumë për të shtruar pyetjen: ku e gjen guximin, ku e ka mbështetjen, ku i ka rrënjët kjo specie e egër antiliri? Dukuria është shumë komplekse, por kemi mendimin se gjen një shpjegim më sintetik në psikozën e narcizmit individual, si dhe atë politik të grupit të zbërthyer thellë nga Erich Fromm. Ishte pikërisht psikanalisti i shquar që vite më parë u vu në kërkim të rrënjëve psikologjike të diktaturës hitleriane, duke bërë i pari lidhjen midis marrëzisë narciste dhe nazizmit. Në fakt, të gjithë njerëzit posedojnë një dozë narcizmi. Por si psikozë, narcizmi është gjendje psiqike ku "uni" i individit zëvendëson botën e jashtme dhe ai e ka të vështirë të pranojë gjërat ndryshe nga "uni" i tij.

"Uni" i tij bëhet qendra e botës, prandaj problemet dhe shqetësimet e tij nuk mund të mos jenë edhe problemet më të rëndësishme të botës. Nga normal dhe relativ, narcizmi bëhet absolut. Fromm shpjegon se në psikozë narciste është, për shembull, një individ që i kërkon mjekut t‘i lërë një orë pritjeje për vizitë dhe, pasi merr përgjigje nga mjeku se vizita mund të bëhet (për çështje kohe) vetëm javën tjetër, këmbëngul deri në zemërim për të bërë vizitë atë javë. "Pacienti nuk është në gjendje të ndajë situatën e mjekut nga situata e tij. Ai s‘sheh asgjë përveç dëshirës së vet për t‘u takuar me mjekun,- shpjegon Fromm dhe shton se, "mjeku për të nuk ekziston si një person i pavarur me orarin e vet të pritjeve dhe me nevojat e tij".

Dukuria është simetrike me atë të një militanti që shan dhe kërcënon brutalisht në rrugë një gazetar apo i dërgon mesazhe fyese (sikundër është dhe rasti i Mustafait) i zemëruar me ato që gazetari shkruan dhe thotë. Për narcistë të tillë militantë, gazetari nuk ekziston si një person i pavarur, i lirë me bindjet dhe mendimet e veta. Nëse një qeveri apo lider është për këta individë i mirë, po ashtu duhet të jetë për këdo tjetër. Ata pezmatohen keq, deri edhe mllefosen, kur ndeshin mendimin ndryshe. Psikologjia e tyre nuk e pranon mendimin e kundërt. Kemi të bëjmë me një psikozë antiliri. Një individ i tillë narcist nuk ka empati, i mungon prirja për ta vendosur veten në pozitën e tjetrit që ka mendim të ndryshëm nga ai vetë. Ai është një qelizë antipluraliste e organizmit social dhe të tilla karaktere, për fat të keq mjaft të përhapura në Shqipëri, kanë qenë baza më e fortë e diktaturës komuniste për rreth gjysmë shekulli. Sot janë po këto natyra që vazhdojnë jo vetëm t‘i rezistojnë pluralizmit, por edhe ta rrezikojnë seriozisht atë. Ata urojnë të vijë një situatë ku të mbisundojë vetë partia dhe lideri i tyre, dhe pra, edhe pikëpamja e tyre. Psikoza e tyre nuk do t‘ia dijë fare se kjo do të ishte një rikthim në pikën e vdekjes së lirisë, rikthim në një formë të diktaturës totalitare, shembjen e së cilës e kërkuan edhe ata vetë, duke protestuar me dy gishtat lart afër 20 vjet më parë.

Narcizmi është një pasion me intensitet të lartë sa mund të krahasohet me "instinktin seksual" apo "instinktin e vetëruajtjes" madje, është kompensues i rëndësishëm i një lloj atrofizmi të këtyre instinkteve te njeriu për shkak të hyrjes në lojë tek ai i arsyes. Problemi është se narcizmi absolut, si psikozë apo lloj marrëzie, përpiqet ta sigurojë mbijetesën duke iu kundërvënë me urrejtje dhe egërsi lirisë së tjetrit. Ndryshe nga njeriu normal që zakonisht nuk nxehet kur kritika ka qenë korrekte "njeriu narcist reagon si i tërbuar në shkallën më të lartë ndaj çdo kritike...ai është i prirur ta presë këtë kritikë si një sulm armiqësor përderisa, bazuar në narcizmin e vet, nuk mund të përfytyrojë që ajo mund të jetë e drejtë". Fromm vëren se në mënyrë paradoksale prania e elementit të çmendurisë te këta njerëz (qofshin liderë apo militantë), favorizon suksesin e tyre sepse është ky element, që u transmeton atyre atë masë të besimit e të paturpësisë (në rastin e incidenteve me gazetarët, do të thoshim të rrugaçërisë dhe banditizmit), e cila i imponohet aq shumë njeriut të rëndomtë. Por mbi të gjitha, një reagim i tillë është i lidhur me frikën dhe pasigurinë për të nesërmen. Për fat të keq, Shqipëria është ende një shtet i varfër që nuk ofron siguri, ndaj karaktere të tilla gjejnë strehë te lidhjet narciste të grupit, te partia, te lideri. Por nëse partia dhe lideri kërcënohen nga kritika, narcisti shpërthen në një tërbim intensiv, sepse ndihet i rrezikuar në ekzistencën e vet.

***

Kalojmë kështu nga narcizmi individual te narcizmi social apo i grupit si burim i dhunës dhe presioneve kundër lirisë së fjalës. Narcizmi individual, i degjeneruar në psikozë, mund të kthehet në narcizëm grupor dhe atëherë fisi, kombi, feja, raca, partia zënë vendin e individit dhe bëhen objekte të pasionit narcist. "Në këtë mënyrë, energjia narciste mbetet po ajo, por përdoret në interes të ruajtjes së grupit, në vend të ruajtjes së një individi të veçuar". Narcizmi individual bëhet burim energjie dhe qelizë e totalitarizmave, si nazizmi apo komunizmi, që padyshim do të marrin emra të tjerë kudo dhe kurdo që të shfaqen në të ardhmen. Ndër lëvizjet politike të sotme, narcizmi i grupit shfaqet më i spikatur dhe agresiv te berishizmi, ndonëse nuk është se mungon krejt në partitë e tjera.

Ndër gazetarët nuk është vetëm Mustafa Nano që konstaton, me të drejtë, se një kategori fanatikësh berishistë janë më të egrit dhe vulgarët në reagimin kundër kritikave që i bëhen liderit, partisë apo pushtetit të saj. Autori i këtij shkrimi ka qenë ndër gazetarët më kritikë edhe të qeverisjeve socialiste të Fatos Nanos, por konfirmon gjithashtu se nuk ka ndeshur kërcënime militantësh socialistë në rrugë, apo qoftë edhe me telefon. Përvoja është krejt e kundërt, kur bëhet fjalë për fanatikë të PD-së e Berishës. Përse ndodh kështu, përse forca politike që vazhdon të mburret edhe sot e kësaj dite se udhëhoqi shembjen e diktaturës komuniste, është e populluar më shumë se çdo parti tjetër me karaktere narciste dhe intolerante, që në fakt u japin energji autoritarizmave e më pas edhe diktaturave? Paradoksi ka shpjegimin e vet kompleks, por në këtë shkrim, ka hapësirë sa për të nënvizuar rëndësinë thelbësore që ka në zhvillimin e kësaj dukurie, natyra e lidershipit të kësaj partie dhe mbi të gjitha, e kryeliderit të saj të pazëvendësueshëm që prej më se 20 vitesh (si një Fyhrer) Sali Berisha. Duket se psikoza narciste e kësaj mase fanatikësh është në harmoni të plotë tendencën e fuqishme të sundimit që manifeston politikani Berisha. Ata mbështesin njëri-tjetrin. Por askush nuk mund ta shprehë në mënyrë më të saktë dhe njëherazi më elokuente sesa Erich Fromm lidhjen, unitetin e çelniktë të grupit me orientim narcist dhe liderit, të cilit ata i nënshtrohen me kënaqësi për të gjetur strehë e siguri, si dhe për të nënshtruar të tjerët. Dhe ja çfarë shkruan ai: "Grupi me orientim narcist patjetër duhet të ketë një prijës, me të cilin ai mund të identifikojë vetveten. Prijësi e entuziazmon grupin, i cili reflekton mbi të narcizmin e vet. Në aktin e nënshtrimit para prijësit të tërëfuqishëm...individi zhvendos tek ai narcizmin e vet. Sa më i rëndësishëm është prijësi, aq më i rëndësishëm është edhe pasuesi i tij". Por edhe sa më i rrezikuar të jetë prijësi, aq më të rrezikuar ndjehen pasuesit fanatikë, masa narciste që e mbështet verbërisht. Prandaj janë të gatshëm jo vetëm të shajnë, fyejnë, kërcënojnë dhe shantazhojnë, por edhe të asgjësojnë po t‘u jepet mundësia, të gjithë ata faktorë që rrezikojnë sundimin e liderit. Përshirë këtu edhe lirinë e fjalës e të kritikës, si dhe të gjithë ata që e zhvillojnë këtë industri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›