E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i Tiranës rihidhet në votim brenda 10 ditëve



Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj, konfirmon se buxheti do të jetë pjesë e rendit të ditës në seancën e parë

Odisesë së buxhetit të Bashkisë së Tiranës duket se po i vjen fundi. Kryetari i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit konfirmoi dje për “standard” se “legjislativi” i Tiranës do të mblidhet brenda 10 ditëve të para të këtij muaji, me shumë mundësi brenda kësaj jave. Sipas kryetarit Sokol Dervishaj, në mbledhje do të ketë vetëm një pikë në rend dite, buxhetin e Bashkisë, që u kthye për rishqyrtim nga prefekti i Tiranës, z. Rruzhdi Keçi, për shkak të disa neneve, të cilësuara si antiligjore.

Brenda 10 ditëve

“Buxheti do të jetë në rendin e ditës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak”, – konfirmoi z. Dervishaj. Sipas tij, mbledhja është duke u organizuar dhe mendohet të mblidhet brenda 10 ditëve të para të marsit. “Mbledhja do të zhvillohet brenda kësaj jave ose në rastin më të keq, në fillimin e javës tjetër”, – deklaroi ai. Në këtë mbledhje, pritet që krahas buxhetit të propozuar nga Bashkia e Tiranës, të hidhet në diskutim edhe varianti alternativ që ka përgatitur Partia Demokratike.

Këshilltarët e kësaj force kanë përgatitur një draft, i cili shpërndan fondet e padestinuara që ka buxheti dhe që janë cilësuar të jashtëligjshme nga prefekti i Tiranës, z. Rruzhdi Keçi. Varianti alternativ do të shpërndajë vetëm këtë 10-përqindësh, sipas këshilltarit Flamur Noka.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit të Ekonomisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, bëri të ditur se në këtë variant janë përfshirë në mënyrë të detajuar të gjitha kërkesat e njësive bashkiake, që nuk ishin reflektuar më parë. Kjo, pasi, 7 nga 11 njësitë e pushtetit vendor ishin shprehur kundër variantit të ekzekutivit të bashkisë, pasi sipas tyre, nuk reflektoheshin nevojat e paraqitura nga drejtuesit dhe këshilltarët e minibashkive.

Odiseja e buxhetit

Buxheti i Tiranës nuk është miratuar dhe i është kthyer sërish Këshillit Bashkiak nga prefekti i Tiranës, z. Rruzhdi Keçi. Prefekti i Tiranës e arsyetoi këtë vendim me mospërputhshmërinë e buxhetit dhe ligjit, në lidhje me fondin e komunitetit, që ka lënë të papërcaktuar 10 për qind të fondeve të buxhetit. “Disa pika të buxhetit nuk gjejnë zbatim në mënyrën si është paraqitur buxheti në raport me ligjin, ndaj unë i ktheva në mënyrë që të korrigjoheshin”, – tha z. Keçi.

Dërgimi i buxhetit në zyrën e prefektit u bë e mundur pasi kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, autorizoi me shkrim nënkryetarin e këshillit, Petraq Simo, që të firmoste kalimin e buxhetit të bashkisë. Ndërkohë, kryetari i Komisionit të Ekonomisë në Këshill, prof. Dhori Kule, bëri të ditur se ekzistojnë votat e mjaftueshme për të kaluar variantin alternativ të Partisë Demokratike. Në ndryshim nga hera e kaluar, kur varianti i kryebashkiakut Rama fitoi 29 vota, këtë radhë, duket se varianti i PD-së do të marrë më shumë, sipas prof. Kules.

Por, për Partinë Socialiste, buxheti i Bashkisë së Tiranës është miratuar duke hyrë në fuqi sipas nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, Petraq Simo. Duke mos njohur vendimin e prefektit të Tiranës, Bashkia e Tiranës është shprehur zyrtarisht se buxheti u miratua. Ka qenë pikërisht nënkryetari Simo që përmes një deklarate për shtyp ka quajtur të padrejtë dhe jo legjitim kthimin mbrapsht të buxhetit nga prefekti Keçi, edhe pse ky i fundit e ka kompetencë ligjore diçka të tillë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›