Misioni i OBSE-se dhuron 20 karroca për personat me hendikep
Misioni i OSBE-së në Kosovës, të enjten u ka dhuruar 20 karroca personave me aftësi të kufizuara nga komunat e Ferizajt dhe Shtërpcës. Me këtë rast është thënë se ky donacion ka për qëllim të rris mundësitë për përfshirje, integrim dhe pjesëmarrje të të gjithë personave me aftësi të kufizuara në shoqëri duke përmirësuar lëvizshmërinë dhe pavarësinë e tyre.
Drejtori i zyrës rajonale të OSBE-së në Gjilan, Ulrich Biffar ka thënë se ky projekt ndonëse në dukje i vogël, do të bëjë një ndryshim të madh për përfituesit.
“Demokracia fillon me trajtim dhe mundësi të barabarta për secilin individ. Ky duhet të jetë një synim i përbashkët për të gjithë ne”, ka thënë Biffar.
Sipas tij nuk është me rëndësi se për cilin qytet apo komunitet bëhet kjo, por e rëndësishme është se dikush përfiton.
“Nuk është më rëndësi se kush përfiton, apo çfarë religjioni apo enticiteti i përket, është më rëndësi që kjo punë të bëhet”, ka thënë Biffar.
Në bazë të të dhënave janë mbi 18 mijë persona në Kosovë me aftësi të kufizuara ndërsa vetëm në Komunën e Ferizajt janë mbi 1 mijë njerëz me aftësi të kufizuara.
Ndërsa nevojat për këta persona janë nga më të ndryshme, duke filluar nga ato më elementare.
Muhamet Ibishi, nga Ferizaj, vajza e të cilit përfitoj një karrocë, është shprehur se që 11 vite ai ka pasur problem për ta dërguar atë në shkollë, ngase karroca ekzistuese i ishte dëmtuar skajshmërisht.
Ai thotë se tani e ka më të lehtë ta bëjë këtë mu nga ky donacion.
“Tash do ta kem më lehtë me dërgu vajzën në shkollë. E kemi pasur një karrocë të vjetër dhe jo funksionale, ka qenë vështirë”, është shprehur Ibishi, duke falënderuar misionin e OSBE-së.
Bashkim Hyseni, drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Ferizaj ka thënë se donacioni ishte një gjest shumë i mirë i këtij misioni.
“Kjo është një shenjë e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit. Në aspektin simbolik ka një domethënie shumë të madhe. Nevojat e kësaj kategorie janë jashtëzakonisht shumë të mëdha kur e kemi parasysh se shumë nga personat me aftësi të kufizuara nuk kanë mundësi për lëvizje dhe dhurimi këtyre karrocave do të jetë një lehtësim shumë i madh për jetën dhe lëvizjen e tyre”, ka thënë Hyseni.
Ky donacion i dhurimit të 20 karrocave për invalidët ka shkuar përmes shoqatës “Handikos”, organizatë kjo që i bashkon personat me aftësi të kufizuara dhe punon në avancimin e të drejtave të tyre.
Afrim Maliqi, drejtor i “Handikosit”, ka thënë se dhurimi i këtyre karrocave përbën një aspekt të veçantë ngase këta persona ende nuk mbulohen me këto shërbime nga institucionet vendore.
“Duke pasur parasysh infrastrukturën shumë të dobët në Kosovë por edhe nevojat tona si grupi më i rrezikuar këtu, kjo është mëse e nevojshme, me të cilat njerëzit do të lëvizin më lirshëm dhe do t’i kryejnë shërbimet e tyre ditore”, ka thënë Maliqi.
Përfitues të këtyre karrocave ishin 11 shqiptarë nga komuna e Ferizajt dhe 9 të tjerë nga komuna e Shtërpcës prej të cilëve 2 shqiptarë dhe 7 serb. /kosovapress/