Gjendet kufoma e masakruar e biznesmenit të zhdukur
FIER / Banorët e zonës kanë gjetur trupin e vrarë dhe të djegur në një zonë të shkretë. Policia: Asnjë gjurmë në vendngjarje
FIER- Biznesmeni i ndërtimit i zhdukur ditën e premte është gjendur në orët vona të së hënës i vrarë dhe i djegur. Trupi gjysmë i dekompozuar i Genci Abazajt është hedhur në pyllin e Darëzezës, mes Fierit dhe Vlorës.
Deri tani nuk ka asnjë pistë zyrtare për shkakun e krimit të rëndë ndërsa hetuesit pohojnë se provat që mund të zbardhin krimin janë shumë të pakta. Djegia e kufomës ka bërë pothuajse të pamundur identifikimin e tij dhe është dashur ekspertiza e mjekësisë ligjore në kryeqytet që të zbardhet krejtësisht e vërteta.
Hetuesit e çështjes pohuan se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, disa barinj kanë telefonuar duke raportuar se kanë gjetur një kufomë të djegur. Ata kishin ndjerë erën e rëndë që vinte nga një vend ku zakonisht kullotnin bagëtitë.
Vendi ishte i mbushur me bimësi kallamishte të egra, të cilat e bënte të vështirë që kufoma të shihej nga ndonjë makinë e rastit ose banorët që mund të kalonin rastësisht aty.
"Është një zonë e vdekur shumë afër një rruge me kalldrëm që lidhte fshatin Povelcë me Levanin e Fierit ose me bregdetin e Darzezës. Pikërisht te kjo zonë e mbushur me bimësi të egër barinjtë kanë parë një kufomë pothuajse të djegur. Ajo ndodhej e dekompozuar. Ishte e seksit mashkull dhe i gjithë vendi rreth saj ishte i djegur",- thanë hetuesit që ndodheshin dje në vendin e ngjarjes.
Pas konstatimit të kufomës kanë shkuar edhe ekspertë kriminalistë të Drejtorisë se Policisë Fier por edhe ata e kanë pasur të pamundur për të përcaktuar identitetin e viktimës. Dyshimet ishin për biznesmenin nga Vlora pasi edhe të dhënat përkonin por gjithçka ishte e pamundur për shkak të shkallës së djegies.
Hetuesit kanë kontrolluar përreth për të gjetur dokumentet e viktimës por nuk kishte asgjë. E gjithë zona është rrethuar nga policia për të kryer hetime të tjera ndërsa një grup ekspertësh kanë rifilluar hetimet duke ndërtuar edhe skemën se si mund të këtë ardhur kjo kufomë në këtë vend të izoluar.
Njohja e parë e trupit është bërë nga një i afërm i viktimës por edhe ai ishte i pavendosur dhe për këtë arsye trupi është dërguar për analiza të mëtejshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Policia e Fierit ka pohuar se në vendin e ngjarjes janë gjetur dy vatra zjarri, të cilat mendohet se kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Pista e parë e hetimit është se Abazaj është shpënë në atë vend i gjallë dhe pasi është vrarë i është vënë flaka trupit për të bërë të pamundur identifikimin. Kjo lidhet edhe me faktin që janë konstatuar gjurmë gjaku në dy vende. Ndërsa pista e dytë është se kufoma është vrarë diku tjetër dhe aty vetëm sa është djegur.
Ekspertët kanë pyetur banorët e zonës për ndonjë zjarr të mundshëm ose persona të dyshimtë por ende nuk ka ndonjë të dhënë të qartë që mund të ndihmojë në gjetjen e autorëve.
Piktori
"Njohja ime me viktimën"
Miq dhe të njohur të 39- vjeçarit të gjetur të masakruar, të cilët jetojnë në Itali, e kanë marrë vesh lajmin nëpërmjet informacioneve në internet. Piktori i njohur vlonjat Artan Shabani, i cili jeton në Itali, nuk e fsheh dot tronditjen për fatin që ka pasur miku i tij, ndërsa nuk e fsheh dot indinjatën ndaj ngjarjeve të tilla.
"Para se të më kontaktonit, po shikoja në internet lajmet e fundit dhe e kam mishin kokërr. Gencin e njihja dhe kemi qenë në një shkollë, (shkollë pikture), ai një vit më i vogël. Pashë dhe videon e të vëllait dhe nuk kam fjalë! Herën e fundit e kam takuar në Vlorë, ishte i qeshur dhe plot shaka. Humor dhe plot batuta.
Kjo ka ndodhur rreth pesë muaj. Ndonëse nuk shprehej më me penel, ai shprehej me dashurinë për fëmijët, për jetën dhe kishte dritë brenda vetes dhe e rrezatonte kudo",- tha dje piktori.
Veç një pasioni të përbashkët për pikturën, Shabani pohon se ndante për Abazajn përshtypjet më të mira. Gjithsesi jetesa në qytete të ndryshme të Italisë, nuk ka premtuar kontakte të shpeshta, por ata i kanë ruajtur ato edhe në largësi.