Task Forca, shqyrton tre projektligje

Task Forca për mjedisin shqyrton tre projektligje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit, për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe për lejet mjedisore. Grupi i Task Forcës u mblodh nën drejtimin e kreut të qeverisë Sali Berisha i cili i përcaktoi çështjet që lidhen me mjedisin si probleme me mjaft rëndësi për qeverinë.
Duke u ndalur veçanërisht në lejet mjedisore, Kryeministri kërkoi që projektligji të respektojë arritjet në fushën e liçensimit dhe lejeve, duke mbështetur mendimin e përgjithshëm që si sportel hyrës për to të jetë Qendra Kombëtare e Lejeve dhe Liçencave. Berisha deklaroi edhe njëherë se Shqipëria do të ketë një central bërthamor, natyrisht kjo pas përfundimit të studimeve të përcaktuara dhe duke respektuar të gjitha rregullat dhe afatet që kërkohen . Kreu i qeverisë e konsideroi këtë hap të domosdoshëm për të rritur transparencën e proçesit, dhënien e lejeve prej Qendrës Kombëtare të Lejeve dhe Liçensave. Kjo reformë është një nga reformat më të rëndësishme që sipas kryeministrit ka të bëjë me lehtësimin e biznesit dhe njëkohësisht luftën kundër korrupsionit. Ndërkohë që kryeministri përgëzoi Ministrinë e Mjedisit, dhe të gjithë ekipin e saj, për punën shumë të dobishme që ka bërë, për të vendosur mbi një bazë të re ligjore të standardeve më të mira problematikën madhore të ruajtjes së mjedisit dhe zhvillimit të tij.