Ambasadori britanik: Protokolli nuk është i keq
Në përpjekje për të zgjidhur lëmshin e krijuar nga protokolli mes EULEX-it dhe Serbisë, ambasadori britanik në Prishtinë, Endi Sparks, tha se ai nuk është në dëm të Kosovës. Sparks tha se debati rreth protokollit është me përmasa spekulative për shkak të komenteve të shtypit. “Ka pasur shumë zhurmë dhe spekulime për nënshkrimin e këtij dokumenti, meqë thuhet se EULEX-i do ta shkelte sovranitetin e Kosovës. Si një britanik, si një mik i Kosovës, unë sinqerisht nuk besoj se ky dokument do të përfaqësonte diçka të keqe për Kosovën, se do të shkelte sovranitetin e Kosovës, apo që do të ishte për të keqen e Kosovës”, tha ai, duke shtuar se bëhet fjalë për një “aranzhim teknik”, i cili do të mundësonte një bashkëpunim më të mirë me autoritetet e Serbisë në lidhje me kufijtë. Sparks tha se protokolli duhet të nënshkruhet mes EULEX-it dhe Serbisë, meqenëse një marrëveshje e tillë nuk mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.