E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugës së heronjve

Ditën e parë të punës, Behgjet Pacolli e shfrytëzoi për të bërë homazhe nëpër Kosovë. Në Velani, tha se do t’i çojë përpara idetë e Ibrahim Rugovës, e në Prekaz ato të Adem Jasharit. E, pyetjes nëse do të jetë President unifikues i vendit, Pacolli iu përgjigj me lehtësi duke thënë se “populli është i unifikuar” Nga Express më 24 shkurt 2011 në ora 10:05

Në ditën e parë të aktivitetit të tij si President i Kosovës, Behgjet Pacolli ka bërë atë që shumë shpesh e bëjnë zyrtarët e lartë kosovarë. Ka vizituar varreza dhe familje të dëshmorëve anekënd vendit.

Atë që ka ndodhur një ditë më parë në Parlamentin e Kosovës, Pacolli e ka harruar.

Pyetjes së gazetarëve nëse është shkelur Kushtetuta kur ai është votuar për President, nuk i është përgjigjur duke thënë vetëm ”faleminderit”.

Vizitën e parë e ka bërë te varri i ish–Presidentit Ibrahim Rugova. E, pastaj ka shkuar për t’i vizituar familjarët e tij në Velani.

Pacolli ka thënë se do t’i çojë përpara idetë e Rugovës.

“Isha në Rezidencën e Presidentit Historik të Kosovës edhe njëherë të dëshmoj se jam më se i përgatitur ta çoj përpara idenë e tij për forcimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Ka shumë punë për t’u bërë dhe asnjëherë s’ka qenë më i gatshëm se tani për të vepruar”.

Pacolli është zgjedhur President i Kosovës, të martën, pas një votimi që është vlerësuar antikushtetues nga partitë opozitare dhe nga segmente të shoqërisë civile.

Sido që të jetë, Pacolli nuk është shumë i brengosur për shkak të ndarjes që ka shkaktuar në opinion zgjedhja e tij në postin më të lartë në vend.

I pyetur nga gazetarët nëse do të mund ta luajë rolin unifikues, Pacolli duke u larguar nga Rezidenca e Rugovës, ka thënë se populli është i unifikuar.

“Sigurisht populli i Kosovës është i unifikuar dhe do të jetë i unifikuar”, ka thënë ai.

Presidenti i sapozgjedhur i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli në ditën e parë të detyrës së tij zyrtare ka qëndruar në Prekaz, ku ka bërë homazhe pranë varrezave në Kompleksin Memorial si dhe ka vizituar Familjen Jashari.

Ai ka thënë se si president i ardhshëm do të angazhohet që amanetin e Heroit Legjendar Adem Jashari ta çojë në vend.

Gjatë ditës, Pacolli ka vizituar Familjen Haradinaj në Gllogjan të Deçanit dhe si dhe varrin e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti, në Orllan.

Takohen qeveritarët

Qeveria e re e Republikës së Kosovës, e cila është zgjedhur të martën, ka mbajtur mbledhjen e parë. Kryeministri Thaçi ka propozuar miratimin e projektbuxhetit vetëm për muajin mars.

Në hapje të mbledhjes, Thaçi ka përgëzuar kabinetin e ri qeveritar për përgjegjësitë që kanë marrë të martën, në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Thaçi ka vlerësuar se ky është përfundim i krizës institucionale dhe gjithashtu edhe fundi i një procesi të stërzgjatur zgjedhor në Kosovë.

"Kabineti i ri do të angazhohet maksimalisht në respektimin e Kushtetutës dhe ligjit, për zhvillimin ekonomik, për njohjet e reja, për fqinjësi të mirë, për një shkollim dhe edukim më cilësor dhe për integrimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Europian", ka njoftuar Zyra e Kryeministrit nëpërmjet një komunikate.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›