E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, njëqind milionë lekë për fermerët e Durrësit



Qeveria e ka rritur kontributin e saj financiar për rimbursimin e fermerëve nga Durrësi. Për vitin 2009 janë vënë në dispozicion 100 milionë lekë për ata fermerë të cilët do të zhvillojnë projekte në 16 fusha. Jonuz Tafili, drejtori i Bujqësisë dhe Ushqimit në qarkun e Durrësit sqaron se “këto para u falen fermerëve të cilët zhvillojnë projekte në sektorë të tillë, si mbjellja e pemëve frutore, vreshtaria, ullishtat, bletaria, blegtoria, ndërtimi i puseve për vaditje si dhe disa sektorë të tjerë. Paratë ata do t’i tërheqin direkt nga bankat”. Për të mbërritur deri te marrja e parave, projektet e realizuara nga ana e fermerëve kalojnë në sitën e komisionit të DBU-së. Janë disa të tilla të ngritura sipas sektorëve sqarojnë në DBU-në e Durrësit. “Një stimul i tillë bën pjesë në programin për nxitjen dhe zhvillimin e bujqësisë”, - sqaron Tafili. Vitin që shkoi fermerët e Durrësit morën për rimburismin e projekteve të realizuara prej tyre shumën prej 82 milionë lekësh me të cilat u mbuluan 8 sektorë apo fusha bujqësore. Ndërsa në vitin 2007 qeveria rimbursoi vetëm 3 sektorë. Sipas drejtuesit të DBU-së, kjo metodë është parë si më efikase për nxitjen e këtij sektori nëse e krahason me rimburismin e naftës. Në Durrës, gjatë viteve të fundit ka pasur një braktisje të sektorit bujqësor, pasi ai shihet si një fushë me mjaft probleme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›