E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tarifat e aplikimit për në universitet

03/03/2009  Për regjistrimin në maturën shtetërore aplikuesit duhet të paguajnë 15 mijë lekë për çdo formular

Pagesa do të bëhet pranë shkollave në çastin e regjistrimit

Regjistrimi për provimet e maturës shtetërore do të quhet i vlefshëm vetëm kur është dorëzuar mandatpagesa e aplikimit. Për provimet e këtij viti është përcaktuar që fatura financiare që maturantët duhet të paguajnë për plotësimin e formularëve A-1 dhe A-2 të jetë 1500 lekë të reja. Kjo shumë do të dredhet në shkolla në kohën e plotësimit të formularit dhe do të jetë e njëjtë për të dy fazat e aplikimit. Prej më se tri ditësh shkollat e mesme në të gjithë vendin kanë iniciuar procesin e plotësimit të formularëve A-1 dhe A-1Z, ku maturantët e rinj dhe ata të vjetër duhet të përcaktojnë dy lëndët me zgjedhje që do të japin provim për pranimet në universitetet gjatë 2009–2010-s. Përkundrejt plotësimit të këtij formulari kandidatët duhet të depozitojnë shumën e përcaktuar më lart.

Afatet

Specialistët e rregullores hartuese kanë pohuar se maturantët duhet të plotësojnë formularët përkatës vetëm pasi të jenë njohur me koeficientet e përcaktuar për lëndët me zgjedhje si dhe pasi të jenë informuar mirë në lidhje me hapat e plotësimit. Kjo në mënyrë që të mos bëjnë gabime apo pasaktësi që mund të sjellin skualifikimin e tyre nga gara e pranimeve. Pavarësisht deklaratave të bëra, ende nuk janë publikuar koeficientet e lëndëve me zgjedhje nga Ministria e Arsimit. Ndërkohë afati i përcaktuar në rregullore për plotësimin e formularëve po kalon. Aktualisht ka mbetur dhe një javë kohë nga mbyllja zyrtare e afatit për dorëzimin e formularëve të plotësuar nga maturantët që do të garojnë për vitin e ardhshëm akademik.

Përzgjedhja

Maturantët duhet të bëjnë kujdes në përcaktimin e lëndëve me zgjedhje, veçanërisht kundrejt gjuhëve të huaja. Për këtë vit janë rreth 5 lëndë me zgjedhje vetëm për gjuhët e huaja. Maturantët duhet të listojnë në formularin A-1 dhe A-1Z vetëm një gjuhë të huaj dhe jo dy, sepse në këtë rast do të eliminohen. Gjithashtu maturantët e vjetër kanë mundësi që të ruajnë rezultatet e arritura në njërin nga provimet me zgjedhje ose në të dy të sezonit të kaluar. Këta të fundit duhet të paraqiten në shkollat e mesme ku kanë mbaruar me dokumente identifikimi dhe me dëftesën e shkollës së mesme për të bërë regjistrimin e nevojshëm.

MASH mban peng koeficientet

Ndonëse ka rreth tri ditë që është çelur procedura zyrtare e plotësimit të formularëve A-1 dhe A-1Z në shkollat e mesme, ende nuk janë dërguar koeficientet e lëndëve me zgjedhje të propozuara nga fakultetet. Këto të fundit janë vendimtare në ndihmën që u jepet maturantëve për të përcaktuar lëndët ku kanë më shumë probabilitet për të fituar studimet e larta për vitin e ardhshëm akademik. Propozimet përkatëse për llojet e koeficienteve prej ditësh janë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit nga ana e universiteteve. Por Ministria e Arsimit ende nuk ka zyrtarizuar publikimin e tyre, çka do të thotë se maturantët do të shtyjnë plotësimin e formularit për ditët e fundit. Situatë kjo që mund të krijojë kaos dhe mundësi jo të qeta për përzgjedhje lëndësh. Megjithatë, në dispozicion për caktimin e dy lëndëve me zgjedhje maturantët kanë edhe një javë kohë.

Pranimet

Afatet e përcaktuara në rregulloren e provimeve lejojnë plotësimin e formularit A-1 dhe A-1Z deri më 10 mars. Brenda këtij harku kohor maturantët duhet të përcaktojnë dy lëndët me zgjedhje, si dhe të plotësojnë saktë gjeneralitet e tyre. Gjithashtu brenda kësaj date ata mund të riplotësojnë një tjetër formular, në rast se i pari është bërë gabim”, - në të kundërt s’kualifikohen nga gara e provimeve.

Përcaktimi

Edhe për këtë vit akademik koeficientet e lëndëve me zgjedhje do të jenë nga 1.0 deri në 1.3. Pavarësisht faktit se ende nuk janë publikuar nga Ministria e Arsimit, specialistët e AVA-së kanë deklaruar se maturantët duhet të plotësojnë formularin vetëm pasi të jenë konsultuar me koeficientet e përcaktuar për çdo lëndë me zgjedhje nga vetë universitet, ndërsa dorëzimi i formularëve mbyllet më 10 mars.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›