Tatimet: Bizneset që duhet të falimentojnë
Publikohet lista e bizneseve për të cilat tatimet kanë nisur procedurën e falimentimit, edhe pse nuk i kanë njoftuar fare
TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë publike listën me 27 subjekte tregtare duke i kërkuar gjykatës fillimin e procedurave të falimentit duke iu referuar ligjit dhe një udhëzimi të dërguara nga ministria e Financave.
Por, duke analizuar përmbajtjen e ligjit dhe të udhëzimit të Ministrisë së Financave, ekspertë të fushës shprehen se, ka një mospërputhje midis këtyre dy akteve e cila ka detyruar Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve që të bëjë publike emrat e bizneseve që sipas saj kanë plotësuar një nga kushtet që paraqiten në nenin 4 të ligjit për procedurat tatimore në vend.
Sipas tyre, në pikën "c" të këtij i neni cilësohet se, administrata tatimore kërkon fillimin e procedurave të falimentimit për ato kompani që deklarojnë rezultat me humbje të kapitaleve të veta për të paktën tre vite rresht, ndërsa në udhëzimin e Ministrisë së Financave shkruhet se, kërkesa bëhet nëse, veprimtaria e kompanive ka rezultuar me humbje për te paktën tre vite te njëpasnjëshme.
Nëse i referohemi asaj çka përcaktohet në ligj, shpjegojnë ekspertët, një kompani që ka për shembull një milion euro kapital mund të dalë për tre ose shumë vite rresht me humbje të vogla, por që nuk shkaktojnë falimentimin e saj, pasi detyrimet që ka ndaj shtetit nuk kalojnë vlerën e kapitalit. Procedurat për falimentimit e një biznesi mund të fillojnë vetëm nëse detyrimet e tij janë më të mëdha se vlera totale e kapitalit të saj, shpjegojnë ata.
Ndërsa, udhëzimi i financave vazhdojnë ekspertët është bërë në kundërshtim me ligjin dhe vendos në mënyrë taksative që, për çdo kompani që ka pasur një bilanc negativ, për tre vite resht duhen filluar procedurat e falimentimit.
Pra, në mënyre të jashtëligjshme udhëzimi çon në falimentim edhe kompanitë që kanë kapitale dhe pasuri të konsiderueshme apo që para tre viteve mund të kenë rezultuar me fitime të larta.
Në lidhje me përfshirjen e tyre në listën e bizneseve që tatimet kanë kërkuar fillimin e procedurave të falimentimit, të kontaktuar nga "Shekulli", përfaqësues të tyre shprehen se do t'i drejtohen gjykatës duke hedhur shtetin në gjyq për prishje të imazhit. Ndërkohë që ka edhe nga ato biznese që janë habitur nga ky veprim.
Përfaqësues të "SIAV Konstruksion" Sh.p.k, kompani e përfshirë në listën e tatimeve, shprehet se nuk është e vërtetë që prej tri vitesh dalin me bilanc negativ, dhe se kjo ka ndodhur vetëm dy vite më parë, ndërsa viti i shkuar ka pasur një bilanc pozitiv ashtu siç pritet të dalë edhe ky vit.
Nga ana tjetër një pjesë e madhe e firmave në Shqipëri mund të rezultojnë me bilanc negativ për këtë vit për shkak të krizës globale. Një numër tepër i madh kompanish në botë kanë pasur bilanc negativ për shkak të krizës por në vendet e tyre janë ndihmuar nga shteti dhe nuk janë dërguar për faliment.
----------------------------------------------------
TIRANË- Kompania e telefonisë së lëvizshme "Eagle Mobile" ka reaguar ndaj përfshirjes së saj në listën e bizneseve, për të cilat Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kërkon nga gjykata fillimin e procedurave të shpalljes së falimentimit. Me anë të një njoftimi për shtyp, "Eagle Mobile" sqaron se kjo kompani nuk i përket në asnjë mënyrë kësaj kategorie dhe se përfshirja në këtë listë është e gabuar.
"Eagle Mobile nuk ka asnjë detyrim të papaguar ndaj autoriteteve shtetërore dhe ka shlyer të gjitha detyrimet ndaj autoriteteve tatimore. Kompanie është ne gjendje të plotë paguese dhe do të vazhdojë të investojë. Arsyeja pse nuk ka ende fitim, është se në vitet e para të operimit të një kompanie të gjitha burimet fokusohen te investimet dhe rritja",- thuhet në njoftimin e kompanisë.
Çalik Holding e ka blerë Albtelecom më dt 16.06.2007, kontrata e cila u ratifikua me ligjin nr. 9785 të datës 19.7.2007 (me emër: Për ratifikimin e kontratës për blerjen e aksioneve të shoqërisë anonime "Albtelecom").
Eagle Mobile nuk kishte aktivitetet tregtar megjithëse ishte themeluar që më dt. 24 Tetor 2003 si një kompani shtetërore. Për këtë arsye në ligjin e privatizimit shteti ka garantuar se nuk do të ndërhyjë për prishjen apo çregjistrimin e shoqërisë duke i dhënë asaj kohën e nevojshme të fillimit të aktivitetit, ashtu siç u është dhënë kohë edhe kompanive të tjera.
"Eagle ka vetëm 18 muaj në treg (e jo 3 vjet) dhe është një kompani në fazë investimi. Ajo hyri në treg më 12 Mars 2008, që është edhe data e nisjes së aktivitetit tregtar. Shteti shqiptar zotëron rreth 16 % të aksioneve të kapitalit të Albtelecom dhe është indirekt aksioner i Eagle Mobile", citohet ndër të tjera në qëndrimin zyrtar të kësaj kompanie.