Tare, rikthim ndaj Anglisë

Për Igli Taren, kapitulli "Kombëtare" ende nuk është mbyllur, edhe pse në ndeshjet e fundit ai nuk është preferuar nga trajneri Oto Baric për të qenë pjesë e skuadrës kuqezi. Kur kanë mbetur dhe 20 ditë nga ndeshja miqësore me Anglinë, trajneri Baric ka menduar të rikthejë në skuadër një nga liderët e saj dhe ish-kapitenin, për të parë më nga afër formën e tij. Dy ndeshjet e ardhshme me Luksemburgun, për eliminatoret e EURO 2008, në fillim të qershorit do të kërkojnë lojtarët më në formë shqiptarë, një nga të cilët mund të jetë dhe shtatlarti i sulmit, Tare. Rikthimi i tij mund të vijë pas atyre të Ervin Skelës dhe Edvin Muratit që shihen ende të nevojshëm për përfaqësuesen, edhe pse kontributi i tyre në rradhët e saj është shumëvjecar. Burime pranë stafit teknik kuqezi nuk e përjashtojnë sulmuesin e Lacios, Tare, nga kombëtarja, por gjithsesi, asgjë nuk është zyrtare. "Do të rikthehet Igli Tare? Asgjë nuk është vendosur. Ai mund të jetë në listën e Baric dhe kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme. Kontributi dhe vlerat që ai ka mund ta bëjnë pa frikë përsëri pjesë të skuadrës përfaqësuese në ndeshjet e ardhshme", shprehet burimet në fjalë.
Gazeta Sporti