E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozimet për diplomën e re, titulli nuk është vendosur ende



Hereni: Çfarë kemi kërkuar për diplomën

“Studentët arritën atë që donin, në bazë të ligjit”

Diploma e re e Universitetit të Tiranës do të miratohet shumë shpejt, në mbledhjen e ardhshme të Senatit Akademik, por formati i saj nuk është përcaktuar ende. Deri tani, anëtarët e këshillave studentorë kanë formuluar kërkesat për paraqitjen vizive të diplomës së re, por çështja e shumëdebatuar e titullit nuk është paraqitur ende në zyrat e rektoratit. Studentët e cilësojnë një fitore rregullimin e udhëzimit të ministrit të mëparshëm nga kreu i tanishëm i Arsimit, z. Fatos Beja, dhe formati i jashtëm i diplomës, sipas tyre, do t`u përngjajë diplomave amerikane.

Titulli

Megjithatë, studentët duket se nuk do të mund të kenë titullin në diploma, në rast se nuk argumentojnë bindshëm arsyen e përfshirjes së saj. Anëtari i Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, Erlis Hereni, shpjegon se në diploma do të përfshihet profili i studimit, por jo titulli, siç ka ekzistuar.

“Studentët e gazetarisë kanë kërkuar me ngulm që të vendoset titulli. Deri tani në rektorat nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare prej tyre. Ne i ftojmë që të vijnë dhe të argumentojnë arsyet se pse titulli është aq i domosdoshëm për ta. Nuk mund të jetë argument që kështu e kanë pasur edhe vitet e kaluara, duhen argumente reale për përfshirjen e këtij elementi”, – thotë Hereni.

Sipas tij, çdo kërkesë do të shihet rast pas rasti dhe vetëm në fund do të merret një vendim. “Ne, anëtarët studentë të Senatit Akademik, jemi në pritje të të gjitha kërkesave, të cilat më pas do t`i hedhim për shqyrtim në mbledhjen e senatit, por do të shohim rast pas rasti sepse çdo fakultet a departament mund të ketë specifika të veçanta, të cilat duhen respektuar”, – thotë ai.

Diploma

Propozimet e deritanishme që janë kryer nga studentët kanë të bëjnë me pamjen vizive të diplomës. “Ne kemi kërkuar që në diplomë emri dhe logoja e universitetit të jetë më e madhe se simbolet shtetërore, jo për të nënvleftësuar shtetin, por për t`i dhënë më shumë peshë lëshuesit të diplomës. Kemi marrë si bazë diplomat amerikane në propozimet tona. Kemi kërkuar që formati të jetë A4 dhe në të të përfshihen edhe elemente grafike që e bëjnë më të pranueshme këtë diplomë”, – thotë Hereni.

Ai shprehet se diploma do të jetë me kapak, në formatin A4 dhe në pjesën e pasme të saj do të jetë e stampuar në formën e “uotërmarkut” logoja e universitetit. “Kjo është një arritje për studentët e Universitetit të Tiranës, sepse tregon se ne nuk ishim një grup ‘të manipuluarish politikë’ siç u paraqit ditët e para, por një grup studentësh që njihnin dhe donin të mbronin ligjin, ashtu sikurse ndodhi”, – shprehet Hereni.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›