E Diel, 1 Nëntor 2026

100 kompani nga Lombardia, interes për të investuar në Shqipëri



Ervin KOÇI

Sipërmarrjeve italiane duket se po u ringjallet sërish interesi për të investuar kapitalet e tyre në Shqipëri. Por këtë herë duket se janë kompanitë industriale nga veriu i Italisë, dhe më saktë nga rajonet e Lombardisë dhe Piemontit të cilat po kërkojnë rrugën për të ardhur dhe nisur nga investimet në Shqipëri. Këtë fakt e konfirmon edhe mbajtja e Forumit më të fundit ekonomik që nisi dje në Milano (Lombardi) dhe që përfshiu në të mbi 200 kompani biznesi, ku rreth gjysma e tyre i përkisnin rajonit mikpritës, Lombardisë. Për nga niveli i tij, forumi ekonomik këtë herë u duk që është shumë i rëndësishëm, pasi ai u përfaqësua nga autoritet më të larta të rajonit të Lombardisë dhe të bashkisë së Milanos, në një kohë që nga pala shqiptare përveç 100 kompanive që merrnin pjesë në të, ishte i pranishëm edhe vet Kryeministri Sali Berisha, i cili mbajti edhe një fjalë gjatë hapjes zyrtare të tij. Nga sa është mësuar, ky forum ka të qartë synimin e tij: lidhjen e bashkëpunimit dhe krijimin e partneritetit midis kompanive shqiptare dhe atyre nga Italia e Veriut. Kryeministri Berisha theksoi se, qeveria shqiptare po bën gjithçka për të pasur një ambient sa më miqësor për investitorët. Përmes eliminimit të burokracive, investitorët mund të regjistrojnë biznesin e tyre në Shqipëri për gjysmë ore me një euro. Iniciativa Shqipëria një euro, është një lehtësi tjetër që ofrohet pasi investitorët mund të kenë kontratën e tokës për një euro, për qëllime industriale, bujqësore, turistikë etj. Ndërsa bëri të ditur edhe krijimin se fundi të Agjencisë së re për investimet e huaja që quhet AIDA.

Oferta
Kryeministri Sali Berisha u ka bërë edhe një herë dje ofertë investitorëve italianë, e në veçanti atyre të rajonit të Lombardisë që të shtrijnë investimet e tyre në Shqipëri. Kjo ftesë investitorëve Italian iu bë nga kryeministri Sali Berisha në Forumin Ekonomik italo-shqiptar që po zhvillon punimet në Milano, në prani të qindra sipërmarrësve nga Shqipëria dhe Italia. Pjesëmarrja e kryeministri Berisha në këtë forum është shoqëruar nga rreth 100 biznesmen shqiptarë që kanë udhëtuar drejt vendit mik sëbashku me kreun e qeverisë. Vizita në Milano nisi me një takim me Kryetaren e Bashkisë së Milanos, Letizia Moratti, Presidentin e rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni dhe Presidentin e Provincës së Milanos, Guido Podesta. “Jam këtu thellësisht i bindur që vendi im u ofron investitorëve milanezë dhe lombardë potenciale shumë të mëdha. Shqipëria është një vend në transformim të madh. Ne jemi duke ndërtuar një infrastrukturë shumë moderne, ka pas qenë një infrastrukturë e botës së tretë, po mund t’ju sigurojë që në dy ose tre vjet, infrastruktura rrugore do të jetë më e re, më moderne në gjithë Ballkanin dhe më gjerë”,- tha Berisha.

Forumi
Forumi Ekonomik u konsiderua nga bashkëbiseduesit si një mundësi e shkëlqyer për bizneset e dy vendeve për të vendosur raportet me interes të përbashkët. Zoti Formigoni, duke shprehur kënaqësinë që shumë biznesmenë lombardë kanë shtrirë me sukses aktivitetet e tyre në Shqipëri, u shpreh se do të ishte me shumë interes që raportet ekonomike me Shqipërinë të shtrihen edhe më tej, pasi, siç theksoi ai, “Shqipëria nuk është vetëm një vend mik, por edhe një vend me potencial të jashtëzakonshëm”. Kryetarja e Bashkisë së Milanos, Morati, vlerësoi rolin e komunitetit shqiptar në Itali si një faktor i rëndësishëm në forcimin e raporteve dhe miqësisë midis dy vendeve. “Një shtyllë e fortë e miqësisë dhe e bashkëpunimit në nivel ekonomik, kulturor, shkencor dhe intelektual midis dy vendeve, - vijoi zonja Moratti - janë edhe studentët shqiptarë që studiojnë në universitet italiane, të cilët janë biznesmenët e ardhshëm, por dhe ura lidhëse midis dy vendeve”. Me pas kryeministri Berisha, iu drejtua forumit ekonomik në pallatin Marino. Krahas potencialeve që ofron Shqipëria kryeministri kujtoi se, duke investuar në vendin tonë ka një avantazh të madh për tregun më interesant të punës në Europë, të ri, dinamik, dhe të edukuar.

Shkurt“Veneto Banka” ndryshon drejtuesin e saj

Luigi Lucio Gaita është drejtori i ri i “Veneto Banka”. Gaita është drejtori i parë që emërohet nga grupi italian dhe zëvendëson në detyrën e drejtorit të përgjithshëm Libero Catalano, që e kishte drejtuar bankën prej më shumë se tre vjetësh, që para blerjes nga grupi italian “Veneto Banca Holding”. Zoti Gaita vjen në krye të “Veneto Banka” në Shqipëri pas një eksperience të gjatë në sektorin bankar në Itali, ku detyra më e fundit ka qenë ajo e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të “Bancapulia”, pjesë e grupit “Veneto Banca”. Emërimi pritet të bëhet zyrtar pas miratimit të menaxherit të ri nga BSH-ja.

BQK-ja hap konkursin për guvernator

Banka Qendrore e Kosovës ka shpallur dje konkursin për guvernator. Konkursi do të jetë i hapur deri më 15 shkurt. BQK-ja që nga arrestimi i ish-guvernatorit Hashim Rexhepi më 23 gusht, për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, funksionon me ushtrues detyre. Hapja e konkursin për guvernator ka “çuar” në këmbë anëtarët e bordit të bankës. Sipas konkursit për guvernator, nominimet e bëra nga Paneli do t’i paraqiten për përzgjedhje Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërsa emërimi në këtë pozitë do të bëhet nga Presidenti i Republikës së Kosovës sipas nenit 84.27 të Kushtetutës.

Dogana dhe AKI-ja shkëmbejnë informatat

Dogana e Kosovë dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) bënë nënshkrimin e Memorandumit për bashkëpunim në fushën e shkëmbimit të informatave. Dy drejtorët e përgjithshëm, Naim Huruglica dhe Bashkim Smakaj nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit. Duke u bazuar në detyrat dhe përgjegjësit që dalin nga ligji i Doganës dhe ligji për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, dy institucionet do të rrisin nivelin e bashkëpunimit zyrtar, në qëllim të shkëmbimit të informacioneve mes tyre për fushat që paraqesin interes të dy anshëm dhe kontribuojnë për sigurinë e vendit.

Fondi i Trustit Pensional u rrit për 26 milionë

Viti 2010 ka qenë i mirë për Fondin e Trustit të Kursimeve Pensionale. Aksionet e këtij fondi janë rritur për rreth 26 milionë euro brenda vitit 2010. Uljet dhe ngritjet e vlerës së aksioneve të Trustit, në fund të vitit rezultuan me ngritjen e çmimit të aksioneve me 5.18%. Sipas raportit të fundit vlera e aksionit tani është 1.0327 euro. Një muaj më parë vlera e aksionit ka qenë 1.0086 euro. Trusti deri në ditën e fundit të vitit 2010 ka pasur nën menaxhim 488 milionë e 568 mijë e 546 euro. Deri në fund të vitit 2010 janë emetuar 473.065.186,94 aksione, të cilat i kanë blerë 344.267 kontribuues.

Vjet u harxhuan rreth 100 milionë euro “veresi”

Kosova e ka përmbyllur vitin 2010 me minus 96 milionë euro në arkën buxhetore. Shpenzime më të mëdha janë bërë në investimet kapitale, në rroga dhe në shërbimet e mallra. Gjatë vitit 2010 nga arka e shtetit u shpenzuan 1 miliard e 291 milionë euro, në një kohë që të hyrat ishin 1 miliard e 195 milionë euro. Pagat dhe mëditjet gjatë vitit 2010 kaluan vlerën e 311 milionë eurove. Në nivelin qendror vlera e pagave ishte më e lartë me rreth 20 milionë euro sesa në atë lokal. Për mallra dhe shërbime u shpenzuan 163 milionë euro, ndërkaq për subvencione dhe transferime 253 milionë.

“Airbus” ia kaloi “Boeingut” amerikan më 2010-n

Rritja e vonshme e porosive ndihmoi prodhuesin europian të aeroplanëve “Airbus” të shënojë shitje rekorde krahasuar me rivalin e tij amerikan, “Boeing”, më 2010-n. “Airbus” njoftoi se ka marrë 644 porosi të reja vitin e kaluar, në vlerë prej 84 miliardë dollarë, 200 prej të cilave ishin në dhjetor, njofton BBC. Kjo mjaftoi që “Boeing” të bierë në vendin e dytë me 625 porosi për aeroplanë. Lajmet vijnë kur “Virgin America” konfirmoi 60 porosi të reja për “A320”, gjysma prej të cilëve do të jenë formatin e ri eko-miqësor “Neo”.

19 Janar 2011

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›