E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urgjencat, kurs katërvjeçar për mjekët

03/03/2009  Ministria e Shëndetësisë e përfshin këtë shërbim në reformim të thellë kundrejt cilësisë

Rreth 50 mjekë të urgjencave do të specializohen me ndihmën e palës italiane

Shërbimet e urgjencave janë ende të papërgatitura ashtu siç duhet për t’u përballur me rastet e urgjencave mjekësore që paraqiten. Pikërisht për këtë qëllim, duke filluar nga muaji shtator i këtij viti, do të iniciojë praktika e specializimit katërvjeçar për mjekët që ofrojnë shërbime në urgjencat e të gjitha rretheve. Këto të fundit, sipas planifikimeve të bëra, do të përfshihen në një reformë të thellë në kuadër të përmirësimit të cilësisë së shërbimit që duhet t’u jepet pacientëve. Lajmi është konfirmuar ditën e djeshme nga vetë kreu i dikasterit të shëndetësisë Anila Godo, e cila mori pjesë ne çeljen e kursit njëmujor, që do të realizohet në bashkëpunim me palën italiane për mjekët e këtyre urgjencave. Në kuadër të reformës spitalore si dhe asaj të urgjencave, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me specialistë të shëndetësisë të rajonit të Pulias kanë iniciuar gjatë ditës së djeshme seancat e trajnimit të 50 mjekëve të shërbimit të urgjencave në tërë vendin. Realizimi i këtij kursi bëhet i mundur në zbatim të strategjisë së miratuar për emergjencë-urgjencat pak javë më parë. Ministrja Anila Godo ka theksuar se reforma në urgjencat e vendit do të jetë prioriteti kryesor i këtij institucioni, për vetë faktin se që këtu nis hallka e parë e shërbimit të domosdoshëm për pacientët. Ky kurs ka për qëllim veçanërisht të trajnojë mjekët për të përballur traumat e rënda, kur paraqiten në shërbimin e urgjencës. Këto të fundit kanë të bëjnë me përvetësimin e duhur të praktikave të reanimacionit, të stabilizimit të pacientit, si dhe t’u ofrojë një shërbim urgjence personave jashtë spitalit, në mënyrë që të arrijnë në shërbimin e urgjencës, pasi kanë marrë një trajtim të përshtatshëm, duke mos cenuar jetën e tyre. Gjithashtu në fjalën e saj ministria Godo është shprehur se në bashkëpunim me Kooperacionin Italian dhe qeverinë japoneze do të mund të ndryshojmë ndjeshëm shërbimin e urgjencave në të gjitha spitalet rajonale të vendit. Ky bashkëpunim do të jetë si në infrastrukturë, pajisje të teknologjisë së fundit si dhe në trajnimin e kapaciteteve njerëzore si ky i sotmi. Prioritet të veçantë do të kenë edhe spitalet e Lushnjës dhe Sarandës për nga fluksi i njerëzve që ata trajtojnë.

Specializimi 4-vjeçar

Në vitin e ri akademik pritet të çelet për herë të parë një degë e veçantë brenda Fakultetit të Mjekësisë, e cila do të shërbejë për përgatitjen e specializuar të mjekëve që shërbejnë në urgjenca. Pjesë e specializimit katërvjeçar do të jenë të gjitha bluzat e bardha që shërbejnë në këto institucione, në mënyrë që pacientët në çdo kohë të jenë të mbrojtur me shërbimet e duhura mjekësore për çdo situatë të jashtëzakonshme që mund të paraqitet. Veçanërisht ky kurs ka për qëllim të trajnojë mjekët për të përballur traumat e rënda, kur paraqiten në shërbimin e urgjencës. Këto të fundit kanë të bëjnë më përvetësimin e duhur të praktikave të reanimacionit, të stabilizimit të pacientit, si dhe t’u ofrojë një shërbim urgjence personave jashtë spitalit, në mënyrë që të arrijnë në shërbimin e urgjencës, pasi kanë marrë një trajtim të përshtatshëm, duke mos cenuar jetën e tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›