E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimet mbajnë peng treguesit e të bërit biznes në Shqipëri

Publikohet raporti i përvitshëm i Bankës Botërore “Doing Business 2009-2010”. Jemi në vendin i 82-të mes 183 ekonomive. Të fundit në botë për mbylljen e biznesit

Albert Gjoka

Të bësh biznes në Shqipëri po bëhet gjithnjë më e lehtë sipas “Doing Business”, por pengesa më e madhe vazhdon të jetë administrata tatimore. Indeksi i përvitshëm e bën një konstatim të tillë ku vlerësohen një sërë treguesish, por për kompanitë private ende ka vështirësi në procedurat e pagimit të taksave apo mbylljes së biznesit. Një tjetër vështirësi për komunitetin e biznesit është marrja e një lejeje ndërtimi. Ndërkaq, hapja e një biznesi apo marrja e një kredie tashmë kanë arritur në të njëjtat nivele me ato të ekonomive më të përparuara të botës. Treguesit e Agjencisë së Bankës Botërore e kanë listuar Shqipërinë për vitin 2009-2010 në vendin e 82-të, duke ngritur shkallët me katër pikë. Gjithsesi, Shqipëria vazhdon të ketë tregues jo aq konkurrues në krahasim me disa vende të rajonit, ekonomitë e të cilave kanë të njëjta parametra me ato tonat.
“Doing Business” në Shqipëri
Banka Botërore e ka renditur ekonominë tonë në vendin e 82-të, duke u përmirësuar me 4 shkallë, krahasuar me vitin 2009, ku rezultonte në vendin e 86-të. Por, pavarësisht reformave të ndërmarra, Shqipëria renditet pas vendeve si Mongolia apo Kazakistani, ndërsa fqinji ynë Maqedonia renditet në vendin e 32-të. Megjithëse konstatohet përmirësim, kësaj radhe Shqipëria mban një rekord të zi, që ka të bëjë me procedurat e falimentit. Ekspertët e Bankës Botërore e rendisin në fundin e ekonomive botërore. Një problem i tillë ka dalë në dritë edhe këto ditë, ku për herë të parë administrata tatimore ka çuar në gjykatë dosjet për mbylljen e 29 bizneseve. Reforma në Tatime ka marrë notë negative edhe në procedurat dhe përshpejtimin e pagesave të taksave. Një tjetër vështirësi për biznesin që operon në tregun tonë është edhe për marrjen e lejeve të ndërtimit. Ndërkaq, komponentët më të mira, të nxjerra në pah nga “Doing business” janë marrja e kredive, mbrojtja e investitorëve dhe hapja e një aktiviteti të ri. (Për më shumë, shih tabelën.)
Klasifikimet e Doing Business
Shqipëria vazhdon ende të jetë në parametra jo shumë konkurrues me ekonomitë e rajonit. Maqedonia, një vend fqinj me ne, por me potenciale të ngjashme me ne, është listuar në vendin e 32-të mes 18 ekonomive botërore, në një pozicion shumë më lart sesa ai i yni. Edhe Mali i Zi është disa shkallë më lart. Ai është renditur në vendin e 71-të. Ne kemi lënë pas në rajon vende të tilla si Serbia, Bosnja apo edhe Greqinë fqinje përsa u përket parametrave të hapjes dhe zhvillimit të një sipërmarrjeje private. Rritjen më të madhe Shqipëria e shënoi në vitin 2008-2009, ku u ngjit 17 shkallë më lart.
Vendi që ka klimën më të favorshme për biznesin është Singapori. Pas tij, listohen Zelanda e Re, Hong Kongu, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Danimarka. Ndërsa në fundin e listës janë Guinea Bisao, Republika Demokratike e Kongos dhe Republika e Afrikës Qendrore.
“Doing Business” është një publikim i përvitshëm i Bankës Botërore dhe IFC-së, ku jepen të gjithë standardet që ka arritur secili vend për zhvillimin e biznesit. Raporti I parë ka dalë në vitin 2004. Indeksi i “Doing Business” përdoret nga të gjitha agjencitë, organizatat, institucionet apo bizneset për të vendosur raportet me shtetet apo partnerët kudo nëpër botë.

TREGUESIT E TË BËRIT BIZNES NË SHQIPËRI

INDIKATORËT 2010 2009 Ndryshimi
Të bërit biznes 82 89 +7
Nisja e biznesit 46 68 +22
Dhënia e lejeve të ndërtimit 173 170 -3
Punësimi i punonjësve 105 105 0
Regjistrimi i pronës 70 62 -8
Marrja e kredive 15 12 -3
Mbrojtja e investitorëve 15 14 -1
Pagimi i taksave 138 145 +7
Tregtia ndërkufitare 66 83 +17
Realizimi i kontratave 91 90 -1
Mbyllja e biznesit 183 183 0

Box 1
Indeksi i konkurrencës, Shqipëria e fundit në rajon

Vetëm 24 orë më parë, Forumi Ekonomik Botëror publikoi një tjetër indeks të rëndësishëm për ekonomitë e gjithë botës, ku vendi ynë listohet ndër më të fundit në rajon përsa u përket treguesve të konkurrueshmërisë. Një gjë e tillë po tregohet sidomos në këtë periudhë, kur bota po përballet me një nga krizat më të mëdha ekonomike gjatë 50 viteve të fundit. Statistikat e deficitit tregtar e dëshmojnë më së miri. Një e dhënë e tillë për nivelin e konkurrueshmërisë për vitet 2009-2010 ka dalë nga raporti më i fundit i Forumit Ekonomik Botëror, ku mes 133 shteteve, Shqipëria listohet në vendin e 96-të. Pika më e dobët e Shqipërisë që ndikon negativisht në konkurrencë është ajo që ka të bëjë me infrastrukturën. Forumi e liston Shqipërinë në pozicionin e 104-t, mes 133 shteteve. Infrastruktura rrugore, hekurudhore, portuale, apo furnizimi me energji elektrike vazhdojnë të mbeten problematike, duke shkaktuar pengesa serioze për zhvillimin e biznesit. Probleme kanë edhe tregues të tjerë të sistemit makroekonomik.

Zëvendësministri Bozdo: “Rriten investimet e huaja në Shqipëri”

TIRANË - Investimet e Huaja Direkte (FDI) në Shqipëri në 6 muajt e parë të këtij viti arrijnë shifrën 436 milionë euro, me një rritje prej 59% kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, (në 6 mujorin e parë 2008, kjo shifër ishte 256 milionë euro). Këto të dhëna janë cituar nga zëvendësministri i Ekonomisë, zoti Eno Bozdo, duke iu referuar statistikave të Bankës së Shqipërisë. Sipas tij, kjo rritje e ndjeshme ka ndodhur në një hark kohor ku ekonomia botërore shënoi një tkurrje prej -1% të PBB (GDP), tregtia botërore një tkurrje prej 9% dhe ku thuajse në të gjitha vendet e BE-së, ekonomia u tkurr në shifra qe variojnë nga -2% në -20% të PBB. Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo vlerësoi si një tregues tjetër pozitiv të ditëve të fundit dhe raportin e "Global Competitiveness Index", i cili është një tregues mjaft kompleks, që shënon një ngritje të pozicionit të Shqipërisë me 12 vende, duke e renditur atë në vendin e 96-të në botë.

KURSI I KËMBIMIT TË VALUTËS
Lekë për njësi të monedhës së huaj

Dollari amerikan USD 91.98 -0.16
EURO EUR 133.28 +0.34
Paundi britanik GBP 151.81 -0.50
Franga zvicerane CHF 87.94 +0.11
Jeni japonez (100) JPY 99.46 -0.45
Dollari australian AUD 79.08 -0.48
Dollari kanadez CAD 85.14 -1.11
Ari(OZ 1) XAU 91566.71 -1,056.40
Argjend(OZ 1) XAG 1501.12 -44.06

Burimi: BSH, përditësimi i fundit: 12:28:05, 09.09.2009

TREGU I BONOVE TË THESARIT

Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n Njëditor 4.04%
12M 12-mujor 7.98%
6M 6-mujor 6.89%
3M 3-mujor 5.91%
1M 1-mujor 5.67%
1Ë Njëjavor 5.08%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.90%
1Ë Njëjavor 6.21%
o/n Njëditor 6.23%
12M 12-mujor 9.44%
6M 6-mujor 8.31%
3M 3-mujor 7.32%

Burimi: BSH, përditësimi i fundit: 08.09.2009

10 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›