Përplasi biznesmenin italian, pas konfliktit për pronësinë
Gjashtëdhjetë e tetëvjeçari kishte një rrobaqepësi në qytet. Ai kishte marrë një ndërtesë me qera, pronë e të atit të Plepës. Por, midis dy palëve kishin filluar konfliktet
Sherri i lindur për një konflikt pronësie i ka kushtuar rëndë një biznesmeni italian, i cili është përplasur qëllimisht me makinë nga një 30-vjeçar nga Fushë-Kruja. Pas disa orësh autori i këtij krimi, Fatbadh Plepa, ka rënë në prangat e policisë, ndërsa i dëmtuari, Tiberio Puntiniano, pas marrjes së ndihmës së parë, është jashtë rrezikut për jetën. Gjashtëdhjetë e tetëvjeçari kishte një rrobaqepësi në qytet. Ai kishte marrë një ndërtesë me qera, pronë e të atit të Plepës. Por midis dy palëve kishin filluar konfliktet. Duket se gjakrat janë nxehur mëngjesin e ditës së djeshme, kur edhe i biri i pronarit ka marrë makinën dhe e ka përplasur italianin. Më pas, ai është larguar nga vendi i ngjarjes. Ndaj 68-vjeçarit është dhënë ndihma e parë, duke e çuar në spital. Është lajmëruar policia, e cila ka kryer më pas edhe arrestimin e Fatbardh Plepës. Ai është shoqëruar në qelitë e komisariatit, në pritje për të dalë përpara gjykatës së rrethit për të marrë masën e arrestit.
Ngjarja
Rreth orës 7:10 të mëngjesit të ditës së djeshme, Tiberio Puntiniano kishte shkuar në rrobaqepësinë që ai drejtonte. Prej disa vitesh 68-vjeçari kishte marrë me qera ambiente të ish-ndërmarrjes së grumbullimit në Fushë-Krujë. Ndërsa ishte duke kaluar rrugën përpara ndërtesës, një makinë ka ardhur me shpejtësi dhe e ka përplasur atë. Goditja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar dëmtime të mëdha biznesmenit italian. Gjatë këtij momenti, në anë të rrugës kanë qenë punëtore të rrobaqepësisë si dhe djali i tij. Menjëherë ata e kanë marrë të plagosurin dhe e kanë dërguar atë për në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Ndërkohë, në vendngjarje ka shkuar edhe policia, e cila ka marrë dëshmitë e parë dhe ka nisur menjëherë nga puna për identifikimi dhe kapjen e autorëve. Sipas agjentëve, autor i kësaj vepre penale ishte Fatbardh Plepa, djali i pronarit të godinës. U vendosën postblloqe në disa pika të qytetit. 30-vjeçari është kapur pranë qytetit të Mamurrasit.
Hetimi
Nga hetimet e kryera nga agjentët e policisë, rezultoi se ka qenë një sherr për motive pronësie që ka shkaktuar edhe përplasjen me makinë të biznesmenit italian.
Putiniano është pronar i një rrobaqepësie në Fushë-Krujë dhe prej disa vitesh kishte marrë me qera një ndërtesë të ish-ndërmarrjes së grumbullimit në Fushë-Krujë për të kryer aktivitetin e tij. Objekti i ishte marrë me qera shtetasit Sejfulla Plepa, por sipas policisë, 68-vjeçari italian kishte pasur disa herë grindje më Plepën.
Ditën e djeshme, Puntiniano ka qenë duke shkuar në ambientet e firmës së tij dhe është ndeshur më të birin e Sejfulla Plepës. Pasi kanë debatuar me njëri-tjetrin, 30-vjeçari Plepa ka nxjerrë pistoletën, duke kërcënuar me vdekje italianin. Më pas, sipas policisë, Plepa ka hipur në automjetin e tij dhe ka shtypur shtetasin italian, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në trup. Fatbardh Plepa është shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara drejtësisë. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”.