E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha ka nevojë për modelin Rama, por duart i ka të lidhura

berisha ramaNga Altin Ketro

Edi Rama: Më 23 qershori populli votoi në mënyrë plebishitare opozitën!

Sali Berisha: Më 22 korrik demokratët votuan në mënyrë plebishitare Bashën!

Ajo çka binte më shumë në sy në komentet e miqve virtualë të Sokol Olldashin në Facebook, pas deklaratës ku ai e vinte në dyshim ndershmërinë e procesit zgjedhor, qe kërkesa e tyre që në parti të mos ketë përçarje, pavarësisht çndodhi më 22 korrik.

Shqetësimi duket i drejtë për atë pjesë që është e lidhur shpirtërisht me PD-në. Ky shqetësim na kthen prapa në kohë, diku në vitin 2003, ku një e ngjashme nga krahu i majtë, socialistja nga Berati, lëshonte piskamën: Ne drita s’po ju kërkojmë, ne ujë s’po ju kërkojmë, ne bukë s’po ju kërkojmë. Vëllezër! Ju kërkojmë vetëm këtë: Mos kemi përçarje me njëri- tjetrin. Me shpirt gjithë socialistët i duan edhe Ilirin edhe Fatosin. Çfarë do shoku Fatos, ta thotë dua këtë, ia japim ne! Çfarë do shoku Ilir, ia japim ne! Vetëm mos u përçani, ju luteeem…!

Liderët e atyre viteve se dëgjuan thirrjen e militantes së flaktë e cila kërkonte ti vinte kapak gjithë problematikës që sundonte në parti e qeveri. Po ta shohësh hollë- hollë, ajo e kishte hallin gjetkë, se nga përçarja rrezikonte që në pushtet të vinte Berisha. Pra, gogoli i 97-ës Berisha, bënte që militantët e thjeshtë të pranonin të hiqnin dorë edhe nga kërkesat më bazike si bukë, ujë e drita, vetëm uniteti i rremë rreth partisë të mos prishej!!!

E megjithatë, socialistët ranë nga fiku. Por, për të arritur deri aty, ata kishin kaluar disa cikle përballjeje brenda llojit. Kryetari historik Fatos Nano u sfidua në këtë detyrë nga ish kryeministri Pandeli Majko, me të cilin e ndau veç një grusht votash në atë përballje të fortë në sallën e TOB. Përveç Majkos ambicie shfaqi edhe Ilir Meta. Të dy kryeministra, të dy ballë për ballë me kryetarin Nano. Të tre synonin partinë, të tre qeverinë, të tre luftë me njëri- tjetrin.

Me humbjen e zgjedhjeve në vitin 2005 nga PS-ja dhe largimin e Nanos, në garën për kryetar kandidoi Edi Rama, i cili kish vetëm tri vjet si anëtar partie. Ai se pati hiç të vështirë të zgjidhej kryetar, paçka se gjithkush e dinte se Ramën se lidhte asgjë me trashëgiminë Nano. Kjo e fundit u quajt kapitull i mbyllur me humbjen e zgjedhjeve.

Sigurisht, dalja në opozitë sjell nxjerrjen në pah të problemeve dhe pakënaqësive të grumbulluara për vite me radhë. Kur je në pushtet e ke më të vështirë ti shohësh defektet me syrin e vetëkritikës, prandaj dhe dalja në opozitë shërben për vetëpastrim e vetëkorrigjim.

Me humbjen e zgjedhjeve më 23 qershor, Sali Berisha dha formalisht dorëheqjen dhe ashtu si Ramiz Alia, e la me detyrim përcaktim pasardhësin e vet në parti. Pas zhvillimeve të 22 korrikut, ka lindur pyetja: A do të ketë përçarje të PD-së? Kjo është vështirë të ndodhë, sepse PD-ja nuk është si PS-ja. Aty nuk gjenden dot individë si Meta e Majko që dolën kundër rrymës. As si Rama që i bëri dalje ish kryetarit.

E gjithë garda e vjetër, pjesë e kryesisë, humbi turpshëm në zgjedhjet e 23 qershorit. Ata u bënë pjesë e dështimit Berisha, për rrjedhojë, janë të destinuar të ndjekin fatin e tij. Janë të kapur prej Berishës, viktima të tij, të besimit se ai ishte i pamposhtur, se do qeveriste gjatë, pavarësisht zullumeve që secili bënte. Janë pikërisht ato zullume që si lënë të lirë të ngrenë kokë. E megjithatë, gjithkush prej tyre e di se të ardhmen e ka në PD dhe absolutisht jo jashtë kësaj force.

Tashmë PD-ja e ka një kryetar, ndonëse kukull e nën kontrollin e Berishës. Lulzim Basha ka për ta kuptuar shumë shpejt se të bësh rolin e kryetarit të opozitës duhet të dalësh nga tutela dhe hija e ish kryetarit. Por gjasat janë të pakta në këtë drejtim, pasi Basha është i pafuqishëm. Berisha e bëri pis kudo që e çoi. Kjo ia ka lidhur duart që të ndjekë modelin Rama të vitit 2005. Modeli që mbylli një kapitull historik të Nanos dhe hapi kapitullin e tij. Atë kapitull që ngrihet dhe ecën me këmbë e veta, që mendon e drejton me personalitetin e vet dhe që të çon drejt suksesit.

Sa kohë opozita do të kenë nëpër këmbë Berishën, asnjë shpresë sdo të shihet në pusin e errët PD. Dhe, kur ta kuptojnë se duhet të vepronin ndryshe, do të numërojnë se sa shumë vite paskan qëndruar në opozitë. Fatkeqësisht!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›