E Diel, 1 Nëntor 2026

Tasoti-Gali, gati revolucioni, largohet klani i brazilianëve

Milan

Aventura e Leonardos te Milani po vjen drejt fundit pas 13 vitesh në klubin kuqezi (fillimisht si lojtar, ndërsa tashmë si trajner). Sipas të gjitha gjasave, kampioni brazilian do t’ia lërë stafetën dyshes Mauro Tasoti dhe Filipo Gali. Edhe kësaj radhe, motoja vazhdon të jetë “Milani në duart e milanistëve”, një shprehje të cilën Galiani e përdori në nëntor të vitit 2001, kur në krye të stolit u emërua Karlo Ançeloti. Dy ish-mbrojtësit e famshëm do të kenë si detyrë kryesore një revolucion edhe më radikal nga ai që mund të mendohej. Pas largimit të Leonardos, lëvizja e parë do të jetë “shkrirja” e klanit të brazilianëve: nga pesë futbollistët që militojnë aktualisht, në skuadër do të qëndrojë vetëm Tiago Silva. Me përfundimin e kontratës, Dida do të jetë lojtar i lirë, Mansini do të kthehet tek Interi, ndërsa Pato e Ronaldinjo mund të largohen përpara skadimit të kontratave, ku sipas gjasave do t’i shiten klubit që ofron më tepër para. Tasoti dhe Gali duhet ta administrojnë Milanin në një tjetër sezon me kursime dhe sakrifica në të gjitha nivelet. Për shembull, ekziston mundësia që klubi të mos u paguajë më lojtarëve qiranë e shtëpive, por sportistët duhet ta mbulojnë këtë shpenzim me rrogën e tyre. Pjesa më e madhe e lojtarëve që do të afrohen në merkaton e verës janë me parametër zero: Jepes, Albertaci apo Storari. Duke shfrytëzuar 15 milionë euro nga shitja e Huntelar dhe 10 nga rrogat e Didës, Kaladzes dhe Odos që largohen, klubi do të blejë vetëm disa lojtarë të nivelit mesatar.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›