Task Forca, Berisha: Vendi me regjistër dixhital

Brenda vitit 2012 vendi do të ketë një regjistër themelor të tokës dhe madje një regjistër dixhital. Kështu është shprehur kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e parë të Task Forces për Regjistrin Themelor të Tokës. Kreu i qeverisë gjatë mbledhjes, theksoi se, pas Regjistrit të Gjendjes Civile, Regjistri Themelor i Tokës është regjistri më kryesor i vendit dhe se ai duhet të përfundojë brenda vitit 2012. Në këtë funksion, Kryeministri tha se duhet të angazhohen të gjitha burimet dhe fondet për kompletimin e këtij procesi. "Regjistri Themelor i Tokës është përparësia numër një e qeverisë. Ne duhet të kemi regjistrin dixhital të tokës për të gjithë territorin e vendit", u shpreh Kryeministri. Kjo Task Force, e kryesuar nga Kryeministri Berisha, ka si objekt pune ndjekjen e Implementimit të Projektit të Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës (LAMP), me Bankën Botërore, për komponentin "A", "Siguria e pronësisë dhe të drejtat e Regjistrimit të pasurive të paluajtshme ". Në përbërje të Task Force janë ministri i Drejtësisë, ministri i Financave, ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, zëvendësministri i Drejtësisë, zëvendësministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, zëvendësministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Task Forca për Regjistrin Themelor të Tokës do të mblidhet në mënyrë periodike për të marrë në shqyrtim çështje të ndryshme që lidhen me sistemin dixhital të regjistrimit të të dhënave dhe futjen në këtë regjistër të të gjitha të dhënave dhe kartelave përkatëse për regjistrimin e tokës, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të institucioneve të tjera të pavarura shtetërore dhe të specialistëve të fushës.