E Diel, 1 Nëntor 2026

Hendeku financiar/Parlamenti grek miraton paketën antikrizë- rrugët e Athinës kaplohen nga protestues

Në një kohë kur Greqia është buzë “greminës” financiare, parlamenti ka miratuar paketën antikrizë të qeverisë “Papandreu”. Masat përfshijnë reduktime të mëdha buxhetore, por kjo nuk është pritur mirë nga qytetarët grekë, të cilët në kohën kur parlamenti votonte draftin financiar, mbushën rrugët e Athinës, siç edhe raportojnë mediat greke, ka pasur konfrontime me forcat policore pranë ndërtesës së parlamentit grek. Zëdhënësi i parlamentit, Filipos Pecalnikos, deklaroi se ligji është miratuar në tërësi dhe priten shumë shpejt efektet pozitive në ekonominë e vendit, me zbatimin e tij. Ligji parashikon reduktim prej 4.8 miliardë euro për shërbimet publike, ku rrogat i kushtojnë shtetit 26 miliardë euro. Por, problemet nuk kanë të sosur për Greqinë. Sindikatat kërcënojnë se do bllokojnë ligjin me greva dhe ndërprerje të punës, kurse para ndërtesës së parlamentit policia u përplas me demonstruesit. Pavarësisht debateve në parlament për draftin e ri, kryeministri George Papandreu udhëtoi në Gjermani që të kërkojë mbështetje për krizën e rëndë financiare që ka pllakosur Greqinë. Gjermania është vendi me ekonominë më të fuqishme të Eurozonës, por Kancelarja gjermane Angela Merkel, ka deklaruar më herët se qeveria e saj, nuk do të ofrojë ndihmë të drejtpërdrejtë për rimëkëmbjen e Greqisë. Vizita e Papandreut në Berlin, bëhet pikërisht për arritjen e një marrëveshje financiare, çka do të stimulonte paksa kopalsin e rëndë të Greqisë, por gjasat që kjo të ndodhë janë thuajse të pamundura, nisur edhe nga replikat e ditëve të fundit Athinë-Berlin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›