Skema e re e pensioneve, zbardhet mënyra e funksionimit
Jonida Tashi
Zbardhet mënyra se si do të funksionojë skema e re e pensioneve që do të aplikohet së shpejti edhe në vendin tonë. Ekspertët e pensioneve kanë përcaktuar kategoritë që do të përfshihen në tri kolonat e saj si dhe si do të kryhet pagesa e kontributeve për çdo kolonë. Skema e re e pensioneve do t’i ofrojë më shumë mundësi zgjedhjeje për të përfituar pension, personave që do të përfshihen në të. Të paktën ky është parashikimi i specialistëve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në Tiranë. Sipas tyre, të gjithë ata persona që do të përfshihen në skemën e re të pensioneve në vendin tonë mund të përfitojnë në disa mënyra prej saj. Skemat e reja do t’i japin mundësi zgjedhjeje personave, që pritet të përfshihen në këtë sistem në mënyrë që të përfitojnë sa më tepër gjatë periudhës që ata do të marrin pension. Sipas ekspertëve, eksperienca nga vende të tjera, të cilat kanë modernizuar dhe përshtatur me sukses programet e tyre të pensioneve, ku ekonomia e tregut po mëkëmbet, kanë treguar se është shumë e rëndësishme arritja e një konsensusi të gjerë për të kryer këtë proces. Për ekspertët, kjo është veçanërisht e vërtetë, pasi përcaktohet drejtimi i reformës dhe fillon procesi gradual i përshtatjes së sistemit të pensioneve.
Sistemi
Sistemi i quajtur shumë shtyllash, i cili do të aplikohet edhe në vendin tonë është i përbërë prej tri shtyllash kryesore. Shtylla zero është për të moshuarit, pavarësisht nëse ata kontribuojnë apo jo. Në disa vende kjo shtyllë aplikohet vetëm për të moshuarit e varfër dhe në disa të tjera për të gjithë të moshuarit mbi një moshë të caktuar. Qëllimi i kësaj kolone është të ofrojë një nivel të ardhurash bazë për të gjithë të moshuarit. Ndërsa, shtylla e parë është sistemi i pensioneve me kontribut që aktualisht ekziston në Shqipëri. Ky është një sistem publik i bazuar në solidaritet, por ku pensioni varet nga vitet dhe niveli i kontributit. Shtylla e dytë ka hyrë në disa vende si një sistem kursimesh, ku punonjësve dhe punëdhënësve u kërkohet të vendosin një përqindje të pagës në llogari të specializuara kursimesh, të cilat pastaj investohen. Pasi del në pension punonjësi përfiton kontributin dhe interesat e krijuara nga ky sistem. Kjo shtyllë mund të menaxhohet në mënyrë publike apo private dhe nuk mbështetet në sistemin e solidaritetit. Së fundi, shtylla e tretë është e ngjashme me shtyllën e dytë, por punonjësit dhe punëdhënësit mund të bëjnë vullnetarisht kontribute shtesë në mënyrë që të rrisin nivelin e pensionit të tyre të ardhshëm. Sistemi aktual i pensioneve në Shqipëri fokusohet kryesisht në reduktimin e varfërisë dhe ka një strukturë të ngjeshur të përfitimeve të pensionit në krahasim me gamën e gjerë të kontributeve të paguara në sistem.
Efektet
Tri shtyllat e reja, të propozuara për ndryshimin e skemës së pensioneve do të jenë efektive vetëm pas disa vitesh. Ministria e Financave, si iniciatorë e reformës, nuk ka përcaktuar ende kushtet, por një gjë është e sigurt që, brezi i popullsisë që aktualisht merr pensione, nuk do të përfitojë nga reforma. Sot të gjithë ata që janë të punësuar paguajnë rreth 30 për qind të pagës për të përfituar nga sigurimet shoqërore. Vetëm 23 për qind e saj shërben për pensionin, pjesa tjetër janë për asistencë mjekësore dhe shërbime të tjera. Skema aktuale është e bazuar në sistemin solidar. Pra, paratë që mbahen nga paga e një të punësuari, nuk shërbejnë për pensionin e tij, por për pagesën e të moshuarve që tashmë kanë dalë në pension. Kjo skemë sigurohet edhe me mbështetjen e buxhetit të shtetit, dhe i ka të përcaktuara pensionet maksimale dhe minimale në qytet dhe fshat. Kjo skemë, që përdoret aktualisht, sipas specialistëve dhe Bankës Botërore, po shkon drejt falimentimit. Për këtë arsye është propozuar sistemi tjetër. Ai me tri shtylla.
Funksionimi
Duke përjashtuar shtyllën e tretë, që është fakultative, dy shtyllat e para do të jenë të detyrueshme. Kjo do të thotë që çdo i punësuar do të vazhdojë të paguajë sigurime shoqërore, por paratë që i mbahen atij nga paga do të ndahen në dy pjesë. Pjesa e parë do të vazhdojë të shërbejë për shtyllën e parë. Pra, do të shërbejë për financimin e pensionistëve që aktualisht kanë mbaruar kohën e punës. Me paratë që derdhen në shtyllën e parë shteti do të sigurojë pensionin minimal. Pjesa tjetër e parave, që shkojnë për shtyllën e dytë, do të investohen nga privati dhe do të japin një pension shtesë. Në vendet e zhvilluara nuk ekziston shtylla e parë. Kjo pasi atje pensionet private dhe skema e investimit ka filluar prej kohësh. Shqipëria është e detyruar të përdorë edhe shtyllën e parë, pasi ata që paguajnë tani sigurime kontribuojnë për pensionistët që marrin sot pensione. Sipas të dhënave mendohet që skema e re, ajo e ndarjes së kontributeve në dy skema, atë shtetërore dhe atë private, do të fillojë për të gjithë ata që kanë lindur në vitet 1975-1980. Kjo është vetëm një hipotezë, pasi ndryshimi i skemës do të jetë pjesë e debateve politike dhe teknike. Sidoqoftë, në rast se do të ishte kjo fashë kohore, atëherë të parët që do të përfitonin nga skema e re do të ishin ata që kanë mbushur 35 vite punë. Pra, janë me llogaritje të përafërt, skema do të jepte frytet e para në vitet 2030. Megjithatë kjo është vetëm një hipotezë e hedhur, pasi gjithçka do të vendoset në bashkëpunim politik me të gjitha partitë.
Tri kolonat
Kolona e parë, është ajo e cila kryesisht garanton mbrojtjen e të moshuarve nga varfëria. Kjo kolonë është e detyrueshme dhe nën administrim tërësisht shtetëror dhe është pjesë e funksionit rishpërndarës të shtetit, pra është modeli që aplikohet në Shqipëri.
Kolona e dytë, e cila mundëson zgjedhjen individuale për një shpërndarje për gjithë jetën të konsumit të tij. Kjo kolonë mund të jetë private ose publike dhe bazohet mbi kapitalizmin apo rishpërndarjen, por duhet të jetë qartazi e ndarë nga kolona e parë.
Kolona e tretë, e cila është tërësisht private dhe bazohet mbi kapitalizmin fakultativ sipas zgjedhjeve të individëve. Kjo do të thotë se të gjithë ata persona që dëshirojnë të përfitojnë pensione më të larta se normalja mund të bëhen pjesë e këtyre skemave.
10 Tetor 2008