Pensionet, 5% rritja për qytetin, 10% për fshatin
Ksera: Regjistër dixhital për përfituesit e ndihmës ekonomike
Politika e rritjes së pensioneve, si element i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm i mbrojtjes sociale, i deklaruar në çdo rast edhe nga qeveria, do të vazhdojë edhe këtë vit, ku është parashikuar që për pensionet e qytetit rritja të jetë në masën 5% dhe 10% për fshatin. Këtë deklaratë e ka bërë dje edhe kreu i Ministrisë së Punës, Spiro Ksera, gjatë prezantimit të objektivave për vitin 2011, për institucionin që ai drejton. Në fakt, ministri i Punës ka bërë disa premtime gjatë prezantimit të objektivave, që në pjesën më të madhe të rasteve, me përjashtim të parashikimit për rritjen e pensioneve, mbeten thjesht në letër. Kështu, ministri Ksera ka premtuar një reduktim të papunësisë në vend, duke deklaruar se këtë vit do të bëhen rreth 12 mijë punësime, gjë që do të ndikojë edhe në uljen e varfërisë. E njëjta gjë është deklaruar edhe një vit më parë, por që në të vërtetë deri në fund të vitit nuk rezultoi e tillë. Po ashtu, sipas ministrit Ksera, rishikimi i skemës së ndihmës ekonomike në të gjithë vendin do të jetë sfida kryesore e Ministrisë së Punës. Ministri Ksera tha se do të identifikohen të gjitha ato familje që janë futur në këtë skemë në mënyrë abuzive, ndërkohë që për herë të parë do të përfitojnë nga ajo edhe viktimat e dhunës në familje. “Ngritjen dhe funksionimin e regjistrit dixhital me të dhënat e kërkuesve dhe përfituesve të ndihmës ekonomike, pagesës së aftësisë së kufizuar dhe shërbimeve të kujdesit në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore. Ndërtimi i këtij rrjeti do ta bëjë më të kontrollueshëm skemën, duke ulur në maksimum abuzivitetin dhe duke krijuar mundësinë që të mos mbeten jashtë skemës së mbështetjes me të ardhura familje apo individë në nevojë”, - tha Ksera, i cili në fund të fjalës së tij ka kërkuar votat e opozitës për të miratuar ndryshimet në Kodin e Punës.