E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet 2009... Ndryshon forma, jo përmbajtja

Filloi! Filloi, filloi sërish… fushata. Jo zyrtare. Filluan premtimet. Ndoshta jo premtime, por programe. Kod i ri Zgjedhor, figura të njëjta. Personazhe që bërtasin se kanë bërë dhe do të bëjnë, personazhe që monologojnë se s‘është bërë por do të bëhet, personazhe që akuzojnë dhe akuzohen. Kjo është fushata e nisur edhe këtë radhë. Zgjedhjet po afrojnë. Çdo gjë në këtë vend vihet në funksion të tyre.

Presim të shohim diçka ndryshe nga 4 vjet më parë. Sepse tashmë jemi në NATO, është zyrtarizuar MSA, do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe do të bëjmë "zgjedhje të lira dhe të ndershme". Duket sikur të gjitha këto ndodhin në Danimarkë, Finlandë apo Zvicër. Them kështu, pasi kur shohim politikanët tanë përpara kamerave kemi po të njëjtën panoramë si pak vjet më parë. Nuk e di ju, por mua më duken të njëjtat fraza, më duket e njëjta përmbajtje, më duken të njëjtat tema. Asgjë nuk ka ndryshuar në politikëbërjen shqiptare.

Mora shkas për të shkruar, sepse diku në një kronikë të medias sonë vizive pashë politikanë që premtonin zhdukjen e listave në dyqane. Edhe para 4 vjetësh e kisha parë atë kronikë me të tjerë personazhe, edhe para 8 vjetësh kisha parë po të njëjtën gjë… gjithmonë kanë qenë dhe gjithmonë thuhet se nuk do të jenë më. "Listat do të zhduken se korrupsioni ka pushtuar qeverinë" - dëgjonim të reklamohej në 2001, të njëjtën gjë dëgjuam në 2005 dhe po të njëjtën gjë dëgjojmë edhe tani. "Janë shtruar kaq km rrugë" - dëgjuam më 2001, 2005 edhe tani. "Kemi një rritje të admirueshme ekonomike" - dëgjuam atëherë, dëgjojmë edhe tani. Gjithçka më duket njësoj.

Premtime, premtime, premtime.

Mburrje, mburrje, mburrje.

Akuza, akuza, akuza.

Këto janë fushatat elektorale. Ne gazetarëve na lehtësohet puna, sepse mjafton të kopjojmë kronikat e 4 apo 8 viteve më parë dhe pasqyrojmë se çfarë ndodh. Po shohim pak politikanë të rinj, me metoda të vjetra. Po shohim servilizëm ndaj krerëve të partive për të kapur një vend sa më lart në lista. Po shohim një arrogancë të krerëve dhe lënien e një suspanci të gjatë pritjeje për shpalljen e kandidatëve. Kodi nuk i pengon ta bëjnë këtë. Të gjithë janë në rregull. Edhe populli që është mësuar të shohë të njëjtat skena, edhe ne që jemi mësuar, nuk na bën më përshtypje, edhe vetë politikëbërësve të vjetër dhe të rinj nuk u bën përshtypje.

Duket sikur asgjë nuk ndryshon. Kërkohet vetëm një vend në Parlament dhe më parë një vend pranë liderit të partisë. Ndërkombëtarët kërkojnë standarde të zgjedhjeve dhe se këto të fundit janë një test për integrimin e vendit. E kur nuk kanë kërkuar këtë??!! Nga të gjitha qeveritë janë premtuar dhe gjithmonë ka pasur kontestime. Atëherë përse këtë herë është ndryshe?! Kur kemi të njëjtët njerëz me të njëjtat parime dhe brumosje. Edhe të rinjtë në politikë veprojnë me të njëjtat përmbajtje si më parë, vetëm ngjyroset forma, bëhet më e bukur, High Definition. Kemi një palë zgjedhje HD që po na afrohen. Lum si ne. Tashmë do t‘i shohim po të njëjtët drejtues më me ngjyra dhe me kravata më moderne. Gjithçka është e mrekullueshme. Tashmë çdo gjë është në rrugën më të mbarë për ne shqiptarët.

Sa bukur është të jetosh në Zvicër!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›