Meta kryeson mbledhjen e Komitetit Kombëtar për Aleancën e Qytetërimeve
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, kryesoi mbledhjen e radhës së Komitetit Koordinues Kombëtar për Aleancën e Qytetërimeve.
Gjatë kësaj mbledhje z. Meta bëri një ekspoze të punës së kryer nga Ministria e Punëve të Jashtme në zbatim të Strategjisë Kombëtare për Dialogun Ndërkulturor, të miratuar në janar të vitit 2009, duke përmendur ndër të tjera edhe Konferencën Rajonale të Sarajevës (dhjetor 2009), gjatë së cilës u miratuan Strategjia Rajonale për Dialogun Ndërkulturor dhe Bashkëpunimin në Evropën Juglindore dhe Deklarata e Përbashkët e Ministrave të Punëve të Jashtme të Rajonit për Dialogun Ndërkulturor dhe Bashkëpunimin. Kjo strategji është e para e llojit të saj, e ndërmarrë nën ombrellën e Aleancës së Qytetërimeve.
Në planin kombëtar, Meta përmendi organizimin e Forumit të Dialogut Ndërfetar për Evropën Juglindore, i mbajtur në Tiranë në Janar të vitit 2009, si dhe vuri theksin mbi punën e kësaj Ministrie për përforcimin e rolit të Koordinatorit Kombëtar për Aleancën e Qytetërimeve.
Pas Ilir Metës, fjalën e mori Ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, i cili theksoi rëndësinë e integrimit të komuniteteve të ndryshme dhe shtresave në vështirësi në tregun e punës. Ksera informoi të pranishmit mbi punën e Ministrisë që ai drejton për përmbushjen e objektivave të caktuara nga Strategjia.
Në vijim fjalën e morën edhe zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj dhe zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku.
Malaj theksoi rolin e rëndësishëm që kanë luajtur programet e shkëmbimeve studentore në njohjen dhe familjarizimin e të rinjve shqiptarë me kulturat e tjera si dhe punën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për përhapjen e internetit në shkollat e vendit.
Ndërsa Turku vuri theksin mbi vëmendjen e veçantë që MTKRS i kushton të rinjve që kanë mbaruar shkolla profesionale dhe ndihmën që ky institucion iu ofron këtyre të rinjve me qëllim përfshirjen në tregun e punës.
Në fund të takimit, u ra dakord për ngritjen e një grupi pune ndërinstitucional, në nivel teknik, për të mundësuar zbatimin më të shpejtë dhe efikas të objektivave të Strategjisë Kombëtare për Dialogun Ndërkulturor. Mbledhja e radhës e këtij komiteti do të mbahet në qershor të vitit 2010.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të trupit diplomatik, komuniteteve fetare dhe shoqërisë civile.
...