E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, theri të ëmën se nuk i dha lekët e pensionit

Nga Gerti Xhaja
Djali ther të ëmën me thikë se nuk i dha lekët e pensionit për të blerë drogë. Ky është motiivi i ngjarjes tragjike që ndodhi dje pasdite në kryeqytet. Policia: U vetëdorëzohet në polici për të maskuar krimin. 

TIRANE- Djali ther të ëmën me thikë se nuk i dha lekët e pensionit për të blerë drogë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:45 të mbrëmjes së djeshme, pranë Medresesë në Tiranë. Alkent Birko, 35 vjeç, vetëm gjysmë orë pasi kishte masakruar të ëmën, Shpresën, 60 vjeçe është paraqitur në Komisariatin numër 3 të Policisë së Tiranës, për të denoncuar vrasjen e së ëmës. Ka pretenduar se të ëmën ia kishin vrarë më sëpatë në shtëpi, por kanë mjaftuar vetëm disa pyetje nga oficerët e policisë që Alkenti të dorëzohej dhe pranonte autorësinë e krimit. Sipas policisë, Alkenti vuante nga probleme depresioni, të cilat i ishin përkeqësuar së tepërmi nga përdorimi i lëndëve narkotike. 35-vjeçari ishte i papunë dhe sipas fqinjëve, grindej shpesh me të ëmën për ta detyruar t’i jepte lekë për “pare xhepi”, ose për të blerë drogë. Ngjarja ka tmerruar banorët e pallatit numër 5, përballë shkollës “Misto Mame”, në banesën e hyrjes numër 3, ku jetonin bashkë Alkenti me të ëmën Shpresën, ku edhe ndodhi krimi i radhës në familjet kryeqytetase.
Ngjarja
Banorët e pallatit numër 5 kanë dëgjuar zhurmën që bëhej nga grindja mes Alkentit dhe të ëmës në banesën e katit të dytë, por askujt nuk i shkonte në mendje se ishte fillimi i krimi të paralajmëruar. Nuk ishte hera e parë që ndodhte, dhe gjithnjë ishte Shpresa që toleronte të birin duke mos kërkuar ndëshkimin nga ligji të djalit të saj. E kishte rritur vetëm Alkentin, pas një martese të pafat. Banorët kanë dëgjuar ulërima në banesën e Shpresës dhe më pas kanë parë Alkentin të dilte duke vrapuar. Ishin banorët që kanë sinjalizuar policinë, duke dyshuar për krimin që kishte ndodhur.
Policia
Me të marrë sinjalizimin përkatës, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit numër 4 të Policisë së Tiranës. Alkenti kishte lëvizur shumë shpejt, dhe për shërbimet e policisë ishte e pamundur ta kapnin në kushtet e flagrancës, apo në rrugicat nga ku ishte larguar 35-vjeçari. Policia ka rrethuar vendin e ngjarjes, ndërsa ka konstatuar trupin e pajetë të Shpresa Birkos. Ekspertë të kriminalistikës dhe oficerë të seksionit të krimeve kundër jetës dhe shëndetit, kanë kryer veprimet e para në vendngjarje. Pas këtyre veprimeve policore, për policinë nuk ka pasur asnjë dyshim se autor i vrasjes ishte vetë i biri i viktimës. Ai është arrestuar në ambientet e komisariatit numër 3 të Tiranës, ku ishte paraqitur për të denoncuar se nënën ia kishin vrarë persona të tjerë.

(s.g/GazetaShqiptate/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›