Uashington, G-20: Ekonomia botërore po përmirësohet ndjeshëm
Grupi i 20 vendeve më të industrializuara të botës dhe vendeve me hov të shpejtë ekonomik nuk arriti të gjejë një kompromis lidhur me pjesëmarrjen e bankave në mbulimin e shpenzimeve të krizës financiare. Gjermania është angazhuar intensivisht në përfshirjen e bankave në këtë proces, tha sekretari shtetëror i financave Jorg Asmusen pas takimit të ministrave të financave të G20-ës në Uashington. Por për këtë vazhdon të ketë qëndrime të ndryshme, tha Asmusen. “Ka sigurisht dallime në qëndrime mes vendeve që kanë pasur shpenzime të mëdha gjatë krizës dhe vendeve që nuk janë goditur aq shumë nga ajo. Këtu duhet të bërë ende punë”. Përkrah Gjermanisë në përfshirjen e bankave në mbulimin e shpenzimeve janë angazhuar edhe Franca e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kundër ishin Kanadaja, India dhe Australia. Edhe kriza në Greqi preku zhvillimin e punimeve të samitit në Uashington, që si temë kryesore kishte kapërcimin e krizës financiare. Ministrat e financave të G20-s janë të një mendimi se ekonomia botërore ndodhet në një situatë më të mirë se sa para një viti. Ministri kanadez i Financave, Xhim Flaherti u shpreh në samit: "Përmirësimi global po e ecën përpara më mirë se sa pritej, kjo falë përpjekjeve të anëtarëve të G20-s". Samiti tjetër i 20 vendeve më të industrializuara dhe atyre me hov të shpejtë ekonomik pritet të zhvillohet në qershor. Deri atëherë pritet të arrihet një kompromis lidhur me reformën e përbashkët financiare.
26 Prill 2010