Tash e kërcënon policinë
Murtez Ademaj ka përfunduar protestën e tij unike, por jo edhe sherrin me autoritetet zvicerane. Kosovari, i cili në shenjë proteste për refuzimin e nënshtetësisë, me javë kishte grumbulluar mbeturina në oborrin e shtëpisë ku jetonte me qira bashkë me familjen, më në fund i ka hequr ato në mënyrë vullnetare. Por, ai po vazhdon të refuzojë të largohet nga shtëpia, pavarësisht se me muaj nuk e ka paguar qiranë dhe shërbimet tjera. Për më tepër, tash ka nisur edhe të kërcënojë.
Sipas gazetës “St. Galler Tagblatt”, Ademaj i ka shkruar letra kërcënuese policisë së Burglenit.
"Ju mund të vini te unë vetëm nëse keni urdhër-arrest. Përndryshe ju do të vini në rrezik jetën tuaj dhe timen". Kjo është përmbajtja e faksit, të cilin ai ia ka drejtuar shefit të policisë lokale, Walter Keller.
Kosovari e cilëson kryepolicin si të dhunshëm dhe kërcënues. Por, policia nuk e merr shumë seriozisht kërcënimin. Shefi i policisë së regjionit lindje të kantonit Thurgau nuk beson se mund t’u vijë ndonjë rrezik nga Ademaj. Andaj, policia nuk do të ndërmarrë asgjë që do të kishte lidhje me letrën kërcënuese.
Faksin e tij, Ademaj e ka nënshkruar: "Detektivi i terrorizmit Murtez Ademaj".
Ky nënshkrim dhe e gjithë sjellja e tij e bëjnë kryetarin e Komunës, Armin Eugster, të mendojë se Ademaj ka humbur lidhjen me realitetin. Ai përmend edhe rastet kur ky i fundit i kishte thënë se nuk kishte idenë se me kënd kishte nderin të fliste. Në një rast tjetër kishte kërkuar dëmshpërblim prej 32 milionë frangash për "diskriminimin" që po i bëhej, e në një rast të tretë kishte thënë se do ta nominonin për çmimin Nobel, shkruan gazeta “St. Galler Tagblatt”.
Qëllimi i Ademajt, sipas Eugster, është që të jetë në plan të parë të medieve, të bëhet, siç thotë ai "më i famshëm se Gaddafi". Prandaj, Eugster u sugjeron medieve që ta injorojnë atë.
Murtez Ademaj po konfrontohet me shtetin për shkak të nënshtetësisë, e cila i ishte refuzuar sepse ai e merrte ndihmën sociale. Ademaj ishte lënduar në vendin e punës dhe ka 25 vjet stazh pune.