E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, 25 shtëpi dhe 100 ha tokë bujqësore të përmbytura

Ministri i Brendshëm dhe ministri i Bujqësisë kanë vizituar mbrëmjen e së hënës zonat me probleme

FIER - Jepet edhe bilanci i dëmeve të shkaktuara nga dalja nga shtrati lumit Vjosë si pasojë e reshjeve të datës 20 dhe 21 dhjetor.

Ujërat kanë shkaktuar përmbytje jo vetëm të tokave bujqësore, por edhe përmbytje të banesave. Kështu, deri dje pasdite janë raportuar rreth 100 ha tokë bujqësore të përmbytura në fshatrat Mollas, Hambaraj, Kashisht të komunave Frakull, Cakran dhe Levan.

Por me rëndë e kanë pësuar disa familje në fshatin Cerven, ku uji është futur plotësisht në dy banesa, ndërsa në fshatin Ferras të Levanit uji ka përmbytur rreth 23 banesa.

Të gjitha këto familje për shkak të banesave nën ujë e kanë gdhirë mëngjesin e djeshëm pranë të afërmve të tyre, ndërsa të tjerë kanë preferuar të qëndrojnë në këto banesa për të pasur në kujdestari bagëtitë apo gjëra të tjera me vlerë.

Në fshatin Ferras ka pasur më shumë dëme, sidomos në orenditë shtëpiake ku gjithçka brenda shtëpisë, mbas largimit të ujit, është e përbaltur dhe të gjitha këto, sipas pronarëve të këtyre banesave, duhen vite që të marrin veten nga ekonomia.

Banorët kërkojnë ndihmë nga shteti që, sipas tyre, u është premtuar nëpërmjet përfaqësuesve të qeverisë: ministrit të Brendshëm Lulëzim Basha dhe minisrit të Bujqësisë, Genc Ruli.

Të dy këta ministra kanë vizituar mbrëmjen e së hënës zonat e përmbytura dhe u kanë premtuar banorëve ndihmë të menjëhershme. Ata janë shprehur se fillimisht duhen evidentuar dëmet dhe më pas do të ndërhyhet për vlerësimin e tyre me qëllim për të ndihmuar familjet e dëmtuara sipas ligjit.

Dje pasdite Kryqi i Kuq Shqiptar, sipas drejtuesit të saj në Fier, Nazmi Bregasi, do të ndajë ndihma në batanije, dyshekë, si dhe disa ushqime. Banorët shprehen se këto janë të pakta, pasi ndihma duhet të konsistojë në rregullimin e dëmeve të shtëpive, të domosdoshme në këto ditë dimri të ashpër.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›