Arrestohen 2 shqiptarë, iu kapën 20 kg heroinë
MILANO - Dy shqiptarë, u arrestuan dje në Milano për shpërndarje të lëndëve narkotike. Sipas medias italiane Dilaver Laci, 42 - vjeç dhe nipi i tij Enton Cara 21 - vjeç janë arrestuar pasi në banesën që ato kishin në përdorim janë gjetur 20 kilogram heroinë, si dhe substanca të tjera përzierës si dhe mjetet që përdoren për të përgatitur dozat të cilat më pas do të shiteshin. Arrestimi është kryer pasi policia kishte rënë në gjurmë të tyre prej disa kohësh. Droga vinte nga Belgjika nga ku banonte dhe 42 vjeçari Dilaver Laci, ungji i Enton Carës. Dy të arrestuarit shpesh kishin kaluar kufirin belg, madje i ishin nënshtruar edhe kontrollove por, policia nuk kishte arritur t’u gjente drogë në posedim.
Ecte me shpejtësi, vdes në aksident drejtuesi i motorit
Tiranë – Një aksident rrugor ndodhi dje në mëngjes në unazën e Re në afërsi të Urës Teknologjike. Sipas njoftimit të policisë një 34 - vjeçar, i cili po udhëtonte motor tip Lialing është përplasur me trotuarin anësor të rrugës, dhe më pas është përplasur me automjetin tip Minibuz me drejtues shtetasin Shefqet Mezini, 41 - vjeç. Si pasojë e aksidentit të ndodhur sot rreth orës 07.00 humbi jetën Arben Suli, 34 - vjeç. Specialistë të seksionit të hetimit të Aksidenteve kryen veprimet hetimore dhe procedurale, dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Depresioni e çon në vetëvrasje 42 – vjeçarin nga Tirana
Tiranë - Një 42 vjeçar është vetëvarur në ambientet e banesës së tij në rrugën “Ali Visha” në Tiranë. Sipas deklarimeve të familjarëve në polici Kujtim Elezi, është vetëvarur me litar. Sipas familjarëve 42 - vjeçari vuante nga çrregullime mendore dhe kjo ishte tentativa e dytë e vetëvrasjes. Nga shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë, u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ku nga deklarimet e familjarëve rezultoi se ky shtetas është vetëvarur me një litar. U konkludua se viktima ka tentuar dhe një herë tjetër për t’u vetëvrarë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
10 Tetor 2008