E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëson defekt skaneri i madh i doganës së Durrësit



Prej disa ditësh një defekt në skanerin me rreze “X”, në doganën e Durrësit ka shkaktuar bllokimin e punës në terminalin e kontejnerëve të këtij porti. Një sasi e madhe kontejnerësh dhe kamionësh kanë mbetur të bllokuar. Skaneri i madh kryen kontrollin e tyre pa qenë nevoja për zbrazjen e kontejnerëve. Ai bën kontrollin e mbi 30 lloje artikujsh në të njëjtën kohë. Autoritetet doganore kanë kërkuar ndihmën e ekspertëve kinezë të vendosur në vendin tonë të cilët përfaqësojnë kompaninë e cila kreu instalimin e skanerit, por ata nuk e kanë marrë përsipër riparimin. Në këto kushte, janë vendosur kontakte me drejtuesit e kompanisë së Kinë dhe deri në mbërritjen e tyre skaneri do të mbetet jashtë funksioni. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk ka dhënë asnjë urdhër për mënyrën se si do të funksionojnë punët deri në rivënien në punë të skanerit në mënyrë që biznesi të mos bllokohet.

Burime nga dogana e Durrësit bëjnë të ditur për “standard” se “në datën 17 shkurt në orën 09:00, skaneri me rreze “X” pësoi defekt dhe doli jashtë funksioni”. Në ndihmë u thirrën përfaqësuesit e kompanisë kineze “NUTEK” në Tiranë, e cila ka realizuar instalimin dhe vënien e tij në punë, por ata nuk e morën përsipër riparimin e skanerit. Të njëjtën përgjigje dhanë edhe ata të Maqedonisë. Kështu, riparimi i skanerit do të realizohet nga specialistët më të kualifikuar të kësaj kompanie që do të vijnë nga Kina. Skaneri është instaluar në muajin prill të vitit 2008, në kuadrin e projektit për modernizimin e sistemit doganor dhe që atëherë ai ka funksionuar normalisht. Instalimi i kësaj aparature ka qenë një ndihmë e madhe për doganën dhe për biznesin, pasi shkurton procedurat e punës në mënyrë të ndjeshme pa qenë nevoja e heqjes së vulave të kontejnerëve dhe trajlerave. Ai ekzaminon mbi 30 lloje mallrash në të njëjtën kohë.

“Ai ka kushtuar 3 milionë dollarë dhe ka gjetur përdorim të gjerë në vendet e rajonit e më gjerë. Bllokimi i punës në terminalin e kontejnerëve ka krijuar probleme në port. Meqenëse skaneri ka qenë në periudhë prove, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave duhet të nxjerrë urdhër për mënyrën e funksionimit të punëve në këtë sektor”, - deklaroi një specialist i Doganës së Durrësit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›